E mërkurë, 22 Maj, 2024

“PISHMANLLËKU” I MICKOSKIT: APO HUMBET MOMENTUMI POLITIK PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE?

Aliu: “Asnjë subjekt politik nuk mund të pengojë procesin, megjithatë, interesi shtetëror padyshim që kërkon bindje politike përtej interesave partiake. Po që se ndodhë të humbet ky momentum politik, vendi do të ngulfatet në shumë dimensione. Pra, pushteti mbeti i dekonspiruar politikisht sepse ‘negociatat me BE-në janë hapur, por akoma nuk kanë filluar’”

Abdullahi: “Brenda në partinë opozitare VMRO-DPMNE, ka zëra proevropianë që e kuptojnë rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe do të arrijnë të tejkalojnë pozicionimet e kushtëzimeve që çojnë në izolim ndërkombëtar vetë partinë në fjalë, dhe vendin në përgjithësi”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Zhvillimet më të fundit politike shënojnë një përplasje të re mes partisë në pushtet LSDM, dhe asaj në opozitë, VMRO- DPMNE, që kanë të bëjnë me procesin e ndryshimeve kushtetuese. Edhe pse kanë kaluar tre javë nga takimi Kovaçevski- Mickoski palët ende nuk kanë arritur konsensus politik për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Për kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, ndryshime kushtetuese “sipas diktatit bullgar” nuk do të ketë. Mickoski është shprehur i prerë se e ka mbyllur këtë temë dhe se dalja nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme.

Unë am dhënë dy propozime daljeje që bazohen mbi të gjitha në mbrojtjen e interesave kombëtare, identitetit dhe gjuhës sonë dhe që përmbajnë edhe garanci për vazhdimësinë e së ardhmes sonë europiane. Pas dy javësh, duke shmangur nga ana e tyre të thonë se cilin propozim e zgjedhin, është e qartë se ata refuzuan një shans historik për të ardhmen e Maqedonisë, zgjodhën të punojnë për veten e tyre duke shtyrë një diktat bullgar”, ka theksuar Hristijan Mickoski, në fjalimin me rastin e shënimit të 33 vjetorit të themelimit të partisë politike VMRO-DPMNE, të mbajtur ditë më parë. Mickoski në tribunën e “33 vjet VMRO-DPMNE dhe Maqedonia” u shpreh i bindur se “deputetët e VMRO-DPMNE-së janë mburoja e fundit që nuk do të lëshojnë pe kundër presioneve. Zgjedhjet mbeten zgjidhja e vetme për dalje nga kriza,” – ka thënë Mickoski.

Kovaçevski: Mickoski të mbështes ndryshimet kushtetuese

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski sot sërish i bëri thirrje Mickoskit, që të qëndrojë pas asaj që deklaroi më 7 qershor dhe të mbështesë ndryshimet kushtetuese. Kovaçevski ka theksuar se pozicioni i tij dhe pozicioni i kryetarit të VMRO – DPMNE-së në lidhje me përfshirjen e pjesës së popujve të tjerë në preambulën e Kushtetutës ishte i shprehur shumë qartë. Ai theksoi se edhe Qeveria ka legjitimitet për t’i zbatuar ndryshimet kushtetuese, pasi VMRO – DPMNE kërkonte të ishte pjesë e saj.

Pozicion im dhe pozicioni i kryetarit të VMRO – DPMNE-së rreth përfshirjes së një pjesë të popujve të tjerë në preambulën e Kushtetutës sonë ishte i shprehur shumë qartë. Doli në shesh se kjo përbërje parlamentare ka legjitimitet ta bëjë atë, edhe pse paraprakisht VMRO – DPMNE thoshte se nuk ka. U tregua se, edhe Qeveria ka legjitimitet t’i zbatojë, sepse VMRO – DPMNE kërkoi të jetë pjesë e saj, me çka menjëherë u ofrua në mënyrë vëllazërore se do t’ua lëshojmë 60% nga vendet”, – ka thënë Kovaçevski.

Kujtojmë se dy liderët maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski realizuan një takim tet a tet, gjegjësisht më 7 qershor, ku diskutuan për ndryshimet kushtetuese. Kryeministrit Kovaçevski i ofroi kreut të VMRO-s, Mickoskit pjesëmarrje në Qeveri, në këmbim të mbështetjes për ndryshimet kushtetuese, me çka LSDM do t`ia dorëzonte 5 nga 10 pozitat e saja ministrore. Por, Mickoski tha se, do të pranonte këtë gjë, nëse BDI nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, dhe nëse, ndryshimet kushtetuese do të hynin në fuqi pasi të ketë përfunduar procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Nga ana tjetër analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriu, për kdp.mk, theksojnë se në qoftë se humbet momentumi i ndryshimeve kushtetuese vendi do të ngulfatet në shumë dimensione. Sipas tyre, faktori ndërkombëtar, me shumë gjasë do të bëjë trysni në forma të ndryshme për ripozicionim ndaj ndryshimeve kushtetuese, dhe votimin e të njëjtave.

Aliu: Taktizimi i Mickoskit nuk do mund të jetë në pafundësi

Qenan Aliu

Analisti politik, Qenan Aliu, është i mendimit se VMRO-DPMNE-ja do të kyçet në qeverinë e “unitetit.” Ai në një prononcim për kdp.mk, thekson se ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në fuqi me ditën e hapjes së klasterit të parë, e jo siç pretendon opozita kur të anëtarësohet vendi në BE.

Kryetari i opozitës Mickoski sikur taktizon, por taktizimi nuk do të mund të jetë në pafundësi. Fundi i muajit apo fillimi i korrikut mendoj se do të jetë koha për të cilën do të jetë i imponuar për të thënë qëndrimin përfundimtar të partisë së tij. Ju lutemi, as ai e as partia e tij, as pozita nuk janë të vërtetë edhe mendojnë dhe dëshirojnë siç prononcohen lidhur me variantet për një qeveri për të tejkaluar ndryshimet kushtetuese. Ndaj mendoj se VMRO-DPMNE do të kyçet në qeverinë e të ashtuquajtur sipas tyre, të unitetit, dhe se ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në fuqi me ditën e hapjes së klasterit të parë e jo siç pretendon opozita kur të anëtarësohet vendi në BE. Pushteti është i ngulfatur politikisht, nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa ndryshimet kushtetuese, mbase edhe nuk i konvenon që të ushtrojë pushtetin deri në zgjedhjet e rregullta pa ndryshimet kushtetuese”, – thekson Aliu, duke nënvizuar se ndryshimet kushtetuese, duhet, dhe do të ndodhin, por me cilin variant të kompromisit, siç thotë ai, akoma nuk mund të dihet saktë.

Aliu për më tepër thekson se asnjë subjekt politik nuk mund të pengojë procesin e negociatave me BE, dhe nëse ndodhë që të humbet ky momentum politik, vendi, siç potencon ai, do të ngulfatet në shumë dimensione.

“Asnjë subjekt politik nuk mund të pengojë procesin, megjithatë, interesi shtetëror padyshim që kërkon bindje politike përtej interesave partiake. Po që se ndodhë të humbet ky momentum politik, vendi do të ngulfatet në shumë dimensione. Pra, pushteti mbeti i dekonspiruar politikisht sepse ‘negociatat me BE-në janë hapur, por akoma nuk kanë filluar”, – vlerëson analisti politik, Qenan Aliu.

Abdullahi: Brenda VMRO-DPMNE-së ka zëra proevropianë

Ish-ambasadori Enver Abdullahi, për kdp.mk, thotë se faktori ndërkombëtar do të bëjë trysni në forma të ndryshme për ripozicionim ndaj ndryshimeve kushtetuese, dhe votimin e të njëjtave. Sipas Abdullahit, opozita maqedonase është duke bërë gabim të madh strategjik me kalkulimet politiko-ditore, me shpresën se do të ketë ndonjë përfitim.

Opozita maqedonase në Maqedoninë e Veriut është duke bërë gabim të madh strategjik me kalkulimet politiko-ditore, me shpresën se do të ketë ndonjë përfitim apo zgjedhje të parakohshme duke e vendosur vendin në rrugë pa dalje. Sidoqoftë, unë ndaj mendimin se mospasja e kapacitetit për reformim dhe për të qenë opozitë funksionale që kontribuon me konsensus të gjerë për evrointegrime. Situata aktuale rajonale, por edhe gjeostrategjike evropiane, kërkon një qasje më serioze, dhe besoj se faktori ndërkombëtar do të bëjë trysni në forma të ndryshme për ripozicionim ndaj amendamenteve kushtetuese dhe votimit të të njëjtave“, – thekson Abdullahi.

Abdullahi thotë se edhe “brenda në partinë opozitare VMRO-DPMNE, ka zëra proevropianë që e kuptojnë rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe do të arrijnë të tejkalojnë pozicionimet e kushtëzimeve që çojnë në izolim ndërkombëtar vetë partinë në fjalë, dhe vendin në përgjithësi.”

Larsson: Nëse nuk fillojnë negociatat në kohë, RMV-ja rrezikon të humbasë momentin e fuqishëm aktual për zgjerim

Nga ana tjetër, Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larsson, në një intervistë për Portalb.mk, është shprehur se është inkurajuese të shihet se ka filluar dialogu mes Qeverisë dhe opozitës rreth ndryshimeve kushtetuese. Ambasadorja theksoi se viti 2030 për anëtarësim në BE është qëllim ambicioz dhe arritja e tij do të varet nga ritmi i reformave të Maqedonisë së Veriut në një numër të fushave, jo më pak në fushën e sundimit të ligjit.

Vendimi për ndryshimin e Kushtetutës i takon sovranit, prandaj nuk më takon mua të komentoj se çfarë duhet të bëjë udhëheqësia politike e Maqedonisë. Ajo të cilën mund të them është se si vendi im ashtu edhe vendet e tjera anëtare të BE-së e kanë pasur të qartë faktin se ne besojmë se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Ky ishte mesazhi i shprehur qartë nga krerët e qeverive të BE-së në samitin e vitit të kaluar në Tiranë. Do të kisha dashur të shtoj se aktualisht ka një moment të fortë për zgjerim, për shkak të realitetit gjeopolitik në të cilin gjendemi. Gjatë viteve të shumta të punës me çështjet e BE-së, kam mësuar se ky moment është i paçmuar. Kur e ke në dorë, nuk e len të ikë. Zgjerimi është si prioritet për BE-në, ashtu dhe për Presidencën suedeze të Këshillit të BE-së. Ne dëshirojmë të shohim përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE. Prandaj është inkurajuese të shihet se ka filluar dialogu mes Qeverisë dhe opozitës rreth ndryshimeve kushtetuese“, – ka thënë Ami Larsson

Në pyetjen se çka humb Maqedonia e Veriut, nëse nuk i fillojmë negociatat në kohë, në nëntor, Larsson është përgjigjur se “rreziku është që Maqedonia e Veriut të humbasë kohë të konsiderueshme – dhe të humbasë momentin e fuqishëm aktual për zgjerim”.

 

Të fundit