E shtunë, 23 Shtator, 2023

A PO PËRGJOHET OPOZITA NË MAQEDONINË E VERIUT?

VMRO-DPMNE u ankua sot se nuk mori një garanci të qartë nga shërbimet e sigurisë se programet e avancuara të monitorimit të komunikimeve nuk përdoren në Maqedoninë e Veriut. Kjo, sipas opozitës, ka rezultuar nga seanca e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së Institucioneve të Inteligjencës dhe Kundërzbulimit, i cili shqyrtoi raportet e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Agjencisë së Inteligjencës dhe Inteligjencës Ushtarake, përcjell KDP.

Në korrik, komisioni parlamentar i ngarkoi këto katër organizata të sigurisë të përgatisin dokumente në të cilat do të shpjegojnë nëse sistemet e sofistikuara Pegasus dhe Predator prodhohen, përdoren apo po keqpërdoren në vend.

Në një seancë me dyer të mbyllura anëtarët e komisionit kanë marrë raportet, të cilat janë cilësuar si rreptësisht konfidenciale, ndaj asnjëri prej tyre nuk mund të flasë publikisht për përmbajtjen e tyre.

“Nuk kemi marrë një mohim të besueshëm se në Maqedoni nuk bëhet monitorim me softuer të avancuar dhe keqdashës që fjalë për fjalë hyn në shtëpinë tonë. Tek ne, si partia më e madhe politike në vend, ekziston dyshimi i rëndë se jemi nën vëzhgim të vazhdueshëm fizik si politikanë të opozitës, gjë që me shumë mundësi bëhet në mënyrë të paligjshme nga struktura të caktuara të sigurisë. Në Maqedoni është prodhuar softuer i tillë keqdashës – është kompania “Sytrox” e cila tashmë është në listën e zezë amerikane për shkak të kësaj pune”, tha anëtari i Komisionit nga VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikolovski.

Në korrik, Byroja e Industrisë dhe Sigurisë e Departamentit të Tregtisë së SHBA-së e futi Siterox në listën e zezë së bashku me tre kompani të tjera nga Greqia, Hungaria dhe Irlanda për “përpjekje për të fituar akses në sistemet e informacionit në mënyrë që të komprometohej privatësia dhe siguria e individëve dhe organizatave përreth”, njoftoi Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase.

“Menjëherë pas këtij vendimi të administratës amerikane, Kuvendi ka kërkuar edhe informata shtesë nga institucionet kompetente dhe shërbimet e sigurisë për punën dhe produktet e Cytrox. Deri vitin e kaluar, kjo kompani drejtohej nga Ivo Malinkovski, familja e të cilit ka një biznes me shitje të armëve dhe pajisjeve ushtarake. “Sytrox” tashmë është pjesë e një grupi që është i angazhuar në zhvillimin e të ashtuquajturve spyware dhe sipas informacioneve të fundit, menaxhohet nga shtetas izraelitë.

Paralelisht me hetimin parlamentar nëse në Maqedoninë e Veriut ka dhe po përdoret “spyware” i fuqishëm, Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se javën e kaluar tre diplomatë rusë janë shpallur persona non grata për “marrje të aktiviteteve që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”. Informacionet jozyrtare janë se “veprimtaria” e këtyre diplomatëve ka qenë në sferën e spiunazhit.

Të fundit