Nga Ervis Iljazaj
Problemi me emigrimin e shqiptarëve ne vitet e fundit, nuk është ikja e krahut të punës të ‘’’pakualifikuar’’, apo thënë ndryshe ato lloj punësh që nuk kërkojnë arsim të lartë dhe përgatitje profesionale. Sepse ky lloj emigracioni ka ndodhur dhe do të ndodhë gjithmonë. Shqipëria nuk është as vendi i parë as vendi i fundit, ku njerëz të cilët nuk ka asnjë shpresë dhe asnjë profesion kërkojnë të emigrojnë për të gjetur hapësira punësimi apo mbijetese në vende më të pasura.
Problemi me emigracionin shqiptar ka të bëjë me ikjen e njerëzve të cilët janë profesionistë në fusha të ndryshme. Kapital human i cili përbën shërbimet më jetësore të një shoqërie dhe një shteti. Dhe Shqipëria vuan shumë mungesën dhe ikjen në vitet e fundit të profesionistëve dhe njerëzve të kualifikuar. Gjithmonë e më shumë po kthehet në një problem për kompani private apo institucione shtetërore mungesa e njerëzve të kualifikuar.
Jo vetëm që profesionistë e afirmuar po largohen nga Shqipëria, por vitet e fundit ka një tendencë tjetër. Që në përzgjedhjen e degës së studimit maturantët shqiptarë në shumicën e rasteve janë të prirur drejt degëve të cilat i shohin si instrument për të emigruar. Ose thënë ndryshe, degë studimi me anë të së cilave mund të punojnë jashtë Shqipërisë dhe që kërkohen nga vendet e pasura të Europës apo përtej saj.