E premte, 29 Mars, 2024

ALIU NË AUDITORIUMIN E INSTITUTIT BIRC: KAM PLAN SI DO TA REFORMOJ ADMINISTRATËN

Digjitalizimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve është prioriteti ynë kryesor, theksoi Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) Azir Aliu, i cili sot mori pjesë në një auditorium të organizuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) me temë: “Maqedonia e Veriut – sot dhe nesër”, e cila u mbajt në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Shkruan: Enis Shaqiri

Gjatë kësaj ngjarje, Aliu deklaroi se ministria që ai udhëheq menaxhohet në tre shtylla kryesore, duke filluar nga infrastruktura dhe IT-ja, ku mbulohen të gjitha, si në aspekt të infrastrukturës njejtë edhe të shërbimeve dhe digjitalizimit. Pastaj, shtylla e dytë, është administrata publike ku menaxhohen dhe krijohen politikat për administratën shtetërore, si dhe shtylla e tretë janë mediat. Ministri theksoi se momentalisht MSHIA ka shumë detyrime dhe sfida, të cilat do të duhet që të përmbushen brenda një afati të shkurtër kohor.

Nga ky këndvështrim, ministria ka shumë obligime dhe sfida në të cilën do të duhet t`i realizojë gjatë kësaj periudhe, pra kur jemi edhe tek pjesa e skriningut, dhe një prej kapitujve, që është kapitulli i dhjetë, dhe lidhet direkt me këtë ministri. Këtë vit kemi sfidën e krijimit dy ligjeve që lidhen me mediat. Ligji parë është ligji për mediat audio dhe audio-vizuale, në të cilat janë në përputhshmëri me direktivat evropiane. Ndërsa pjesa e dytë është ligji i mediave, ku këtu bëjnë pjesë rrjetet sociale, tik-toku etj. Kujtojë se ligji i parë që ka të bëjë për mediat audio dhe audi-vizuale, është në Parlament me procedurë të përshpejtuar, dhe besojmë se deri në fund të Qershorit do të jetë gati”, theksoi Aliu

Aliu, ndër të tjera, diskutoi edhe për problemet në administratën publike, për të cilën tha se po hartohen tre ligje që do të përmirësojnë kualitetin e shërbimeve drejt qytetarëve.

Lidhur me këtë problem momentalisht jemi duke i përfunduar tre ligje që lidhen me administratën publike. Kemi ligjin për menaxhment të lartë në administratë, pra një drejtor në një institucion nuk do të mund të emërohet vetëm se është pjesë e ndonjë partie politike, por do të duhet të kalojë në një strukturë të filtrave dhe indikatorëve që do të duhet t`i plotësoj, për tu bërë një menaxher i ndonjë institucioni. Më duhet të them se ky ligj është në përfundim dhe presim për pak kohë që të aprovohet në Parlament dhe të jetë aktiv. Ligji i dytë është ligji për optimizimin dhe funksionalizimin e administratës publike, ku këtu jemi duke punuar me ekspert nga jashtë dhe nga brenda, për një analizë funksionale të institucione pasiqë janë shumë institucione, diku tek 1016 institucione, 60 për qind janë në nivel lokal, ndërsa 40 për qind në nivel qendror”, – tha Aliu.

I pyetur se sa është numri i administratorëve aktual në administratën publike, Aliu tha se numri në nivel të shtetit vijon të jetë diku tek 129 mijë të punësuar.

Po e potencoj, nga 129,000 administratorë, 60 për qind janë në nivel lokal, ndërsa 40 për qind në nivel qendror. Pra, këtu bëjnë pjesë shkollat, poashtu me vete i kemi shifrat e sakta në nivel të dikastereve, se si është administrata shtetërore e organizuar. E përsëris, momenti kyç është funksionaliteti dhe krijimi i profilit të administratorit se si duhet të jetë. Pra, numrat thonë se nga 1354 institucione që i kemi në nivel shtetëror, diku tek 60.7 për qind janë në nivel lokal, dmth janë komunat si dhe institucionet brenda komunave, ndërsa 39.3 për qind janë në nivel qendror. Pra, nga këtu kemi 553 institucione që lidhen me arsimin fillor, të mesëm, dhe atë universitar, 111 institucione që lidhen me shëndetësinë, me kulturën 121 institucione, 117 institucione me drejtësi dhe dhënien e këtyre shërbimeve, 113 institucione në nivel të shërbimeve komunale, 125 institucione me shërbime sociale, shërbime lokale ku bëjnë pjesë komunat janë 81, pra kjo është struktura globale e institucione që e ka ministria jonë“, tha Aliu.

Ministri Aliu mes tjerash u ndal edhe tek pjesa e korrupsionit. Ai tha se përmes digjitalizimit të shërbimeve do të kemi ulje të korrupsionit.

Nëpërmjet digjitalizimit, qytetarët anashkalojnë faktorin njeri si dhe abuzimet që mund të krijohen në sektorin publik. Pra një administrator ndjehet i fuqishëm në aspekt të dhënies së shërbimeve, pra kur ai e jep një shërbim në aspektin manual, dhe këtu egziston mundësia për keqpërdorim. Ndërsa nëpërmjet procesit të digjitalizimit e anashkaloni faktorin ‘administrator’ që mund t’ju mbajë për një kohë të gjatë për atë shërbim, “, deklaroi Aliu.

Më tej, ministri potencoi se deri në fund të këtij viti, Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, planifikon të digjitalizojë edhe 150 shërbime të reja, duke filluar nga dita e hënë me tre shërbime të digjitalizuara.

Rikujtojmë se pjesë e këtij auditoriumi ishin edhe studentët e UEJL-ës.

Videon e plotë të Auditoriumit me ministrin Aliu mund ta ndiqni në videon më poshtë:

 

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Të fundit