E shtunë, 18 Maj, 2024

AHMETI: NDRYSHYMEVE KUSHTETUESE DUHET T’I PARAPRIJË PAJTIMI

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot shënon 21-vjetorin e themelimit të partisë. Gjatë kësaj ngjarje u organizua edhe një panel diskutimi me titull “Fronti Evropian.” Kreu i partisë Ali Ahmeti në këtë panel theksoi nevojën për ndryshimet kushtetuese. Ai bëri thirrje për një pajtim të gjërë mes subjekteve politike, për të arritur stabilitetin politik për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ahmeti gjithashtu shprehu bindjen se vendi nuk i takon kampit të skepticizmit, duke theksuar optimizmin e tij dhe angazhimin për të mbetur i tillë. 

Kreu i integristëve Ali Ahmeti, gjatë këtij panel debati të titulluar “Fronti evropian” tha se vendi ka kaluar nëpër shumë sfida dhe vështirësi dhe ka arritur me sukses të përmbyllë kapituj të rëndësishëm për shtetin dhe stabilitetin. Ai vuri në dukje se nuk i përket kampit të skepticizmit, duke theksuar se gjithmonë ka qenë optimist dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Ai gjithashtu shprehu bindjen e tij se në një të ardhme të afërt, gjegjësisht brenda tre deri në katër vite, vendi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

“Unë nuk i takoj kampit të skepticizmit, gjithmonë kam qenë optimist dhe do të mbetem optimist, pa e ngjitur dot flamurin e bardhë. Mendoj se ne kemi kaluar në shumë vështirësi dhe sfida, dhe kemi arritur me sukses të përmbyllim kapituj të rëndësishëm për shtetin dhe stabilitetin. Edhe optimistët më të mëdhenj nuk kanë menduar se ne do të jemi anëtarë të NATO-s, por ky është një realitet. Optimistët më të mëdhenj nuk kanë menduar se Maqedonia e Veriut, si shtet multietnik, mund të jetë shembull i zgjidhjes së problemeve dhe çështjeve të brendshme. Optimistët më të mëdhenj nuk kanë menduar se në këtë vend do të mund të funksionojnë shoqëritë duke i respektuar vlerat e ndërsjellta. Unë gjithashtu do të thoja se ky vend është tamam një Evropë e vogël që i respekton diversitetet. Jam i bindur se nëse dikur kemi menduar se edhe dhjetë vite na duhet për anëtarësim në BE, unë do të thoja se ne brenda tre deri në katër vjet do të jemi anëtarë të BE-së, sepse edhe rrethanat politike dhe gjeostrategjike kanë ndryshuar në favor që kjo rrugë e jona të përshpejtohet dhe të shkurtohet”, – tha Ahmeti.

Ahmeti mes tjerash theksoi edhe nevojën për ndryshimet kushtetuese. Ai bëri thirrje për një pajtim të gjërë mes subjekteve politike, për të arritur stabilitetin politik për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në radhë të parë, ne duhet t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese, dhe për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, duhet që t’i paraprijmë një pajtimi, në mes të gjitha subjekteve që kanë përgjegjësi mbi fatet e shtetit. A ka vullnet për një pajtim të tillë dhe për tu bashkuar rreth një pakti? Stabiliteti politik në vendin tonë duhet të jetë një prioritet, ashtu siç kanë aplikuar shtete të cilat tani janë anëtare të BE-së, dhe me përplasje dhe divergjenca po aq sa kemi ne sot. Unë mendoj se ne mund të arrijmë një pajtim të tillë, të vendosemi të gjithë përpara interesave të shtetit dhe ardhmërisë së brezave, sepse pikërisht janë momente vendimtare dhe historike për vendin tonë. Të lëmë anash interesat ditore politike, të mos vendosim prioritetin nëse do i fitojmë zgjedhjet e ardhshme, por të vendosim prioritetin nëse do të arrijmë që shërbimin më të madh t’u bëjmë qytetarëve tanë me anëtarësimin evropian,” – theksoi Ahmeti.

Në panel diskutimin me rastin e 21-vjetorit të themelimit të BDI-së, folës ishin edhe ish-ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, ish-kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, profesori Petar Arsovski, ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin.

Lidhur me ndryshimet kushtetutese, ish-ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, tha se shumë nga ata që mbështesin tezën e ndryshimeve kushtetuese duhet të kuptojnë edhe ata qytetarë që thonë jo. Sipas saj, një pjesë e këtyre qytetarëve, nuk janë kundër BE-së, por kanë frikë se do të ketë edhe kërkesa të tjera.

Teza se nuk ka alternativë, sipas mendimit tim nuk funksionon. Shumica që mbështesin tezën për ndryshimet kushtetuese duhet t`i kuptojnë edhe ata qytetarë që thonë jo. Shumica më e madhe e atyre që janë kundër ndryshimeve kushtetuese nuk do të thotë se janë kundër BE-së. Ne nuk kemi nevojë t’i bindim se BE-ja është e rëndësishme, disa e dinë më mirë se ne. Kjo rezistencë nuk vjen nga rezistenca kundër BE-së, por nga frika se pas kësaj do të ketë edhe kërkesa të reja”, – tha Sheqerinska.

Sipas saj, lufta në Ukrainë ka ndryshuar hartën gjeopolitike për zgjerimin e BE-së, ndaj edhe pse zgjedh të jetë optimiste, beson se është shumë më e vështirë për shtetet e vogla që duhet të dinë të lexojnë hartën gjeopolitike.

Kur shtete të mëdha bëjnë gabime strategjike, ai është gabim dhe ka çmim, por kur shtete të vogla bëjnë gabime, ajo është katastrofë. Të gjitha analizat tregojnë se këtë vit na pret një verë shumë e vështirë. Në skenarin më të mirë, hyjmë në periudhë të vazhduar të rivalitetit gjeopolitik. Duhet ta dimë ku jemi”, – theksoi Radmilla Sheqerinska.

Ndërsa analisti politik, Petar Arsovski, tha se, vendi ndodhet sërish para një situate bardhë e zi dhe duhet të punohet në mënyrë shtesë posaçërisht tek maqedonasit etnik që vendi të orientohet drejt BE-së.

Ndryshimet kushtetuese janë detyrim i ndërmarrë me marrëveshje që veç më e kemi miratuar, ndërsa ajo është korniza negociuese, mënyra e vetme që t’i shmangemi atij detyrimi është që të ndryshojmë marrëveshjen origjinale, ndërsa ajo është korniza negociuese, nëse i ndërpresim negociatat”, – tha Arsovski.

Kujtojmë se në të njëjtën kohë, fraksionarët e partisë nga i ashtuquajturi Grupi i zjarrit, 21-vjetorin e partisë e shënuan pranë Qendrës së Kulturës në Tetovë.

Teuta Arifi, nga po e njejta parti, në panel diskutimin “Fronti Evropian”, tha se pjesa e fraksionit të BDI-së duhet të rikujtojë vlerat e përbashkëta që janë të rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për Ballkanin.

Unë jam personi që gjithmonë i ka thënë “elefantët në dhomë” dhe me qenë se BDI është në një sfidë të madhe serioze në debatin e vet të brendshëm dhe në situatat që lidhen me relacionet tona të brendshme, mendoj se në ditën e sotme, të gjithë së bashku, ne dhe shokët tanë kudo që janë, është mirë të përkujtohemi të gjithë së bashku në vlerat tona të përbashkëta, që janë vlera të rëndësishme e jo vetëm për BDI-në, jo vetëm për shqiptarët, maqedonasit, romët dhe bashkësitë e tjera etnike, por për Ballkanin në përgjithësi, dhe ajo është normalisht stabiliteti, prandaj edhe çështjes europiane le të jetë një platformë e zhvillimit të debatit dhe tejkalimit edhe të dallimeve tona brenda nesh”, – tha Arifi.

Të fundit