E enjte, 25 Korrik, 2024

ARRESTOHET NË TURQI I DYSHUARI PËR VRASJEN E 14-VJEÇARES GJORÇEVSKA NË SHKUP

Trupi i pajetë i 14-vjeçares u gjet më 3 dhjetor në Shkup, gjashtë ditë pasi ishte zhdukur pasi kishte dalë nga shtëpia.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, njoftoi të martën vonë se është arrestuar në Turqi i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska javën e kaluar në Shkup, i cili dyshohet edhe për përfshirje në vrasjen e 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski, në Veles.

I dyshuari është identifikuar si Lupço Palevski, 59 vjeç, i cili ka qenë i angazhuar në politikë, ndërtimtari dhe në aktivitete proruse, ndërsa së fundi e ka udhëhequr lëvizjen “E treta“.

“Sapo jemi informuar nga kolegët nga Turqia se kreatori, planifikuesi, koordinatori dhe autori i drejtpërdrejtë i këtyre veprave është kapur në territorin e Turqisë. Ky ishte hallka e fundit e këtij akti të tmerrshëm që na mungonte për të thënë se kemi përfunduar gjithçka që ka të bëjë me zbulimin dhe kapjen e kryerësve të këtij krimi të rëndë”, tha Spasovski, në një paraqitje të jashtëzakonshme para mediave në Shkup.

Trupi i pajetë i 14-vjeçares u gjet më 3 dhjetor në Shkup, gjashtë ditë pasi ishte zhdukur pasi kishte dalë nga shtëpia, ndërsa 74-vjeçari u gjet i vdekur në Veles ditën e njëjtë.

Spasovski tha se i arrestuari ndodhet në qendrën e ekstradimit në Turqi dhe se pritet që shumë shpejt institucionet maqedonase të paraqesin kërkesën për ekstradimin e tij në Shkup.

Me këtë, siç tha, Spasovski MPB-ja ka zbardhur në tërësi rastin për të cilin tashmë ka të pesë të akuzuar.

“Tashmë kemi përgatitur padinë penale prej më shumë se 100 faqeve, e cila i është dërguar Prokurorisë Themelore Publike. Ajo përfshinë të gjithë dëshmitë lidhur me autorët e dyshuar për krimin e kryer. Pra, kemi pesë persona, njërin për rrëmbim dhe vrasje, tre të tjerë për rrëmbim dhe bashkëpjesëmarrje në vrasje dhe një për ndihmë gjatë rrëmbimit”, shtoi ai.

Ai njoftoi për arrestimin edhe të një personi tjetër, i cili dyshohet se e kishte ndihmuar autorin e dyshuar për vrasje që ta kalonte kufirin e Maqedonisë së Veriut.

Të hënën, më 4 dhjetor, kreu i MPB-së bëri të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë dhe se në këtë rast, ishte i përfshirë babai i saj, i cili, siç është shprehur Spasovski, i ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.

Babai i 14 vjeçares ndodhet në paraburgim, por gjatë marrjes në pyetje ka mohuar akuzat e policisë.

“Motivi për këtë rast është përfitimi, me ç’rast një nga personat në marrëveshje edhe me një anëtar të familjes, kanë organizuar dhe kryer aktin me qëllim që të marrin para nga nëna e vajzës së mitur që më pas të gjithë të keni përfitime”, ka thënë Spasovski.

Sipas policisë, viktima tjetër nga Velesi nuk kishte lidhje me vajzën, por kishte hesape të pasqaruara me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal.

Lidhur me vrasjen e 14-vjeçares, e cila u raportua e zhdukur më 27 nëntor, ka pasur reagime të shumta në opinion, përfshirë edhe ato që vrasjes i jepnin motive etnike, andaj edhe pati nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Për të evituar tensionet e mundshme, organet e ndjekjes dolën me njoftimin se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë me përkatësi etnike maqedonase.

Ministri i Punëve të Brendshme ka paralajmëruar masa edhe për personat që kanë nxitje në rrjetet sociale apo në paraqitjet tjera në opinion./REL

Të fundit