E martë, 29 Prill, 2025

SERBIA NDALON HYRJEN E ISH-ZËVENDËSKRYEMINISTRES MALAZEZE

Autoritetet serbe ia kanë ndaluar të mërkurën hyrjen në Serbi ish-ministres malazeze të integrimeve evropiane, Jovana Maroviq. Ndërkohë që Beogradi nuk ka dhënë ndonjë shpjegim zyrtar për këtë, qarqe intelektuale në Podgoricë kanë thënë se reagimi i atoriteteve malazeze ishte tepër i ngathët.

“Më refuzuan hyrjen në Serbi për shkak të mbrojtjes së sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Faleminderit Aleksandër Vuçiq që më bëre heroinë”,- ka shkruar Jovana Maroviq në rrjetet sociale.

Pas ndalesës disaorëshe në aeroportin e Beogradit ajo është kthyer mbrapsht në Podgoricë

Një ditë më pas, Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka kërkuar sqarim zyrtar nga pala serbe.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë arsyetimin e këtij vendimi, duke shprehur bindjen  se kjo praktikë nuk do të vazhdojë, sepse cënon vlerat demokratike dhe vështirëson zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat janë parakushtet kryesore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane, si prioritet kyç i politikës së jashtme të të dyja shteteve,” – citon kdp.mk njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Pedagogu universitar, Zlatko Vujoviq, ka thënë për seksionin serb të Zërit të Amerikës se ndalimi i hyrjes së ish zyrtares së lartë malazeze në Serbi “nuk është diçka që befason, për shkak se, sikurse ka thënë ai, është “fushatë e frikësimit të atyre të cilët janë kritikues të politikës së Aleksandar Vuçiqit (presidentit të Serbisë)në Mal të Zi,”është shprehur Vujoviq duke vlerësuar se “frikësimi i jobashkëmendimtarëve dhe destabilizimi i rajonit është bërë politikë zyrtare e Serbisë”.

Kashkëkryetari për Malin e Zi i Iniciativës së Igmanit Branislav Raduloviq ka nënvizuar, pa fshehur dozën e ironisë, se ndalesa e hyrjes është “kurorë e Ballkanit të Hapur”:

“Ndalimi i djeshëm i hyrjes në Republikën e Serbisë dhe mbajtja në aeroportin e Beogradit e Jovana Maroviqit, aktiviste e shquar e sektorit civil, doktore e shkencave politike (doktoroi në Universitetin e Beogradit), ish-nënkryetare e Qeverisë dhe ministre e Integrimeve Evropiane, ashiqare është kurorë e “Ballkanit të Hapur” dhe e shtrirjes së kësaj nisme,” – ka thënë Raduloviq.

Serbia zyrtare nuk ka bërë deri të enjten ndonjë proncim, por Srgjan Cvijiq nga Qendra për Politikë të Sigurisë me bazë në Beograd, ka lënë të kuptohet se arsye për ndalimin e hyrjes mund të jetë fakti se Jovana Maroviq  kishte marrë pjesë në protestat antiqeveritare në Serbi, në fillim të muajit maj, pas vrasjeve masive atje, si dhe rezultat i akuzave nga media proqeveritare se Jovana Maroviq është “e përkëdhelura e Albin Kurtit që nga Podgorica përmbys qeverinë në Beograd”.

Të fundit