E mërkurë, 12 Qershor, 2024

BLINKENI MBËRRIN NË SHKUP, NUK DO TË TAKOHET ME LAVROVIN

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Shkup të mërkurën mbrëma, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.

Pas takimit me Osmanin, Blinkeni do të marrë pjesë në darkën e punës të organizuar në margjinat e samitit të OSBE-së, i cili fillon më 30 nëntor dhe mbaron më 1 dhjetor.

Sipas burimeve diplomatike, Blinkeni do të largohet nga Maqedonia e Veriut pas darkës, ndërsa shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, do të arrijë në Shkup më vonë gjatë mbrëmjes së sotme.

Blinkeni ka thënë se SHBA-ja e mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik dhe punën për forcimin e institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

“Mbështesim fuqimisht punën që po bëni për diversifikimin më të madh të energjisë në rajon dhe më gjerë, e cila do të ketë një ndikim të madh në të gjithë këtë. SHBA-në mund ta llogaritni si një partnere të fortë dhe për këtë shkak jam këtu sonte, jo vetëm për OSBE-në, por edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për të treguar se sa e vlerësojmë partneritetin që kemi”, tha ai.

Ai, po ashtu, tha se i vjen mirë që Malta është zgjedhur si kryesuese e samitit të radhës të OSBE-së më 2024.

“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.

Kryediplomati Osmani e falënderoi Blinkenin për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së.

“Dua t’ju informoj se ne kemi zgjidhur sfidat kritike ekzistenciale për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024. Dua të falënderoj Maltën dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse për mbështetjen”, tha Osmani në fillim të takimit me Blinkenin.

Blinkeni u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili tha se kryediplomati amerikan “e përshëndeti kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut dhe qasjen e saj konstruktive në realizimin e agjendës dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet Organizata”.

Sekretari amerikan i Shtetit nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

Pjesëmarrja e Lavrovit në këtë takim u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të OSBE-së, apo 3 orë para dhe 72 orë pas datës së caktuar.

Burime nga OSBE-ja bënë me dije se delegacioni rus mund të ketë deri në 85 persona, përfshirë mjekun personal të ministrit të Jashtëm, zëvendësin e tij, Aleksandr Grushko, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, personelin e sigurisë dhe 24 gazetarë rusë.

Heqja e ndalesës për diplomatin rus, Sergei Lavrov, bëri që pjesëmarrjen në Këshillin Ministror të OSBE-së ta anulojnë ministrat e jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.

Në një intervistë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë, Osmani i hodhi poshtë vlerësimet se Rusia ka fituar duke votuar që Malta të jetë vendi kryesues i organizatës më 2024, pasi Moska i vuri veto Estonisë, shtet anëtar i NATO-s.

Në takimin e mëparshëm ministror të OSBE-së, që u mbajt dhjetorin e kaluar në qytetin polak, Lloxh, Polonia nuk e lejoi praninë e Lavrovit.

Varshava, udhëheqëse e OSBE-së në vitin 2022, vuri në dukje se Lavrov ishte në listën e sanksioneve të BE-së, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që kishte nisur në shkurt të atij viti.

Në takimin e OSBE-së do të marrin pjesë 76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Në ditën e parë të Këshillit, të enjten është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.

Veç kësaj, pjesëmarrësit e Këshillit do të vendosin edhe për buxhetin si dhe për emërimet në postet kyçe në institucionet e OSBE-së.

Të fundit