E martë, 21 Maj, 2024

“LISTAT” AMERIKANE “TRANDIN” SKENËN POLITIKE TË RMV, ANALISTËT: SHTYSË PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Njohësit e rrethanave gjeopolitike për KDP.MK theksojnë se në një të ardhme të afërt do të na presin edhe lajmërime të tjera për politikanë dhe zyrtarë në Maqedoni të Veriut që janë futur në listën e zezë amerikane. Ata thonë se “lista e zezë amerikane do të jetë shtysa që u nevojitet disa politikanëve për t’i mbështetur ndryshimet kushtetuese pa të cilët nuk mund të ecë përpara eurointegrimi i RMV-së, proces dhe përfundim për të cilin është i interesuar SHBA.”

Shkruan : Enis Shaqiri

Me kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, vetëm se hapet periudha e përfshirjes së disa politikanëve të Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor në të ashtuquajturat “listat e zeza” amerikane. Korrupsioni, aktivitetet politike që cenojnë sigurinë dhe marrëveshjet paqësore si dhe dëmtimi demokracisë – janë faktorët që do të çojnë figura të caktuara politike drejt këtyre listave.

Në një periudhë kur qeveria mundohet të sigurojë shumicën e 2/3 në Parlament për të kaluar ndryshimet kushtetuese në përputhje me Propozimin Francez, analistët thonë se ky vendim i SHBA-ve do të ndikojë që deputetët të mos pengojnë ato ndryshime sepse me atë do të pengonin integrimin e vendit në BE. Sipas tyre, listat janë sinjal edhe për politikanët në Serbi, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë që të përkushtohen në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit dhe të ndërmarrin aksione që do të normalizonin situatën në rajon.

DAUTI: PËRMES LISTËS SË ZEZË AMERIKANE, DISIPLINOHEN POLITIKANËT “PROBLEMATIKË”

Njohësi i rrethanave gjeopolitike, Rilind Dauti, është i mendimit se futja në listën e zezë të SHBA-ve është mjet i politikës së jashtme amerikane, që nënkupton disiplinimin e politikanëve “problematikë” që ata bien ndesh me vlerat amerikane dhe përçohen me mesazhe të forta të politikës së jashtme. Ai në një prononcim për KDP.MK, thekson se në një të ardhme të afërt do të ketë politikanë dhe zyrtarë të tjerë nga Maqedoni të Veriut që do të përfshihen në “listën e zezë amerikane.”

Futja në këtë listë zakonisht është me vend, si në rastin e Ljube Boshkovskit, Millorad Dodikut, Nikolla Gruevskit, apo Sasho Mijallkovit, por ndonjëherë është totalisht e huqur, si në rastin e Xhevat Ademit dhe Menduh Thaçit. Viteve të fundit, kredibilitetin e këtij mjeti të Departamentit të Shtetit e kanë vendosur në pikëpyetje edhe për ndikimin e supozuar të Xhorxh Sorosit, emrin e të cilit e ka bërë gogol Sali Berisha pas shpalljes non-grata, duke ia adresuar këtë vendim të Stejt Departamentit atij. Me gjasë na presin edhe lajmërime të tjera për politikanë dhe zyrtarë në Maqedoni të Veriut që janë futur në listën e zezë amerikane. Pa paragjykuar se a do të jenë këto me apo pa të drejtë, ky akt i administratës amerikane është shprehje e pakënaqësisë që përskaj çdo ndihme nga taksapaguesit amerikanë, në shtetet ballkanike ende ka shumë mangësi të pazgjidhura”, – thotë Dauti.

Sipas tij, SHBA-të po japin donacione për programe kundër luftës së korrupsionit dhe prapëseprapë, siç thotë ai, korrupsion deri në fyt.

SHBA jep donacione për reforma në gjyqësor, dhe prapëseprapë vendime të padrejta! SHBA mbështet sundimin e ligjit, dhe prapëseprapë vlon nga krimi i organizuar! SHBA mbështetë projekte për pajtim dhe për forcimin e shoqërisë civile, dhe prapëseprapë urrejtje ndëretnike dhe rreziqe për konflikte të reja! Te futja në listën e zezë mund të ketë subjektivitet, dhe nuk mund ta dimë logjikën pse ndokënd e fusin në atë listë ndërsa dikë tjetër jo. Për shembull, a thua kryetari i një komune me buxhet të vogël paska bërë më shumë keqpërdorime korruptive se ndonjë ish zv. Kryeministër për Çështje Ekonomike apo ndonjë ish sekretar i qeverisë, ashtu që kryetari i komunës të jetë në listën e zezë ndërsa këta dy të fundit jo”, – thekson Dauti.

Dauti për më tepër shtron dilemën se përse “në listën e zezë amerikane nuk është Aleksandër Vuçiqi që provokon rindezje të konflikteve, por përkundrazi, maksimalisht ledhatohet nga diplomacia amerikane?! A thua një Sali Berishë në moshë të shtyrë dhe pa pushtet qenka më i dëmshëm se funksionarët aktualë?! ”

Megjithatë ai thotë se futja në “listën e zezë” është reflektim i politikës së jashtme amerikane në përgjithës, ku në të shumtën e rasteve, siç thotë ai, bëhet me të drejtë dhe për arsye parimore, por ndonjëherë ka subjektivitet për motive që nuk i dimë apo që vijnë nga projeksione më të thella gjeopolitike.

Dauti thekson se “nuk përjashtohet që frika nga futja në listën e zezë amerikane të jetë shtysa që u nevojitet disa politikanëve për t’i mbështetur ndryshimet kushtetuese pa të cilët nuk mund të ecë përpara eurointegrimi i RMV-së, proces dhe përfundim për të cilin është i interesuar SHBA”.

NEZIRI: TRI MOMENTE QË PARALAJMËROJNË NJË POLITIKË TË RE AMERIKANE NË RAJON

Ndërsa për analistin politik Xhelal Neziri, aktualisht tri momente flasin për rritjen e vëmendjes së SHBA-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që i njëjti të integrohet sa më shpejtë në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE)

Duket se SHBA po aktivizon katër listat e saja të sanksionimeve për të mbajtur rajonin stabil dhe të orientuar kah integrimet transatlantike: Listën e Presidentit të Shtetit, e cila i emëron politikanët që cenojnë marrëveshjet e paqes dhe sigurinë e rajonit; Listën e Departamentit të Thesarit, që ndalon çdo transaksion financiar midis SHBA-së dhe kompanive amerikane me ato persona, njëkohësisht duke ua ngrirë të gjitha asetet në SHBA; Lista e DASH-it, e cila ndalon hyrjet në SHBA për personat dhe familjarët e tyre si dhe Lista Magnitsky, e cila sanksionon politikanët dhe biznesmenët e korruptuar, që kanë lidhje me Rusinë dhe vendet tjera jodemokratike. Mbi 80 për qind e atyre që përfshihen në njërën, më pas kalojnë edhe te tri listat tjera të sanksioneve, që më shumë njihen si “lista të zeza”.

AGGELER: DO TË KETË EDHE TË TJERË

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, në “Twitter” ka shkruar  se për këtë vit kjo është masa e parë e ndërmarrë ndaj një politikani në vend, por, pret të ketë më shumë.

Populli në Maqedoninë e Veriut meriton integritet nga ana e zyrtarëve publik, dhe një sistem i cili do t’i mbajë ata përgjegjës. SHBA-ja do të vazhdojë të publikojë çdokënd, pa marrë parasysh pozitës apo partitë politike, që minon sundimin e ligjit, duke kërcënuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Kryetari Merko është i pari për këtë vit, por presim të ketë më shumë. Korrupsioni ka pasoja”, – ka shkruar Aggeler

Ndërsa koordinatori për antikorrupsion nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se “vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se zoti Merko ishte përfshirë në korrupsion madhor. Dhe kështu sipas ligjeve, kur Sekretari arrin në këtë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm, siç ndodhi sot.”

Ai nuk ka dashur të japë detaje, por ka konfirmuar se ka mjaft dëshmi: “Po, informacioni që u publikua si pjesë e njoftimit për shtyp tregon se bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore. Dhe ju e dini, duke pasur parasysh natyrën e përcaktimeve dhe bazën e tyre ligjore, ky është informacioni që ne mund të bëjmë publik mbi këtë rast”.

Përveç kësaj, Nephew është shprehur optimist se ky vendim do të ndihmojë qeverinë e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin.

Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Veprimet e individëve që kërcënojnë përpjekjet për paqen dhe stabilizimin ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të përfaqësuar një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.”

REAGOJNË ASH, LËVIZJA BESA DHE VMRO –  KËRKOJNË DORËHEQJEN E MERKOS

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha se partia e tij respekton vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke shtuar se jo vetëm për Ramiz Merkon, por edhe nëse ka persona të tjerë të tillë pa dallim etnie apo partie.

Ky përcaktim i sotëm është një sinjal që ka potencialin për të rikthyer shpresën në Maqedoninë e Veriut. Nga sot, SHBA-të dëshmuan se askush nuk është i paprekshëm. Përgëzojmë Ambasadoren Aggeler për konsistencën e saj dhe paralajmrimin se do të ketë përcaktime tjera gjatë këtij viti. Korrupsioni duhet të ketë pasoja, por shpalljet non grata nuk mjaftojnë. Ramiz Merko duhet të japë dorëheqje të menjëhershme ndërsa BDI duhet të distancohet nga anëtari i saj i Kryesisë. Prokuroria për ndekje të korruspsionit duhet të hapë lëndë ndaj Merkos për të garantuar llogaridhënie të plotë në lidhje me akuzat e Departamentit të Shtetit amerikan dhe për të ndarë drejtësinë. Ramiz Merko është vetëm fillimi. Korrupsioni ka pasoja”, – thotë Taravari.

Nga Lëvizja Besa thonë se shpallja e kreut të Strugës Ramiz Merko “persona non grata” nga ana e SHBA-së konfirmon ata që e thonë si parti, se pushteti aktual është i korruptuar

Vënia në listë të zezë e kreut të Strugës Ramiz Merko, është shembulli tipik i funksionarit të BDI-së, të udhëhequr nga Artani dhe Aliu. Besojmë fuqishëm se ky është vetëm fillimi i demaskimit të korrupsionit dhe funksionarëve të inkriminuar të BDI-së. Presim që kjo listë ditëve në vijim të plotësohet me funksionarët që kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin fondet vendore dhe të huaja në emër të “investimeve”. Funksionarë të përfshirë në krim dhe korrupsion dhe funksionarë që përveç shantazhit, hajnisë dhe keqpërdorimeve, nuk bëjnë asgjë tjetër, ndërsa si rezultat kemi ikjen e përditshme të popullatës jo nga ky vend, por nga kjo Qeveri e korruptuar dhe inkriminuar”, – thonë nga Lëvizja Besa, duke kërkuar që Merko, të jep dorëheqje një ditë e më parë.

Nga VMRO-DPMNE, për vendosjen e kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në listën e zezë amerikane, thonë se Shtetet e Bashkuara vërejnë se zyrtarët e qeverisë po ndërhyjnë në gjyqësor dhe po diktojnë gjykime.

VMRO-DPMNE gjatë 6 viteve të fundit vazhdimisht ka reaguar ndaj përfshirjes së pushtetit në proceset gjyqësore dhe partizimit dhe politizimit të organeve të drejtësisë. Pothuajse çdo raport nga Departamenti i Shtetit vëren korrupsionin dhe kriminalitetin nga zyrtarët qeveritarë. Kjo është një shuplakë për qeverinë e LSDM-në dhe BDI-në nga SHBA-të. Kjo është vetëm një arsye pse BDI duhet të shkojë në opozitë”, – thonë nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se institucionet nuk duhet të heshtin por të reagojnë menjëherë.

AHMETI: PËRHAJËR JU QOFTË ATYRE QË DO TË JENË NË LISTËN E ZEZË AMERIKANE

Ndryshe, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti  më 23 janar të këtij viti, gjatë takimeve me qytetarë dhe aktivistë partiak të Tetovës, foli edhe për listën e zezë të ShBA-së. Kur u pyet nëse do të ketë në listën e zezë të ShBA-së funksionarë të BDI-së, Ahmeti vlerësoi faktin edhe nëse ka, përhajër u qoftë atyre që do të jenë në ato lista.

Mendoj që janë ca legjenda që thuren, listat e zeza të funksionarëve. Tash për tash nuk ka asnjë informacion zyrtar. Këtu kanë qenë përfaqësues të lartë të ShBA-së. Janë interesuar mbi proceset në vend, sidomos për korrupsionin, për krimin, për sundimin e ligjit. Kanë qëndruar disa ditë dhe janë kthyer. Mirëpo këtu, si Europa, si Amerika kanë përfaqësitë e veta, kanë vëzhguesit e vet dhe unë nuk kam ndonjë informacion për hartim të listave të zeza. Nëse ka lista të zeza dhe ky vlerësim është bërë nga Departamenti i Shtetit, përhajër u qoftë atyre që do të jenë në ato lista. Nuk kam çfarë u bëj unë”, – ka deklaruar Ahmeti.

 

 

Të fundit