Procedura për ndryshimin e Kushtetutës kalon në tri faza. Në fazën e parë, Parlamenti me dy të tretat e votave merr vendim për qasjen apo nevojën e ndryshimit të Kushtetutës. Në fazën e dytë bëhet përcaktimi i projekt-amendamenteve dhe për këtë mjafton shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve ose 61 vota. Faza e tretë përfundimtare është miratimi i amendamenteve dhe për këtë sërish nevojitet një shumicë prej dy të tretash ose të paktën 80 vota, njofton KDP.
Propozim për nisjen e ndryshimit të Kushtetutës mund të paraqesin: Presidenti i Republikës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, së paku 30 deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe 150.000 qytetarë.
Pas paraqitjes së propozimit, është e nevojshme të merret “Vendimi për aderim (nisjen) në ndryshimin e Kushtetutës”. Vendimi merret nga Parlamenti me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me të paktën 80 vota. Duke qenë se bëhet fjalë për ndryshimin e Preambulës, është e nevojshme që të ketë edhe shumicën e Badenterit, gjegjësisht të paktën 21 nga 40 deputetë që nuk janë pjesëtarë të komunitetit shumicë maqedonas.
Nëse vendimi për aderim në amendamentet e Kushtetutës miratohet nga Parlamenti, iniciativa i kthehet Qeverisë, e cila duhet të përgatisë tekstin e projekt-amendamenteve të Kushtetutës me shpjegim. Teksti i përgatitur në këtë mënyrë i dërgohet Kryetarit të Parlamentit, i cili ia përcjell atë deputetëve dhe kreut të shtetit jo më vonë se 30 ditë para mbajtjes së seancës së Parlamentit, në rendin e ditës së së cilës do të gjendet nisma.
Parlamenti, me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, përcakton draftin e ndryshimit të Kushtetutës. Pas kësaj, vijon seanca dëgjimore, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.
Më pas, Qeveria dorëzon propozim-amandamentet në Kuvend, të cilat duhet të pranohen nga Komisioni për Çështje Kushtetuese, i cili më pas dorëzon raport me propozim të ndryshuar në tekstin e seancës parlamentare. Çdo deputet mund të paraqesë një ndryshim në tekst. Teksti i amendamenteve të propozuara miratohet me 61 vota. Vendimi përfundimtar për ndryshimin e aktit më të lartë juridik – Kushtetutës, merret me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me të paktën 80 vota.