E diel, 23 Mars, 2025

DY DEPUTETËT E MAZHORANCËS QË NUK VOTUAN RENDIN E DITËS PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Dy deputetë të mazhorancës nuk shtypën butonin e votimit për rendin e ditës të seancës të premten, me një pikë të vetme – diskutim dhe votim për nevojën e hapjes së Kushtetutës, përcjell  KDP.

Njërit prej tyre, Ilija Nikollovskit nga Partia e Pensionistëve, i është ngatërruar butoni i votimit, ndërsa Dime Velkovski nga LSDM nuk është paraqitur fare në këtë seancë të rëndësishme për partinë e tij.

Ilija Nikolovski, kryetar i partisë së pensionistëve, kishte problem teknik me shtypjen e butonit të sistemit të votimit, kështu që rendi i ditës u votua me 70 vota.

“Deputeti Velkovski nuk ishte prezent, dhe mungesa e tij ishte paralajmëruar, që nuk do të thotë se nuk do të jetë i pranishëm në seancat e ardhshme”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur se pse vetëm 70 deputetë votuan për rendin e ditës.

Por, kryeministri nuk përmendi se Dime Velkovski është i vetmi deputet nga LSDM-ja në pushtet që nuk ka votuar për konkluzionet e Propozimit Francez në korrik të vitit 2022. Qeveria e pranoi këtë propozim, duke rënë dakord për të bërë ndryshime kushtetuese që do të përfshinin bullgarët si popull në aktin më të lartë shtetëror.

Portali “A1on” jozyrtarisht mëson se Dime Velkovski në radhët e LSDM-së konsiderohet si një nga patriotët më të mëdhenj dhe nuk pajtohet me asnjë vendim të marrë në marrëdhëniet me Bullgarinë, veçanërisht jo me protokollin dypalësh që Bujar Osmani nënshkroi me Sofjen dhe u bë pjesë e kornizën e negociatave me BE-në.

Dime Velkovski ka lindur në vitin 1973 në Vatashë të Kavadarit dhe jeton në Shkup. Velkovski është diplomuar për agro-ekonomi në Fakultetin e Bujqësisë në UKIM në Shkup. Karrierën politike e ka filluar në Ndërmarrjen Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, ku ka qenë drejtor teknik në periudhën 2006-2009, ndërsa vitin paraprak drejtor i përgjithshëm. Velkovski ka mbajtur disa poste të larta në LSDM, duke përfshirë edhe atë të kryetarit të Kuvendit Qendror të partisë.

Kurse vëllai i tij u akuzua nga VMRO-DPMNE opozitare se për shkak të Velkovskit ka marrë dy projekte nga Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane: 125.000 euro për programin “Zgjidh djathin” dhe 83.000 euro nga programi “Erasmus+” për trajnimin e gomarëve.

Të fundit