E shtunë, 24 Shkurt, 2024

NATO DHE BE ZOTOHEN PËR RUAJTJEN E STABILITETIT NË BALLKAN

Sekretari i NATO-s tha se Aleanca do të sigurojë stabilitetin e Ballkanit. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, bëri të ditur se Gjermania do të dërgojë në Kosovë edhe 150 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it, njofton DW, përcjell KDP.MK.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, sipas tij, aleanca do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon. Këtë deklaratë, shefi i NATO-s e bëri në Bruksel, para takimit të ministrave të jashtëm të 31 shteteve anëtare të NATO-s, ku do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se “NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin në rajon”. “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, tha Stoltenberg.

Gjermania dërgon trupa shtesë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajonin e Ballkanit, i cilësoi si tejet të rëndësishme. Ajo tha se “perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është e rëndësishme, sepse ky paraqet sigurim jetësor”. Lidhur me situatën në Ballkan, Baerbock përmendi se aktorët e jashtëm po tentojnë vazhdimisht të destabilizojnë rajonin dhe nganjëherë sipas saj, “paqja shpesh varet në fije të perit”.

Stoltenberg dhe Baerbock me Sekretarin amerikan, Antony Blinken.

Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë. NATO-ja, por edhe Bashkimi Evropian, janë një nga garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock, duke paralajmëruar se Gjermania do të dërgojë gjatë vitit të ardhshëm 150 ushtarë shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Shefi i politikës së jashtme dhe të sigurisë i BE-së JosepBorrel, tha se situata, stabiliteti, përparimi dhe harmonizimi i politikës së jashtme të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian është me rëndësi thelbësore.

Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fuqishëm me KFOR-in dhe po përballen me kohë të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë qëndrueshmëri dhe të ofrojmë siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha Borrell, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të “rrisin vullnetin për marrëveshje për të hapur rrugën e tyre evropiane”.

Diskutohet mundësia e shtimit të numrit të ushtarëve

Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës veriatlantike Jens Stoltenberg, tha se në takimin e ministrave të jashtëm të vendëve anëtare të NATO-os, do të diskutohet qartë mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Këtë Stoltenberg e tha edhe para një jave gjatë vizitave në rajon. Ndërsa ky shtim i përhershëm i trupave vie pas dhunës së terroristëve serbë në veri të Kosovës me 24 shtator, ku nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

Agjencia e lajmeve Associated Press, shkruan se dhuna mes Kosovës dhe Serbisë ka shpërthyer dy herë në muajt e fundit dhe vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë. NATO pas dhunës në veri të Kosovës dërgoi rreth një mijë trupa shtesë duke e ngritur numrin e trupave të saj në Kosovë në 4.500./DW/

 

 

Të fundit