E enjte, 9 Maj, 2024

RASTI NË KANAL 5, SHKELJE E DREJTPËRDREJTË E PAVARËSISË REDAKSIONALE

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë së Veriut (KEMM), kanë reaguar ndaj largimit të Ismet Ramadanin nga emisioni debatitv në kanal 5.  Sipas tyre, ndërhyrja e Mirçevskit drejtpërdrejtë në televizion, me kërkesë që Ramadani të largohet nga studio menjëherë, paraqet shqetësim serioz, sepse kjo cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë redaktuese që është gurthemeli i gazetarisë së pavarur, transmeton KDP.MK. Ndërkohë, zëvendëskryetari i Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele, Selver Ajdini, në një prononcim për KDP.MK, thotë se e gjitha çfarë duhej të bëhej dje në transmetimin e drejtpërdrejtë të emsionit në TV Kanal 5, është që debati të zhvillohej pa ndërhyrjen e menaxhmentit të televizionit.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Në një shoqëri ku televizioni gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë luan rol në formësimin e diskursit publik, është e rëndësisë së veçantë që të gjithë pjesëmarrësit të ruajnë standard të lartë të komunikimit dhe të flasin me respekt me bashkëbiseduesit e tyre si dhe me publikun. Sonte sjellja dhe komentet e z. Ramadani ndaj udhëheqësit të emisionit Vidinovski, në një pjesë të caktuar të debatit, fatkeqësisht ishin konfrontuese, duke krijuar mundësi që debati të marrë përmasa të padëshiruara”, thonë shoqtatat.

Nga atje shtojnë se edhe krahas situatës sfiduese, z. Aleksandar Vidinovski, redaktor-udhëheqës i emisionit “Vetëm e vëreteta” në Kanal 5, bëri përpjekje për të ndaluar eskalimin e situatës dhe për të ruajtur standardin e dialogut të respektueshëm, dhe se përpjekjet e tij demonstrojnë nivelin e profesionalizmit dhe qetësisë që kërkohet nga praktikuesit e mediave në skenare me presion të lartë.

“Megjithatë, incidenti mori kthesë shqetësuese kur drejtori i televizionit Kanal 5, z. Ivan Mirçevski ndërhyri drejtpërdrejtë në televizion, me kërkesë që z. Ramadani të largohet nga studio menjëherë. SHGM shpreh shqetësim serioz për këtë ndërhyrje, sepse kjo cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë redaktuese që është gurthemeli i gazetarisë së pavarur. Veprimet e kësaj natyre mund të dëmtojnë pavarësinë e medias dhe të rrezikojnë e minojnë besimin e publikut në përgjithësi në media. Ne dënojmë kategorikisht të gjitha veprimet që komprometojnë pavarësinë redaktuese nga strukturat menaxhuese të mediave dhe theksojmë më tej rëndësinë e ruajtjes së këtij parimi për ruajtjen e besueshmërisë së gazetarisë në Maqedoni”, thuhet në reagimin e shoqatave.

Nga ana tjetër, Selver Ajdini, zëvendës kryetari i Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele, në një prononcim për KDP.MK, thotë se e gjitha çfarë duhej të bëhej dje në transmetimin e drejtpërdrejtë të emsionit “Samo Vistina, (Vetëm e vëreteta)”, në TV Kanal 5, është  që debati të zhvillohej pa ndërhyrjen e menaxhmentit të televizionit, përndryshe në këtë mënyrë, siç thotë ai, dëmtohet apo kompromentohet pavarësia redaktuese.

Selver Ajdini, zëvendëskryetar i Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele,

Unë kam të drejtë që të kem mendim të ndarë nga pjesa apo anëtarët e tjerë të Këshillit të agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audio vizuale. Që të jem i qartë pa dashur të hy në përmbajtjen e emisionit, mendoj që e gjitha çfarë duhej të bëhej është që debati të zhvillohej pa ndërhyrjen e menaxhmentit të televizionit, përndryshe në këtë mënyrë dëmtohet ose kompromentohet pavarësia redaktuese”, thotë zv­/kryetari i Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele, Selver Ajdini, duke shtuar se vendimet e tilla që japin mesazhin se në emër të lirisë së shprehjes mund të shkelin integritetin dhe dinjitetin njerëzor janë të papranueshme. “Unë jam për promovimin dhe mbrojtjen e standardeve profesionale dhe gazetareske, si dhe lirinë e shprehjes. Por vendime të tilla që japin mesazhin se në emër të medias së lirë dhe lirisë së shprehjes mund të shkelin integritetin dhe dinjitetin njerëzor, për mua janë të papranueshme”.

Ndërsa për drejtorin e Institutit për Media dhe Analitikë (IMA), Petrit Saracini, vendimi për t’i dhënë fund një emisioni televiziv apo debati televiziv mund të merret nga gazetari, redaktori apo kryeredaktori, e jo siç thotë ai, nga drejtori apo menaxhmenti i televizionit, sidomos duke bërë një telefonatë të drejtpërdrejtë dhe duke i kërkuar të ftuarit të largohet nga emisioni.

Petrit Saracini – Institutit për Media dhe Analitikë (IMA).

Përveç interpretimit si censurë dhe shkelje e lirisë së fjalës, ajo që pamë sot në Kanal 5 mund të konsiderohet edhe si shkelje e drejtpërdrejtë e autonomisë editoriale nga ana e menaxhmentit. Kështu shikohen këto gjëra në vendet demokratike. Se si do të reagojnë organet gazetareske profesionale dhe etike ndaj këtij incidenti, do ta shohim këto ditë. Ato reagime do të jenë një pasqyrë në të cilën do të pasqyrohet kapaciteti i profesionistit gazetaresk për të mbrojtur pavarësinë dhe dinjitetin e profesionit”, ka shkruar Saracini.

Drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë, Biljana Georgievska

Kurse Biljana Georgievska, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës në Mediat e Maqedonisë, në një reagim në profilin e saj në FB, thotë se “shumë herë nuk më kanë pëlqyer deklaratat e të ftuarve në debatet televizive që kam drejtuar, e ndoshta as atyre nuk u kanë pëlqyer pyetjet e mia. Shumë herë toni është ngritur mes të gjithëve në studio, për lloj-lloj temash, por asnjëherë deri më tani drejtori i televizionit nuk ka nxituar për të dhënë drejtësi dhe për të përzënë të ftuarit! Ai kurrë nuk kërcënoi publikisht se do të ankohet në ambasadat e huaja. Ngjitja në karrigen e drejtorit dhe “kapja” me paratë publike çon padyshim në censurë dhe rrezikim të lirisë së fjalës”.

Ndryshe, dje, drejtori i televizionit nacional Kanal5, Ivan Mirçevski, është lajmëruar në mes të emisionit “Samo Vistina, (Vetëm e vëreteta)”, për të përjashtuar nga emisioni analistin dhe ish-deputetin, Ismet Ramadani. Shkak për këtë ka qenë vërejtja e Ramadanit për moderatorin e emisionit se po përdor gjuhë implicite kundër shqiptarëve.

Në emër të të gjithë televizionit Kanal 5, drejtori i televizionit, Ivan Mirçevski, mori pjesë në programin “Samo vistina”, në të cilin ish-deputeti Ismet Ramadani na akuzoi se në program ka pasur diskriminim etnik ndaj shqiptarëve, diçka që nuk ka në Kanalin 5. Mircevski i tha Ramadanit se është krejtësisht e papranueshme që edhe të mendohet një gjë e tillë, sepse televizioni është i hapur për të gjitha nacionalitetet, se shqiptarët nuk janë diskredituar në asnjë mënyrë, aq më pak se ka pasur ndonjë diskriminim”, thuhet në njoftimin e televizionit.

Bazuar në kodin etikë të gazetarisë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në nenin e 15 thotë se gazetari patjetër duhet ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Sipas SHGM-së, komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit. Kurse gjuha e urrejtjes nga ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2024, llogaritet si vepër penale.

 

Të fundit