Të dielën, miliarderi njoftoi riemërtimin e kompanisë së njohur Twitter në “X” – të cilën ai e bleu në tetor për 44 miliardë dollarë. Por ndryshimi është përballur me shumë pengesa për Musk dhe platformën në ndryshim. Musk dhe kompania e tij e mediave sociale tashmë po përballen me sfida të mundshme ligjore dhe kritika të përdoruesve rreth markës së re.
Kompania e njohur më parë si Twitter nuk është gjigandi i parë i teknologjisë që ndryshon emrin ikonik. Google gjithashtu e riemëroi emrin e kompanisë së saj mëmë në The Alphabet në vitin 2015. Një ndryshim i ngjashëm ndodhi në vitin 2021, Facebook riemërtoi kompaninë e mëmë me emrin Meta.
Musk gjithashtu e riemëroi kompaninë mëmë të Twitter në X Corp në fillim të këtij viti.
Por ndryshimi i fundit i Musk dallon nga ndryshimet tjera – ndërsa Meta dhe Alphabet riemërtuan vetëm kompanitë e tyre mëmë, Musk po ndryshon emrin dhe markën ikonike të Twitter në nivel produkti.
Musk i ka udhëzuar përdoruesit që t’i quajnë postimet në platformë “x’s” në vend të “tweets”, duke ngritur një rrezik rreth vlerës pas imazhit të markës.
Analisti i Wedbush, Daniel Ives, tha se : “Është një lëvizje e rrezikshme për të ndryshuar logon ikonike të zogut të Twitter”
Ives parashikoi një humbje prej 2 deri në 5 miliardë dollarë në vlerë nga ndryshimi, analistët që folën për Bloomberg News parashikuan se ndryshimi do të zhdukte diku prej 4 miliardë deri në 20 miliardë dollarë. Kompania tashmë po përballet me reklamuesit pas marrjes së kontrollit të Musk dhe pas ndryshimeve të mëvonshme në sistemet e moderimit dhe verifikimit të përmbajtjes.
Në të njëjtën kohë, riemërtimi është pjesë e planit afatgjatë të Musk për ta kthyer kompaninë në “aplikacionin për gjithçka”. Ives shtoi se ky risk i marrë mund të shpërblehet në fund.
Riemërtimi në “X” u përqesh në internet
Ndryshimet fillestare në platformë janë të gjitha ndryshime të nivelit sipërfaqësor, por ka pasur edhe mospërputhje.
Në krye të faqes në versionin e shfletuesit të internetit të platformës, përdoruesit shohin logon X. Por që nga pasditja e së martës, ikona kryesore e shtëpisë së zogjve – e cila i çon përdoruesit në përmbajtjen kryesore të përditësimeve – “shtëpi” – mbeti poshtë logos së re X.
Aplikacioni i platformës për smartfonë ende quhet Twitter dhe përmban logon ikonike të zogut blu.
Ndryshimi nxiti kritika dhe tallje në internet rreth platformës së riemërtuar të Musk.
Në një postim, një përdorues krahasoi logon e zogut të Twitter me filmin “Barbie” dhe logon X me “Oppenheimer”, ndërsa disa të tjerë logon X e krahasuan me atë që shfaqet në përmbajtje për të rritur.
Ndryshimi i markës së kompanisë u përball gjithashtu me pengesa në botën reale.
The Verge raporton se Policia e San Franciskos ndërpreu ndryshimin e shenjës së Twitter jashtë selisë së kompanisë të hënën, duke i lënë asaj vetëm një “ER” të mbetur në anën e ndërtesës.
Kush pronar i markës “X”?
Plani i Musk për të riemërtuar kompaninë në “X” mund gjithashtu të përballet me pengesa ligjore.
Reuters raporton se, kompani të tjera, duke përfshirë gjigantët e teknologjisë Meta dhe Microsoft, tashmë kanë të drejta të pronësisë intelektuale për shkronjën me të cilën Musk po riemërton Twitter-in.
Avokati i markave tregtare Josh Gerben deklaroi për Reuters se ai numëronte rreth 900 regjistrime aktive të markave tregtare në SHBA që tashmë përmbajnë “X“ në një gamë të gjerë industrish. Kjo e lë Twitterin në rrezik ndaj padive nga të tjerët që pretendojnë pronësinë.
Robert Brauneis, një profesor dhe bashkëdrejtor i Programit të Ligjit të Pronësisë Intelektuale në Shkollën Juridike të Universitetit George Washington, tha se është “shumë e mundur” që një kompani ekzistuese të kërcënojë të padisë.
Megjithatë, Brauneis shtoi se nuk ka parë ndonjë gjë që mund të çojë në një vendim gjyqsor për ndalimin e menjëhershëm të X.
Përkundrazi, kompania mund të duhet të përballet me një proces gjyqësor ndërsa vazhdon tranzicionin.
Duke marrë parasysh se është një kompani e madhe, Brauneis tha se ai mendon se kompania e Musk “mund të përballojë të paguajë gjithçka që do të duhej për të larguar kompanitë e tjera”.
Çfarë është e ardhmja e X?
Ndërsa X ka bërë vetëm ndryshime sipërfaqësore në platformën e saj deri më tani, CEO e kompanisë Linda Yaccarino tha se aplikacioni i ri do të zgjerohet në një gamë të gjerë shërbimesh.
X do të “përqendrohet në audio, video, mesazhe, pagesa/bankare”, deklaroi Yaccarino.
“Nuk ka absolutisht ndonjë kufi rreth këij transformimi. X do të jetë platforma që mund të ofrojë gjithçka ” shtoi ajo, megjithëse nuk caktoi një afat kohor dhe as specifika.
Ives tha se “vizioni afatgjatë” për X “është i qartë”, por ekzekutimi “do të shqyrtohet mirë”.
“Ai po përpiqet të ndërtojë një super aplikacion. Ai kishte nevojë të bënte diçka agresive dhe ai e arriti atë”, shtoi Ives.
Marrë nga ” The Hill”
Përktheu: Orges Zaimi