Mehmeti: “Përfitimet nga hapja e negociatave tanimë u bënë të qarta nga kryetarja e Komisionit Evropian, znj. Ursula fon der Lejen dhe nga zyrtarë tjerë të BE-së dhe këmbëngulja e opozitës maqedonase qartazi shkon në dëm të kësaj. Nëqoftëse Maqedonia nuk arrin ta zhbllokojë këtë proces dhe shkëputet nga grupi i shteteve që pretendojnë të anëtarësohen në një pako, atëherë mund të ndodhë që shansi i ri të vonohet për një kohë të paparashikueshme”.
Ruzhin: “Ekzistojnë disa skenarë: i pari është që të mos kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe kjo do të thotë se do të humbim një kohë të çmuar, pasi nuk do të ketë hapje të kapitujve në procesin e negociimit; skenari i dytë është një marrëveshje mes partive politike dhe gjithçka të shkojë sipas planit. Ndërsa skenari i tretë është pak më i zymti, pasi situata e status quo-s mund të prodhojë tensione të brendshme”.
Shkruan: Enis Shaqiri
Vetëm 20 ditë na ndajnë nga përfundimi i procesit të skriningut (7 dhjetor), pas të cilit pritet që Maqedonia e Veriut praktikisht të fillojë edhe hapjen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. “Kanë mbetur tre kapituj deri në fund të skriningut, përkatësisht kapitulli 12- Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare, kapitulli 30- Marrëdhëniet e jashtme dhe skriningu përfundon me kapitullin 31- Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes më 7 dhjetor 2023”, njoftojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.
Por që vendi të fillojë hapjen e kapitujve të negociatave, e cila do të rezultonte edhe me mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, duhet të përfundojë procesi i ndryshimeve Kushtetuese. Megjithatë, tani për tani ky proces është në ngecje dhe kjo sipas ekspertëve politikë mund të rezultojë me disa skenare të ndryshme. Sipas tyre, mos-votimi i ndryshimeve kushtetuese dhe funksionimi i rënduar i Parlamentit, edhe i shumë sferave tjera, siç është gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit, paraqesin sfida shumë serioze të cilat Maqedoninë e Veriut e “vendosin kah fundi i trenit ballkanik që përpiqet të arrijë ne Bruksel”.
“Nuk ka dyshim se mos-votimi i ndryshimeve kushtetuese dhe funksionimi i rënduar i Parlamentit, por edhe i shumë sferave tjera, siç është gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit, paraqesin sfida shumë serioze të cilat vendin tonë e vendosin kah fundi i trenit ballkanik që përpiqet të arrijë ne Bruksel”, thotë njohës i çështjeve politike, Ibrahim Mehmeti, për KDP.MK.
Ndryshe nga Mehmeti, ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, për KDP.MK, thotë se me ndryshimet në kodin penal, ku edhe u ndryshuan dhe u zvogëluan lëndët e disa prej politikanëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët ishin të akuzuar për korrupsion, mund të jenë sinjale se eksiztojnë shpresa se ndryshimet Kushtetuese mund të kalojnë.
“Megjithatë, ka disa skenarë: i pari është që të mos kalojnë ndryshimet kushtetuese dhe kjo do të thotë se do të humbim një kohë të çmuar, pasi nuk do të ketë hapje të kapitujve në procesin e negociimit; skenari i dytë është një marrëveshje mes partive politike dhe gjithçka të shkojë sipas planit. Ndërsa skenari i tretë është pak më i zymti, pasi situata e status quo-s mund të prodhojë tensione të brendshme”, thotë Ruzhin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka porositur se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian varet pikërisht nga ndryshimet Kushtetuese. Pavarësisht mesazheve të saj, por edhe të shumë diplomatëve të tjerë evropianë dhe amerikanë, opozita maqedonase ka theksuar qartë se “asnjëherë nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese që dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase”. E për këtë analisti politik, Ibrahim Mehmeti, thotë se këmbëngulja e opozitës maqedonase qartazi shkon në dëm të procesit të integrimeve.
“Përfitimet nga hapja e negociatave tanimë u bënë të qarta nga kryetarja e Komisionit Evropian, znj. Ursula fon der Lejen dhe nga zyrtarë tjerë të BE-së dhe këmbëngulja e opozitës maqedonase qartazi shkon në dëm të kësaj”, thotë Mehmeti, duke nënvizuar se nëqoftëse Maqedonia e Veriut nuk arrin ta zhbllokojë këtë proces dhe shkëputet nga grupi i shteteve që pretendojnë të anëtarësohen në një pako, atëherë mund të ndodhë që shansi i ri të vonohet për një kohë të paparashikueshme. “Një skenar i këtillë do ta bënte Maqedoninë tepër të ndjeshme ndaj ndikimeve nga oponentët e eurointegrimeve dhe me këtë do të rrezikohej edhe stabiliteti i përgjithshëm i vendit”.
Ndërsa, për Ruzhin, pasojat nga mosmiratimi i ndryshimeve Kushtetuese, janë se: “Shqipëria do të shkojë përpara në procesin e negociatave me BE-në, do të rënohet imazhi ynë se mund të zgjidhim ndonjë problem të madh që është në interes të përgjithshëm. Humbin të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pa marrë parasysh përkatësinë etnike politike. Nëse kalojnë, do të fitonim shumë, do t’i mbathnim atletët dhe do të fillonim vrapin drejt BE-së”.
Kujtojmë se pa votat e opozitës, Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pasi nevojiten dy të tretat në Kuvend, të cilat shumica parlamentare nuk ka arritur t’i sigurojë.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.
Ndryshimet Kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet Kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet Kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.