Hans Belting, në librin e tij “Fundi i historisë së artit”, thotë: “Aty ku nuk ekzistojnë specialistët, nuk ekzistojnë edhe laikët”. Belting, gjithashtu thekson se “nuk mund të jepen parashikime jashtë sistemit”. Për momentin, ky sistem duket i ngurtë, me plot ngërçe të brendshme nga të cilat duhet të çlirohemi. “ Të gjitha rregullat dhe të gjitha strukturat janë konstruksione të njëtrajtshme, nga të cilat vetëm me vuajtje mund të çlirohemi”, thotë Belting. Gëte thotë :” Shpirti ynë është plot nostalgji për diçka më të lartë dhe më të ndritur”. Në kohë kur kërkojmë të hedhim dritë në gërmadhat e shpirtit tonë, duket e domosdoshme që të asimilojmë brenda qenies ato korpuse gjigante dijesh dhe veprash, të cilat zbërthejnë deri në fund pështjellimin tonë.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Në “xhunglën” e hierarkive të rrënuara, të veshura vite me radhë me rrobat e dëgjueshmërisë ideologjike, prajnë nismat e reja kulturore, të cilat verbërisht kërkojnë të gjejnë një shteg afirmimi, një shteg që do të gjente hapësirën e nevojshme publike për të dhënë sinjalet e akumulimit përmbajtësor. Hapja ndaj sensibiliteteve të reja kulturore dhe krijuese, siç duket, ka krijuar masën kritike të potencës krijuese, e cila me ngulm kërkon të gjejë shprehimësinë e vet në hapësirën boshe të receptimit. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë po krijohet një vetëdije e re mbi sensibilitetet dhe praktikat moderne të organizimit kulturor që po e fryn pandalshëm “tullumbacen” irituese të shikimeve dhe të praktikave tautologjike.
Horizonti i receptimeve moderne po flak tej diskursin e njëtrajtshëm mbi nocionin kulturë, përmes të cilit vite me radhë është stimuluar moslëvizja. Parmenda e receptimeve moderne ngeshëm dhe me gërhama të dhimbshme mëton të lëvrojë në “tokën e shkretë”, në të cilën kërkon të mbjellë farën e eksplorimeve të reja kulturore dhe të procedimeve krijuese. Tashmë janë tejkaluar sinorët e entuziazmit, të amatorizmit dhe të gjedhave “pionere” që pretendonin të disperzojnë kulturën dhe krijimtarinë në një shkallë të gjerë të pagëzuar si “ masë popullore”. Ky kapërcim ka ndryshuar qasjet dhe interpretimet dhe njëherësh ka ndryshuar edhe përmbajtjet dhe format e organizimit , të cilat sipërfaqësisht kanë luajtur me nivelin profan të publikut.
Duket se prirjet e reja kulturore dhe krijimtare kanë zhvendosur suazën konceptuale dhe kërkuese nga këneta ideologjike, nga inercioni i së kaluarës në hapësirën dinamike të trendeve moderne. Trashëgimia kulturore dhe krijuese ka filluar të shpërfaqet hovshëm në ambientin e tanishëm kulturor, duke krijuar në këtë mënyrë sistemin e munguar të referencave dhe të sinjalrve, pa të cilin nuk mund të mendohet aspirata kulturore tashi e tutje. Kjo suazë e korrigjuar konceptuale pretendon që të sjellë një hapësirë të re kuptimi, në të cilën çdo sensibilitet krijues do të gjente shansin e vet për t’u realizuar. Nga mediume të caktuara kulturore dhe letrare në të gjitha areat shqiptare me ngulm kërkohet që të kultivohet sensi i pluralitetit dhe i diversitetit kulturor dhe letrar si një vetëdije e re brenda shtresëzimeve identitare.
Kjo hapje konceptuale kërkon të zgjerojë kufijtë e praktikave kulturore dhe letrare. Kjo aspiratë e fisme lëviz në dy drejtime. Në njërën anë kemi një hapje sublime ndaj traditës letrare, dhe në anën tjetër kemi një absorbim të letërsisë së përbotshme. Këto dy akse praktikash dhe referencash kanë krijuar një sinergji të frytshme përmes së cilës po mbruhet kreativiteti i shumë individualiteteve krijuese. Dhe, në këtë pikëkthesë përplasen ornamentet e dikurshme letrare që kërkojnë të metamorfizohen dhe sensibilitetet e reja krijuese të cilat kërkojnë ta konsolidojnë zërin e tyre.
Ky pështjellim herë-herë grotesk na vendos përpara domosdoshmërisë që kulturën ta kuptojmë si sistem sinjalesh, si pritshmëri që është në korelacion me horizontin e vlimeve aktuale krijuese, duke mos përjashtuar këtu edhe sinjalet e traditës. Vetëm në këtë mënyrë ne do të preknim thellësisht në substancën e akumuluar, e cila kërkon që të formësohet në shprehimësi të re. Njëherazi, pa shumë bujë mund të vendoset një raport mes këtyre sinjaleve dhe një publiku më të gjerë.
Sistemet e sinjaleve përmes të cilave njihet arti kanë një sociologji tepër komplekse. Ekzistojnë sisteme të integruara, të cilat tashmë janë shndërruar plotësisht në institucione: teatri, galeritë e artit, sallat koncertale. Mirëpo ekzistojnë edhe sinjale alternative të cilat duhet t’i kemi parasysh. Këto janë sinjale të brendshme, të cilat strukturohen në mediume të veçanta jokonvencionale. Revistat letrare janë mediume të veçanta, në të cilat duhet të gjejnë afirmim shumëllojshmëritë artistike.
RECEPTIMET TAUTOLOGJIKE
Mbi gërmadhën groteske të paradokseve përgjojmë gërhamën e rëndë të pështjellimeve historike. Vetëm një hap na ndan nga ai mal keqkuptimesh që gjatë kohë ka drobitur qenien tonë në mirazhe stereotipesh. Të lodhura duken ditët, të lodhura duken fantazitë. Sheshi i lirisë krijuese, i zhvendosjes nga ai det i trazuar vullnetesh dhe pasionesh duket i zbehtë në atë përthyerje kohërash dhe përjetimesh.
Në prirjen për të shkatërruar botën intelektuale të çdo diskutimi, gjëmojnë pandarë mishmashet e mendimeve të paartikuluara. Hans Belting, në librin e tij “Fundi i historisë së artit”, thotë: “Atje ku nuk ekzistojnë specialistët, nuk ekzistojnë edhe laikët”. Zotynë, mos lejo që të tallim veten me mashtrime. Të gjithë janë këtu, të shëndetshëm, të krekosur për të parathënë fatin tonë që pështillet në ligjërime zgafellash injorante. Vetëm ata që udhëtojnë errësirës mungojnë. E thotë edhe “Këngëtori i dashuruar”, Sef Serembe, se “ata që sillen errësirës gjithë ditën e ditës dhe gjithë natën e natës, në orën e duhur dhe në vendin e duhur nuk janë këtu”.
Në orën e duhur dhe në vendin e duhur , ngamot mungon ai zë që zotëron afirmimin e qenies sonë. Mungon ai zë që ka të sublimuar brenda vetes tërë hirin e dëshirave të djegura dhe të ëndrrave të përflakura. Dhe ,padashur, në rend të parë, në atë horizont dukjesh verbuese shkëlqejnë zbukurimet dhe makiazhi i hedhur pa përtesë. Sërishmi rrëfehen të njëjtat përralla të dëgjuara në një natë dimri të acartë. Përralla që shtrembërohen dhe bastardohen, varësisht se cili “bard” ka marrë për detyrë ta shpërndajë magjinë e tyre mbi sytë e pulitur të njerëzisë.
Në një rresht të tmerrshëm gatitu rrinë sensibilitetet e shumta. Çdo përpjekje për të braktisur këtë rresht të bezdisshëm grith shenjën e Kainit.
Në këtë përplasje “armiqësore” fobish, në këtë rreth magjik idesh të gatshme, të cilat e neverisnin Gustav Floberin, vazhdon gara e besimeve të verbëra dhe e konsekuencave të shpikura. Secili nga ne shtyhet me bërryla për të dëftyer “ devotshmërinë” e vet ndaj lajthitjeve të panumërta, të cilat mbahen për sistem vlerash, për horizont mbrothësie dhe për dinjitet njerëzor. Këtë situatë, këtë ngarendje për dukë, mirë e sqaron Faik Konica, kur flet për “Levantinët”. Ai mes tjerash thotë: “Guximi dhe paturpësia zunë vendin e diturisë, serviliteti i tyre në të zotërit e ditës zunë vendin e shërbimeve të kombit”. Mendja e kthjellët e Konicës arrin të deshifrojë ngultas këtë “bindshmëri” të ngurtshme që shndërrohet në paralizë mendimesh dhe sensibilitetesh. “ Të bindurit posi dru, s’bën dobi fare. Vetëm të bindurit me kuptim, me shpirt e me zemër, shpëton një vend, lartëson një regjim dhe një komb”, shkruan Konica.
Dhe, gjersa “të tallurat e fatit”, krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë “racë tutkalli”, receptimet tautologjike bëhen mburojë prej ari në këtë karneval Levantinësh. Kompleksi i inferioritetit edhe njëherë cakton çmimin tonë në panairin e pështjellimeve babilonike. “Se i huaji,- thotë Konica, – jep tjetër çmim prej atij që një komb i jep vetes së tij”.
Në kohën që jemi zënë gand në këtë “keqkuptim”, në kohën kur vazhdimisht veshët na lodhen nga “komente llafazanësh kokëboshë”, mbetet e domosdoshme që të ekplorojmë me ide të reja, përmes të cilave do t’i jepej një shtytje tjetër jetës sonë shoqërore drejt lartësirave që sigurojnë përgjegjësi, dinjitet dhe kreativitet krijues. Po t’i referohemi edhe njëherë Hans Beltingut, ne thëllësisht mund të kuptojmë se “ nuk mund të jepen parashikime jashtë sistemit”.
Për momentin, ky sistem duket i ngurtë, me plot ngërçe të brendshme nga të cilat duhet të çlirohemi. “ Të gjitha rregullat dhe të gjitha strukturat janë konstruksione të njëtrajtshme, nga të cilat vetëm me vuajtje mund të çlirohemi”, thotë Belting. Gëte thotë” Shpirti ynë është plot nostalgji për diçka më të lartë dhe më të ndritur”. Në kohë kur kërkojmë të hedhim dritë në gërmadhat e shpirtit tonë, duket e domosdoshme që të asimilojmë brenda qenies ato korpuse gjigante dijesh dhe veprash, të cilat zbërthejnë deri në fund pështjellimin tonë.
Para së gjithash lypset që energjitë të kanalizohen në kredo të reja, që realisht janë në rezonancë me idenë e afirmimit të një sistemi vleror të verifikuar nga mendjet aktive. Gjithashtu duhet të fillojë një kultivim i perceptimit, intelektit, emocionit, karakterit dhe vullnetit. Mbi këtë premisë të fisme duhet të ngritet ideja se jeta publike nuk është vetëm politike, por barabarësisht, madje parësisht është edhe intelektuale, morale dhe ekonomike. Jashtë teatrit gjumëndjellës, mbetet e nevojshme që të krijohet hapësira publike qytetare me një pjesëmarrje aktive të njerëzve me prirje të ndryshme. Kjo përpjekje mbi të gjitha siguron pluralitetin e jetës sonë shoqërore dhe në të njëjtën kohë thellon receptimin ndaj shfaqjeve kulturore dhe shoqërore. Karl Poperi thotë: “ Askush nuk është zotërues i gjithë të vërtetës”. Ai gjithashtu sqaron se:” Mendësia e njeriut me pikëpamje të ngulitura njëherë e mirë e njeriut të angazhuar, është e përafërt me mendësinë e të çmendurit”. Sëkëndejmi , paraqitet nevoja që të instalohet në sheshin e diskutimit toleranca, si një vlerë rreth së cilës rrotullohen ide të ndryshme.