Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën, më dy gusht, ka pritur homologun e tij maqedonas, Stevo Pendarovski, në një takim të veçantë, gjegjësishtë në ditën kur Maqedonia e Veriut festoi Ilindenin – Ditën e Republikës, dhe seancën e parë të ASNOM-it (Kuvendi Antifashist i Çlirimit Popullor të Maqedonisë.) Takimi u zhvillua në manastirin Prohor Pçinski, i cili tash i takon Serbisë. Kjo vizitë e rrallë erdhi pas një periudhe të gjatë tensionesh dhe pengesash në marrëdhëniet midis dy vendeve që kishte krijuar kisha Ortodokse Serbe (KOS)
Për analistët politik, takimi në fjalë, ka përforcuar qasjen e përceptimit se Serbia është miku më i madh i maqedonasve, ndërsa Bullgaria kërcënimi më i madh. Ata thonë se Beogradi kurrë nuk e ka humbur kontrollin mbi Shkupin, për shkak të instalimit të strukturave pro-serbe në çdo nivel të pushtetit të RMV-së.
Shkruan: Enis Shaqiri
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën, më dy gusht, ka pritur homologun e tij maqedonas, Stevo Pendarovski, në manastirin Prohor Pçinski, aty ku u hodhën edhe themelet e shtetit të Maqedonisë më 2 gusht të vitit 1944 dhe u kodifikua gjuha maqedonase.
Pavarësisht kontekstit të mëparshëm që kisha Ortodokse Serbe (KOS) i`a kishte ndaluar Shkupit zyrtar të organizojë shënimin e shtetësisë në manastirin e përmendur, Vuçiq tha se është kënaqur kur ka parë njerëz që flasin maqedonisht, duke shtuar se dy vendet janë miqësore me marrëdhënie vëllazërore dhe dëshmi për këtë është shkëmbimi tregtar prej 1.5 miliardë në vit.
“A duhet të them maqedono-veriorët?”
–Unë nuk e kam problem me këtë, shoh se si Stevo i zgjedh fjalët e tij si një president modern europian, kështu që të gjitha janë të paketuara mirë, duke pasur kujdes nëse e thotë këtë apo atë fjalë. Unë jam për këtë hapësirë ballkanike. Dhe unë vërtet mendoj kështu. Dhe nuk do të merrem me gjëra të vogla, siç bën ai”, tha Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq gjithashtu u mburr se kishte mësuar edhe gjuhën maqedonase.
“Ta gëzoni Ilindenin përjetë, vatër e atdheut dhe uroj gëzuar festën dhe të ndiheni gjithmonë të mirëpritur dhe vërtet kështu është kudo në territorin e Serbisë.”- tha Aleksandar Vuçiq, President I Serbisë.
Ndërsa Pendarovski theksoi se fakti që manastiri tani gjendet në territorin e huaj nuk do të thotë që maqedonasit të mos vijnë dhe të festojnë festën më të madhe kombëtare dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë ata që e bënë atë akt shtetformues.
“Kur je i mirëpritur në territorin e një vendi tjetër nga presidenti i atij vendi, për një akt që ka rëndësinë më të madhe për ty, për popullin tënd dhe për vendin tënd, asgjë tjetër veçse një falënderim i madh për Presidentin Vuçiq. Vitin e kaluar thashë se më vjen mirë që kjo vërtetohet dhe shpresoj që derisa jemi gjallë, ndër shekuj siç themi ne, do të mbetet kështu dhe kjo do të jetë një traditë e mirë që nuk do të ndërpritet nga politika, kisha apo ndonjë arsye tjetër”, deklaroi Stevo Pendarovski, president RMV.
_______________________________________________________________ MIKPRITJA E VUÇIQIT
Pas takimit në Prokhor Pçinjski, presidenti i Serbisë së bashku me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, janë nisur për në Vranjë, ka raportuar B92.
“Me Stevo Pendarovskin rrugës për në Vranjë, ku do ta presim siç i ka hije – specialitete serbe dhe verërat tona më të mira të shteteve dhe popujve tanë simotra”. Rroftë miqësia e Republikës së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut”, është bërë e ditur në profilin e buducnostsrbijeav në Instagram.
Ndryshe manastiri Prohor Pçinski ka një rëndësi të madhe historike për Maqedoninë e Veriut, sepse aty është mbajtur seanca e parë e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Popullor të Maqedonisë, që konsiderohet si fillimi i shtetësisë.
Kujtojmë se që nga viti 2004 kisha Ortodokse Serbe (KOS) i`a kishte ndaluar Shkupit zyrtar të organizojë shënimin e shtetësisë në manastirin e përmendur, pasiqë me ravijëzimin e kufijve të republikave jugosllave manastiri Prohor Pçinjski i takoi Serbisë, edhe pse ndodhet shumë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, duke i pamundësuar kështu delegacioneve politiko-kishtare maqedonase të vizitojnë vendin nga ku lindi Republika.
Ky vendim i KOS-it ka pasur edhe mbështetjen e politikës në Beograd, të cilët kërkonin që të ruajnë ndikimin e tyre në RMV nëpërmjet mospranimit të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) dhe formimin e një institucioni të ri kishtar, paralel me KOM-in. Kontesti kishtar Shkup-Beograd kishte luhatur shumë marrëdhëniet ndërmjet popujve, pasi mospranimi i KOM-it implikonte mospranimin e identitetit etnik maqedonas.
Por siç duket kthesa e madhe ndodhi në vitin 2020, kur Bullgaria vendosi veto ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Ashpërsimi i qasjes së Shkupit dhe Sofjes, siç duke ka ndikuar në zbutjen e marrëdhënieve të Serbisë ndaj Maqedonisë së Veriut.
PANÇEV: NDIKIMI SERB NË RMV, I INSTALUAR NË ÇDO NIVEL TË SHTETIT
Profesori dhe analisti nga Sofja, Anton Pançev, është i mendimit se Beogradi kurrë nuk e ka humbur kontrollin mbi Shkupin për shkak se siç thotë ai, të instalimit të strukturave proserbe në çdo nivel të pushtetit të RMV-së. Pançev duke folur për portalin KDP.MK shprehet se Serbia gjithmonë ka pasur një qasje armiqësore ndaj Bullgarisë.
“Beogradi kurrë nuk e ka humbur kontrollin mbi Shkupin për shkak të instalimit të strukturave proserbe në çdo nivel të pushtetit në këtë shtet, por edhe vazhdon të ndërtojë politikën e tij mbi këto premisa ideologjike. Pra, Serbia ka një qasje tepër armiqësore ndaj Bullgarisë dhe fjalë të kota nga ana e liderëve serbë nuk mund ta ndryshojnë situatën reale, që karakterizohet me urrejtje të shfrenuar kundër bullgarëve”, thekson Pançev.
Ai shton se kur Vuçiqi thoshte fjalë të ngrohta për maqedonasit, Ivica Daçiq, “zyrtar i lartë Millosheviqit- Vuçiqit”, dilte me mllef kundër bullgarëve.
“Kur Vuçiqi thoshte fjalë të ngrohta për maqedonasit, Ivica Daçiq përsëri doli me mllef kundër bullgarëve. Ky zyrtar i Millosheviqit – Vuçiqit kërkoi para disa ditësh “njohjen e pakicës serbe në Bullgari”, që, së pari, është falsifikim brutal, sepse komunitet serb në Bullgari (pavarësisht migrantëve ekonomikë) nuk ka dhe nuk ka pasur, së dyti, sulmoi modelin kushtetues të Bullgarisë. Pastaj, Daçiqi lidhi të drejtat e pakicës bullgare në Serbi, që është një komunitet i njohur edhe me traktate ndërkombëtare, edhe nga ligjet relevante të Serbisë, me “pakicën serbe” (krejtësisht të shpikur) në Bullgari. Ai kritikoi edhe autoritetet bullgare për përpjekjet e tyre të mbrojnë të drejtat e bullgarëve në Serbi në BE dhe në organizata të tjera evropiane”, thekson Pançev.
Për këto ndodhi, analisit, fajin e adreson tek institucionet dhe politikat bullgare, pasiqë siç thotë, nuk e mbrojnë në mënyrën e duhur komunitetin bullgar në Serbi, i cili asimilohet nga Beogradi përmes mekanizmave të njëtë që përdoren edhe kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Institucionet dhe politikanët bullgarë kanë faj të madh, sepse nuk e mbrojnë në mënyrën e duhur komunitetin bullgar në Serbi, i cili asimilohet nga Beogradi përmes mekanizmave të njëtë që përdoren edhe kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Bullgaria ka shumë instrumente në dispozicion që të ndikojë mbi Beograd edhe në nivel të BE-së, edhe në marrëdhëniet dypalëshe, p.sh. në fushën e enregjisë, por në Sofjen zyrtare duhet të veprojnë me vullnet dhe me strategji të qartë kundër politikës agresive serbe në rajonin e Ballkanit dhe t’i harrojnë përrallat për “vëllazërim – bashkimin”.
NEZIRI: BULLGARIA BËRI GABIM STRATEGJIK, KËTË E SHFRYTËZON SERBIA
Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, nga Instituti BIRC, në një kolumnë për KDP.MK shkruan se duke e pritur si më mirë Pendarovskin, Vuçiq përforcoi perceptimin e shumicës së maqedonasve etnik se “Serbia është miku më i madh, kurse Bullgaria kërcënimi më i madh” për to. Ai shton se kjo qasje strategjike e Beogradit duket se i jep rezultatet e pritura, dhe se këtë sipas tij e tregojnë edhe anketat e opinionit publik.
“Në një anketë të realizuar nga think-tank-u “Eurothink” me qendër në Shkup shihet se 70.7% e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së opozitare e Hristijan Mickovskit mendojnë se Bullgaria është kërcënimi më i madh për Maqedoninë e Veriut. Te LSDM-ja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski kjo përqindje është edhe më e lartë, pra 80.9%, edhe pse kjo parti është promotorë e ndryshimeve kushtetuese me qëllim të përfshirjes së bullgarëve etnikë në Kushtetutë. Si kërcënim Bullgarinë e shohin edhe votuesit e BDI-së së Ali Ahmetit (58.7%), të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit (68.2%), të BESA-s së Bilall Kasamit (61.4%), kurse në përqindje më të vogël shfaqen mbështetësit e PDSH-së së Menduh Thaçit (24%). Në përgjithësi, Bullgarinë si kërcënim e shohin 71.5 për qind të maqedonasve dhe 55.6 për qind të shqiptarëve etnik. Se kush është vendi më mik i Maqedonisë së Veriut në vend të parë, siç mund edhe të pritet, në anketat e fundit rezulton Serbia. Këtë mendim e kanë 58.2 për qind e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së, 41.9 për qind të LSDM-së, 48.9 për qind të Levica-s së Dimitar Apasievit. Si më miqësore te mbështetësit e partive shqiptare shihen NATO, BE, SHBA, Kosova dhe Turqia”, shkruan Neziri, duke shtuar se “ndryshimi i kursit të Sofjes ndaj Shkupit në vitin 2020, kur Bullgaria nga një mbështetës i fuqishëm në procesin e integrimit euroatlantik u shndërrua në bllokues të palëkundur, ishte një lëvizje e gabuar strategjike që rëndë mund të përmirësohet.”