E diel, 23 Mars, 2025

A PO I SERVIRET MICKOSKIT PJATA “MERRE OSE LEJE”?

A është Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Gabriel Escobar, çelësi i kalimit të ngërçit të ndryshimeve kushtetuese? Gjatë qëndrimit dyditor në Shkup, “buldozeri” i diplomacisë amerikane do të takohet me presidentin, Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrin e jashtëm Bujar Osmani, liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe shefin e opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, përcjell KDP.

Departamenti i Shtetit thekson se ai shpreson për diskutime produktive që do të përshpejtojnë integrimin e vendit në BE.

“Escobar po udhëton në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar çështje dypalëshe dhe rajonale dhe për të vazhduar të forcojë partneritetin tonë me një aleat të vlerësuar të NATO-s. Ai shpreson në diskutime produktive dhe të përbashkëta me krerët e qeverisë gjatë vizitës së tij, veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Escobar vjen menjëherë pas vizitës së tij në Bruksel, ku ai dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajcak, diskutuan krijimin e një klime për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Vizita në Shkup vjen një javë pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për Propozimin për aderim në amendamentet kushtetuese, me të cilat bullgarët duhet të përfshihen edhe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Ky është kushti pa përmbushjen e të cilit vendi nuk mund të mbajë Konferencën e Dytë Ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me BE-në, të cilat zyrtarisht i nisi vitin e kaluar me fillimin e procesit të screeningut.

Mediat e afërta me VMRO-DPMNE presin që Escobar të bëjë ofertën në stilin “merre ose leje”. Gazeta citon Mickovskin nga një tubim në Kërçovë, teksa flet për intensitetin e presioneve ndërkombëtare. “Sot, derisa unë po flas, ne jemi para një sfide historike epokale. Sot, Evropa dhe Bota, bëjnë strategji se si ta shkallmojnë VMRO-DPMNE-në dhe 44 deputetët e saj që të votojnë ndryshime kushtetuese tradhëtuese në Parlament, sipas diktatit bullgar”, përcjell Veçer deklaratën e Mickovskit.

Në Bullgari pritshmëritë për procesin e ndryshimeve kushtetuese aktualisht janë të ulëta për shkak të mungesës së mbështetjes nga VMRO-DPMNE, por vlerësimi i përgjithshëm është se Sofja nuk është në fokus për një kohë të gjatë sepse tani gjithçka varet vetëm nga vendimet në Shkup.

“Tashmë nuk do të mund të votohet për amendamentet kushtetuese në RSM”. VMRO-DPMNE dëshiron që së pari të shkojë në zgjedhje dhe parlamenti i ri në Maqedoninë e Veriut ta marrë apo jo një vendim të tillë”, tha për BNR ish-zëvendësministri bullgar i Punëve të Jashtme, Milen Keremçiev, përcjell DW në maqedonisht.

Sipas vlerësimit të tij, RMV është në rrugë pa krye. “Zgjidhje nuk mund të ketë, sepse VMRO-DPMNE nuk mund të marrë shumicën 2/3 në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që ta ndryshojnë tërësisht politikën e jashtme të shtetit. Tani për tani gjithçka është në duart e fqinjëve tanë perëndimorë. Tani e tutje ata duhet të marrin një vendim. Bullgaria duhet të vëzhgojë me shumë qetësi situatën në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha aktet e dhunës, agresionit, gjuhës së urrejtjes duhet të raportohen menjëherë në KE, sepse është shumë e rëndësishme të mbështetet qëndrimi bullgar – se me një lloj fjalimi të tillë, një vend kandidat nuk mund t’i plotësojë kriteret për anëtarësim. Nga këtu e tutje presioni duhet të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut dhe të qëndrojë atje”.

Sipas Keremçievit, nuk ka presion nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut. “Bullgaria nuk shihet më si një vend që e pengon Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat e anëtarësimit, por vetë vendi po ‘qëllon veten në këmbë’. Bullgaria nuk është fytyra negative e kësaj drame ballkanike. Përkundrazi, ne kemi treguar se jemi të gatshëm të bëjmë lëshime. Nga ana tjetër, ka vija të kuqe që nuk do t’i kalojmë. Por doli që ato vija të kuqe në fakt janë parime evropiane dhe RMV duhet t’u përgjigjet atyre parimeve evropiane”, thotë Keremitçiev.

Të fundit