Katari është i pozicionuar në një mënyrë unike për të zhbllokuar negociatat për armëpushim, në të cilat po ashtu u përfshinë SHBA-ja dhe Egjipti
AP
Marrëveshja dukej se ishte në prag të dështimit. Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – akuzoi Izraelin se po dështonte të respektonte marrëveshjen dhe Izraeli kërcënoi se do të riniste sulmet vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.
Ky ishte momenti kur një avion i Katarit ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Izraelit, Ben-Gurion, të shtunën, më 25 nëntor. Negociatorët që ishin në bordin e këtij avioni nisën punën, me synimin që të shpëtonin marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, që udhëheq me Gazën, para se ajo të dështonte dhe të çonte dëm përpjekjet diplomatike të bëra për javë të tëra.
Vizita e parë publike nga zyrtarët e Katarit në Izrael shënoi një moment të jashtëzakonshëm për të dyja shtetet, që nuk kanë raporte zyrtare diplomatike. Po ashtu, kjo vizitë vuri në pah rolin e madh të emiratit të vogël në tejkalimin e dallimeve midis armiqve.
“Kjo është një diçka që nuk e kemi parë më herët”, tha Yoel Guzansky, hulumtues i lartë në Institutin për Studime Kombëtare të Sigurisë në Tel Aviv, lidhur me vizitën e zyrtarëve të Katarit në Izrael. “Ai është i vetmi aktor i jashtëm në botë, që ka ndikim të madh te Hamasi, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë për vite të tëra”.
Misioni i fundjavës ishte i suksesshëm, dhe shumica e anëtarëve të ekipit u kthyen në shtëpi. Por, disa ndërmjetësues të Katarit qëndruan në Izrael për të punuar me zyrtarë e inteligjencës izraelite për zgjatjen e armëpushimit katërditor, që ishte paraparë të mbaronte mëngjesin e së martës, sipas një diplomati që ka njohuri për këtë vizitë dhe foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Këto përpjekje si duket u shpaguan, pasi Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për zgjatjen e armëpushimit edhe për dy ditë, duke rritur perspektivën për një ndërprerje më të gjatë të luftës.
Me raportet e tij të ngushta me Shtetet e Bashkuara – në Katar ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane midis Evropës dhe Japonisë – komunikimet e tij me Izraelin që nga viti 1995, dhe mbështetjen e dhënë për Gazën e bllokuar, duke dërguar në këtë territor mbi 1 miliard dollarë që nga viti 2014, Katari është i pozicionuar në një mënyrë unike për të zhbllokuar negociatat për armëpushim, në të cilat po ashtu u përfshinë SHBA-ja dhe Egjipti.
“Ne kemi nevojë për Katarin”, tha Guzanksy duke iu referuar Izraelit. Ai tha se shtetet e tjera arabe kanë gjithnjë e më shumë interesa në Izrael dhe po normalizojnë raportet e tyre. “Katari shihet si lojtari i vetëm në botën arabe që është besnik ndaj kauzës palestineze”.
Ky emirat ka qenë nikoqir i zyrës politike të Hamasit që nga viti 2012, duke i lejuar Katarit që të ketë një lloj ndikimi mbi vendimmarrjen e grupit radikal palestinez. Zyrtarët kryesorë të Hamasit, përfshirë kreun e byrosë politike të Hamasit, Khaled Mashaal, jetojnë në Katar.
Katari ka thënë se zyra politike e Hamasit që gjendet në kryeqytetin e tij, Doha, u vendos pas kërkesës së zyrtarëve amerikanë, të cilët dëshironin të krijonin një kanal komunikimi, në kohën kur Doha ishte nikoqir i zyrës së talibanëve gjatë luftës 20-vjeçare të Amerikës në Afganistan.
Zyrtarët e Katarit thanë se janë të udhëhequr nga dëshira për të zvogëluar konfliktin, edhe pse lidhjet e tyre me një sërë grupesh islamike, përfshirë Hamasin, Vëllazërinë Myslimane në Egjipt dhe me talibanët, janë kritikuar nga Izraeli, disa ligjvënës amerikanë dhe qeveritë e shteteve fqinje arabe.
“Kjo është fuqi e butë, e mobilizuar për interesin e Amerikës”, tha Patrick Theros, ish-ambasador amerikan në Katar. “Të jesh nikoqir i organizatave, me të cilat SHBA-ja nuk mund ta shohë veten duke biseduar, është pjesë e kësaj politike”.
Ky shtet i pasur i Gjirit Arab, me popullsi prej vetëm 300.000 banorësh, ka shfrytëzuar vendndodhjen e tij strategjike dhe pasuritë e jashtëzakonshme me gaz natyror për të rritur ndikimin politik dhe ka ushtruar ndikim politik dhe ka projektuar fuqi të butë në mbarë botën, duke përfshirë edhe si nikoqir i Kupës së Botës më 2022.
Në bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit për pengjet, negociatorët nga Katari, së bashku me ata nga Egjipti dhe SHBA-ja, u përballën me detyrën që të bindnin palët ndërluftuese në diplomaci, në kohën kur besimi ishte nën zero.
Gjatë fundjavës, Hamasi u ankua se Izraeli kishte shkelur kushtet e armëpushimit dhe tha se marrëveshja ishte në rrezik. Vetëm 137 kamionë, me ndihmën shumë të nevojshme humanitare, hynë në Gazë të premten, në ditën e parë të armëpushimit dhe 187 në ditën e dytë, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë. Izraeli kishte premtuar se do të lejonte hyrjen e 200 kamionëve me ndihma në ditë.
Zyrtarët e Katarit kthyen sytë nga takimet kokë më kokë me zyrtarët izraelitë në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen, tha diplomati që foli në kushte anonimiteti. Takimet disaorëshe me zyrtarët e Mossadit në Tel Aviv të shtunën, rezultuan të kenë qenë thelbësore.
Papritur, marrëveshja u ringjall. Hamasi liroi grupin e dytë të pengjeve izraelite, familjet në Bregun Perëndimor u ribashkuan me edhe 39 gra dhe të mitur që u liruan nga burgu dhe palestinezët në Gazë dolën nga vendstrehimet e tyre për të kërkuar për karburante dhe për anëtarët e zhdukur të familjeve të tyre.
Ministrja e Shtetit të Katarit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Lolwah Al-Khater, u bë zyrtarja e parë e huaj që vizitoi Rripin e rrethuar të Gazës të dielën.
Ajo shfrytëzoi pauzën e luftimeve për të vëzhguar sasinë e diskutueshme të ndihmave për këtë territor, u takua me palestinezët dhe bisedoi me Wael al-Dahdouh, shefin e byrosë së Al Jazeeras në Gazë, medium i financuar nga Katari. Ai gjatë sulmeve izraelite humbi gruan, djalin dhe një nip. Ky medium, që ka më shumë kamera në Gazë se çdo media tjetër në botë, ka dominuar mbulimin medial në gjuhën arabe të luftës.
Pavarësisht dallimeve që kanë, si Izraeli, ashtu edhe Hamasi kanë interes që të zgjasin qetësinë. Pyetje edhe më e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë pas luftës, tha një zyrtar i Katarit që foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë të negociatave që po vazhdojnë. Ai tha se shteti i tij mbetet i përqendruar në ruajtjen e menjëhershme të armëpushimit dhe parandalimit të një lufte rajonale, që do të tërhiqte patronët iranianë të Hamasit, apo militantët libanezë të Hezbollahut.
Në këtë drejtim, një numër i madh zyrtarësh kanë kaluar përmes Dohas, përfshirë edhe i ministrin e Jashtëm të Iranit, kryeministri në detyrë i Libanit dhe drejtori i CIA-s.
“Nuk ka konflikt që ka nisur dhe ka përfunduar në fushëbetejë”, tha për AP-në të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari. “Tani, në kohën kur pengjet po lirohen dhe ka pauzë të luftimeve, ne mund të jemi në gjendje që të gjejmë një zgjidhje”./REL