A ekziston një qendër hibride politiko-ekonomike kundër BDI-së? DW në gjuhën maqedonase shkruan se për herë të parë është përdorur nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti, kur para tri ditësh kryesoi organin më të lartë partiak të BDI-së – Këshillin e Përgjithshëm, ku shprehu shqetësimin për “krijimin e një qendre hibride politiko-ekonomike kundër BDI-së”.
Siç përcjell KDP, një hap më tej ka shkuar nënkryetari i sapoemëruar i BDI-së dhe ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili në një dalje televizive iu referua “krijimit të një qendre hibride politiko-ekonomike” kundër BDI-së, por pa dhënë më shumë detaje.
“Para disa muajsh, diku në periferi të Shkupit, u mbajt një takim mes disa oligarkëve maqedonas dhe liderëve politikë – liderëve aktualë dhe ish-liderëve politikë, me një alarm apo deklaratë se shqiptarët po marrin më shumë se sa e meritojnë, ose po shkatërrojnë mmonopolin politiko-ekonomik i bashkësisë maqedonase. Dhe ata kanë rrënë dakord të kkrijojnë një qendër kombëtare për të ndalur këtë proces, ose siç e quajnë – shqiptarizimin e shtetit. Dhe në analizën e tyre – këto janë indikacione të besueshme – BDI-në e lidhin si paradigmë apo sinonim të barazisë etnike dhe pozitës së shqiptarëve”, ka shpjeguar Osmani në TV 21.
Edhe pse deklarata e Osmanit është me pak detaje, analistët mendojnë se me shumë gjasa aludon për të ashtuquajturin Plani i Zoran Zaevit, detaje të të cilit i publikoi “Plusinfo” në fund të vitit të kaluar. Sipas këtyre detajeve, më 21 dhjetor 2022, Zaev ka pasur një takim me Dimitar Kovaçevskin, në të cilin ishin të pranishëm sekretari i përgjithshëm Mile Zeçeviq, Radmila Sheçerinska dhe anëtarë të tjerë të kryesisë më të ngushtë të LSDM-së, ndërsa në takim Zaev prezantoi planin e tij për një kthesë politike me shtatë pika. Dy pika kishin të bënin me BDI-në: Një – mbajtjen e zgjedhjeve të menjëhershme të parakohshme parlamentare, pas të cilave LSDM dhe VMRO-DPMNE do të ndajnë pushtetin bashkërisht për tetë vitet e ardhshme dhe kryeministri do të jetë nga partia fituese e zgjedhjeve. E dyta – eliminimi i BDI-së dhe Ali Ahmetit nga Qeveria, për t’u mundësuar shqiptarëve të kenë një prezencë 25 për qind në Qeveri. Por plani i Zaevit u refuzua.
Sipas burimeve të cilat asokohe insistuan për anonimitet, Zaev e ka diskutuar atë plan me Mickoskin në disa raste dhe ata kanë treguar lokacione në juglindje të vendit, përfshirë Shkupin, si vende takimi. Pikërisht në pretendimet e atij plani analistët i lokalizojnë shqetësimet e sotme të BDI-së.
“Takimet e Mickoskit dhe Zaevit, si dhe aktivizimi i Cërvenkovskit, me gjasë kanë ngritur alarmin në BDI se po përgatitet një koalicion joformal në baza etnike, i cili do të kishte për qëllim neutralizimin e rolit të faktorit politik shqiptar në vend“, thotë për DW në gjuhën maqedonase analisti Xhelal Neziri.
“Kjo tezë mbështetet me kushtet apo opsionet e Mickoskit për votim të amendamenteve kushtetuese, të shprehura në takimin me Kovaçevskin, ndër të cilat është qeverisja pa BDI dhe përkrahja e pakushtëzuar e partisë së dytë për fituesin e zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë që ndër të tjera gjërat, ajo të mos shantazhohet nga BDI. Në këtë kontekst, BDI nuk nënkupton vetëm partinë e Ahmetit, por edhe çdo partner të mëvonshëm qeveritar nga shqiptarët etnikë. Për më tepër, lufta kundër të korruptuarve në BDI po kthehet në një operacion të gjerë medial-politik për ta paraqitur këtë parti si një grup mafioz që shkatërron shtetin”, thotë Neziri.
Pretendimet e “Plusinfo” se Zaev i ka paraqitur Kovaçevskit dhe anëtarëve të kryesisë së LSDM-së plan për ndarjen e pushtetit mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së pa pjesëmarrjen e BDI-së, gjegjësisht me një partner tjetër nga blloku shqiptar, kanë rezultuar me një takim mes Ali Ahmetit dhe Artan Grubit me Zaevin në Strumicë, në fillim të janarit të këtij viti.
“Me 5 janar jemi takuar me zotin Zaev, kemi biseduar rreth katër orë. Ai ishte nikoqiri ynë. Për herë të parë z. Ahmeti shkoi në Strumicë për të takuar z. Zaev me ftesë të tij dhe biseduam për aktualitetin. Pra, rreth z. Zaev dhe të gjithë pjesëmarrësit e atij takimi të 21 dhjetorit, përfshirë kryeministrin Dimitar Kovaçevski, jemi të bindur dhe absolutisht besojmë se skenarë të tillë nuk janë shqyrtuar dhe as nuk janë të pranueshëm. As për zotin Zaev, as për kryetarin e LSDM-së dhe kryeministrin, Kovaçevski”, tha Grubi në podkastin “Bisedë editoriale” në IRL.
Pavarësisht narrativës zyrtare se janë siguruar se “skenarë të tillë as nuk janë marrë në konsideratë”, burime të larta të BDI-së i thanë DW-së se kanë pasur njohuri të sakta për të gjitha takimet ku është diskutuar ai plan, të cilat janë zhvilluar “për disa muaj deri në fund të vitit 2022”. Por edhe se e dinë saktësisht se cilët persona kanë marrë pjesë në biseda, pavarësisht se disa prej tyre kanë mohuar përfshirjen e tyre.
A ka ndonjë potencial real që ai plan të realizohet, duke pasur parasysh “alarmin” që vjen nga BDI?
Sipas Nezirit, bashkimi eventual në baza etnike i kampusit politik maqedonas padyshim që do të nxisë bashkimin edhe të kampusit shqiptar.
“Në kushte të ndarjes së thellë politike ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, që nga viti 2016 BDI është ‘king maker’ në skenën politike, d.m.th. një palë e tretë që vendos se kush do të formojë qeverinë. Prandaj, është e mundur që kontaktet Mickovski-Zaev të rezultojnë në bashkimin e bllokut politik maqedonas etnik, me qëllim të uljes së peshës së partnerit qeveritar nga blloku politik etnik shqiptar. Në pamje të parë, duket se është pragmatizëm politik, por në fakt është një lojë e rrezikshme në një kontekst të rrezikshëm gjeopolitik. Bashkimi eventual në baza etnike i kampusit politik maqedonas padyshim do të nxisë bashkimin edhe të kampusit shqiptar, moment ky që do ta etnizojë edhe më shumë politikën në vend. Në kushtet e një ndarjeje të tillë të mundshme etnike, problemet reale të qytetarëve harrohen dhe gjithë energjia drejtohet drejt vlerësimit të ‘tjetrit’ si fajtor kujdestar për të gjitha problemet me të cilat do të përballet shteti. Etnizimi i politikës do ta kthejë vendin vite pas, do të rrezikojë marrëdhëniet ndëretnike dhe do ta lëkundë stabilitetin e tij”, vlerëson Neziri.
Sipas tij, ajo që pritet nga partitë është që të ofrojnë zgjidhje për problemet konkrete të qytetarëve dhe jo të shpikin probleme të reja duke hapur plagë të vjetra.
“Zyrtarët e BDI-së apo të ndonjë partie tjetër të shqiptarëve etnikë duhet të jenë problem nëse nuk punojnë ashtu siç duhet apo nëse nuk japin rerezultatee jo sepse janë pjesë e një grupi etnik joshumicë”, ka theksuar ai.