E shtunë, 27 Korrik, 2024

NDRYSHIMET KUSHTETUESE NËN “HIJEN” E DEBATIT MBI ZGJEDHJET

Debati mbi ndryshimet kushtetuese tashmë duket se po mbetet nën “hijen” e debatit mbi zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ekspertët politikë shprehin shqetësim se mosndryshimi i Kushtetutës mund të shkaktojë një krizë të sigurisë në një kohë kritike për Evropën, veçanërisht kur kontinenti ballafaqohet me sfida të mëdha, dhe kur priten edhe “ndryshime politike në zgjedhjet e ardhshme evropiane. “Në një moment shumë kritik për Evropën, kur ajo po ballafaqohet me një luftë në kontinent dhe megjithatë arriti të ruajë unitetin, kur vitin e ardhshëm priten zgjedhjet evropiane dhe spektri politik mund të rëndojë nga e djathta ekstreme, kur të gjithë ekspertët sugjerojnë ndryshime në mekanizmat e vendosjes së BE-së, mosndryshimi i kushtetutës në Maqedoninë e Veriut do të kishte pasoja fatale afatmesme, duke u shndërruar në një krizë të sigurisë”, thotë ish-ambasadori Enver Abdullahu.

Shkruan: Enis Shaqiri

Ndryshimet kushtetutese që duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues janë kushti kryesor për vazhdimin e bisedimeve të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Por siç duket këto ndryshime momentalisht janë lënë “nën hije”, pasi vëmendja tani është përqendruar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, të cilat duhen të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Liderët e partive politike, sipas të gjitha gjasave, do të takohen në dhjetor, për të diskutuar rreth zgjedhjeve.  “Kuvendi është i hapur për takimin e punës mes partive politike për datën e zgjedhjeve”, tha kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, duke nënvizuar se hapësira e lirë është 4-5 dhjetor ose pas 10 dhjetorit, nëse partitë arrijnë marrëveshje për të caktuar datën e takimit. Përderisa muaji dhjetor sjell sfidat e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, poashtu ngarkon edhe një rëndësi shtesë, atë të ndryshimeve kushtetuese.

VMRO-DPMNE: Ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, e cila drejtohet nga Hristijan Mickoski, thotë se ndryshimet Kushtetuese mund të bëhen vetëm pas zgjedhjeve të reja parlamentare, dhe pas fitores së saj, ndërsa më pas pretendon se do të arrijë të bëjë një marrëveshje më të favorshme me Bullgarinë.

Kështu siç janë paraparë të bëhen këto ndryshime kushtetuese rrezikojnë në masë të madhe interesat tona kombëtare, apo pozicionin e Maqedonisë në kuadër të përparimit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë”, ka thënë Mickovski, duke nënvizuar se marrëveshja që është arritur bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” i dëmton interesat kombëtare maqedonase.

Pavarësisht qëndrimin të opozitës, partitë në pushtet, thonë se nuk do të “dorëzohen” deri në minutën e fundit, pasi, sipas tyre, integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të ketë alternativë.

Kovaçevski: VMRO-ja po vazhdon me politikat izoluese të Gruevskit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se “ata që kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese janë kundër të ardhmes evropiane të vendit”.

Nëse ata, të cilët gjithmonë kanë qenë kundër integrimit të vendit në NATO dhe BE do të arrijnë të tejkalojnë veten e tyre, atëherë në samitin e BE-së në dhjetor do të kemi vendim për nisjen e bisedimeve me BE-në. Nëse këtë nuk e bëjmë, atëherë do të kemi një reprizë të 11 samiteve të e kaluara të BE-së kur nuk kishim asnjë vendim për vendin tonë. VMRO-ja me drejtuesit e tanishëm po vazhdon me politikat izoluese të Nikolla Gruevskit”, ka deklaruar Kovaçevski.

Kovaçevski gjithashtu më 23 nëntor deklaroi se, takimi me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve do të mbahet në Kuvend në dhjetor. Ai nuk saktësoi se kur do të mbahen zgjedhjet, por tha se në maj ka hapësirë ​​të mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje të rregullta presidenciale dhe parlamentare

Abdullahu: Mosmiratimi i ndryshimeve kushtetutese, një mëkat i madh dhe i pafalshëm

Për ish-ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Norvegji, Enver Abdullahu, mos miratimi i ndryshimeve kushtetutese do të kishte qenë “një mëkat i madh, dhe i pafalshëm”, për të gjithë subjektet politike në vend, nëse nuk arrijnë që të kthejnë në vëmendje të publikut debatin për ndryshimet kushtetuese, pasi siç thotë, humbja më e madhe do të kishte qenë për Maqedoninë e Veriut. Ai në një prononcimi për KDP.MK, thotë se nëse merret parasysh situata aktuale në rajon dhe gjeostrategjia evropiane, ndryshimet kushtetuese janë më se domosdoshme për një politikë të suksesshme të BE-së. “Nëse e presim Vitin e Ri me këtë status quo që imponojnë partitë opozitare, oportuniste të skajshme në politikëberjen ditore, atëherë shanset janë që këto ndryshime kushtetuese të shndërrohen në çështje të sigurisë për vendin, por edhe për rajonin. Prandaj, përbërja aktuale parlamentare duhet të bëjë çmos që të vendosë në qendër të vëmendjes debatin publik për ndryshimet kushtetuese, që do të ndikonte edhe në ambientin parazgjedhor, por në të vërtetë do të shpaloste edhe imperativin eurointegrues si opsion i vetëm për Maqedoninë e Veriut”, thotë ai.

Abdullahu thotë se në një moment  kritik për BE-në, kur ajo po ballafaqohet me sfida të ndryshme, mos miratimi i Kushtetutës në Maqedoninë e Veriut do të kishte pasoja fatale afatmesme, duke u shndërruar në një krizë të sigurisë.

Në një moment shumë kritik për Evropën, kur ajo po ballafaqohet me një luftë në kontinent dhe megjithë arriti të ruajë unitetin, kur vitin e ardhshëm priten zgjedhjet evropiane dhe spektri politik mund të rëndojë nga e djathta ekstreme, kur të gjithë ekspertët sugjerojnë ndryshime në mekanizmat e vendosjes së BE-së, mosndryshimi i kushtetutës në Maqedoninë e Veriut do të kishte pasoja fatale afatmesme, duke u shëndruar në një krizë të sigurisë”, thotë Abdullahu.

Ndryshe, situatën për sigurimin e dy të tretave të votave në Kuvend, e vështirëson edhe vendimi i partive opozitare shqiptare për të mos mbështetur ndryshimet kushtetuese. Ky vendim u mor nga partitë shqiptare (LD, LB, dhe Alternativa), për shkak të refuzimit të kërkesës së tyre që ndryshimet të përfshijnë edhe “përkufizimin e ri për gjuhën shqipe”, e cila në Kushtetutë njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut.

E për këtë, Abdullahu thotë se “edhe opozita shqiptare sikur ka nisur me kalkulimet e saj dhe kushtëzimet me heqjen e “20 përqindshit” që e largon debatin publik nga imperativi i kohës për procesimin e ndryshimeve kushtetuese”.

Nga ana tjetër, ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, është optimist se ndryshimet kushtetutese mund të kalojnë. Ruzhin javë më parë i tha KDP-së se ndryshimet në kodin penal, ku edhe u ndryshuan dhe u zvogëluan lëndët e disa prej politikanëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët ishin të akuzuar për korrupsion, mund të jenë sinjale se ekzistojnë shpresa se ndryshimet kushtetuese mund të kalojnë.

Megjithatë, ka disa skenarë: i pari është që të mos kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe kjo do të thotë se do të humbim një kohë të çmuar, pasi nuk do të ketë hapje të kapitujve në procesin e negocimit; skenari i dytë është një marrëveshje mes partive politike dhe gjithçka të shkojë sipas planit. Ndërsa skenari i tretë është pak më i zymti, pasi situata e status quo-s mund të prodhojë tensione të brendshme”, ka theksuar Ruzhin.

Ndërsa pasojat nga mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese, për Ruzhin janë se: “Shqipëria do të shkojë përpara në procesin e negociatave me BE-në, do të rrënohet imazhi ynë se mund të zgjidhim ndonjë problem të madh që është në interes të përgjithshëm. Humbin të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pa marrë parasysh përkatësinë etnike politike. Nëse kalojnë, do të fitonim shumë, do t’i mbathnim atletët dhe do të fillonim vrapin drejt BE-së”.

Ndryshimet që duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues janë kushti kryesor për vazhdimin e bisedimeve të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Vendimi duhet të miratohet para samitit të BE-së në dhjetor, që të mund të jepet drita e gjelbër për fillimin e bisedimeve për kapitujt. Nëse nuk bëhen ndryshimet Kushtetuese deri në fillimin e dhjetorit të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Kurse zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pritet të mbahen më 8 maj të vitit të ardhshëm, ndonëse data ende nuk është shpallur zyrtarisht.

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit