E premte, 19 Prill, 2024

“KOHË E TMERRSHME PËR VERIUN”- BOGDANOVIÇ: PSE U DORËHOQ VUÇIÇ, MESAZHI NGA PUTIN

Përfaqësuesi i komunitetit serb në Kosovë, Boban Bogdanoviç, ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin Review në Euronews Albania, ku analizoi dorëheqjen e presidentit Vuçiç nga partia, por dhe situatën në veri të Kosovës.

Bogdanoviç tha se Vuçiç është arsyeja kryesore se pse nuk ka paqe në Serbi, por dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ai nënvizoi se ka frikë për një përshkallëzim të mundshëm të përplasjes së armatosur në veri të Kosovës, mes bandave serbe dhe autoriteteve të republikës së Kosovës.

Dorëheqjen e Vuçiçit nga partia e tij, Bogdanoviç e cilësoi si një veprim nul, pasi presidenti serb është sërish ai që kontrollon gjithçka.

Sipas tij çdo veprim që kryen Vuçiçi në Serbi, merret paraprakisht nga Putini në Moskë.

“Vuçiçi mund të jetë tërhequr nga partia politike por kjo nuk është asgjë. Thjesht iku nga partia e tij dhe ia dha vëllait të vetë. Nuk është se ka për të ndryshuar ndonjë gjë në Serbi apo në partinë e tij. Ai ka për të ndjekur një opsion të ri politik, ku thotë se në muajt në vijim do të krijojmë një parti të re politike. Ai dëgjon vetëm mesazhet nga Kremlini, nga Putini dhe të gjitha vendimet e tjera politike janë vendime të marra nga fjalët e Putinit, Ajo që thotë Putini në Moskë, ajo gjë ndodh në Serbi”, tha Bogdanoviç.

Gjithashtu ai shtoi: “Pas Millosheviçit erdhi Vuçiçi në Serbi dhe ai është burimi i dhunës në gjithë Ballkkanin Perëndimor. Ai është arsyeja pse nuk ka paqe në Serbi, ai është arsyeja pse nuk ka paqe mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një kohë shumë shumë e keqe, një kohë e tmerrshme pasi situata mund të përshkallëzohet në Kosovë. Nuk dua të besoj që kriminelët nga veriu i Kosovës, Radaviçi dhe strukturat e tij kriminale mund të përshkallëzojnë përplasjet me armë. Kjo nuk është e mirë për marrëdhëniet tona dhe për rajonin”, tha Bogdanoviç.

Të fundit