E enjte, 18 Prill, 2024

TENSIONE NË VERI TË KOSOVËS, SERBIA NGRE GATISHMËRINË LUFTARAKE

Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit dhe të Zubin Potokut – komuna të banuara me shumicë serbe – përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë. Media serbe raporton edhe për të lënduar.

Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Raportohet se kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka hyrë tashmë në ndërtesën e komunës.

Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë.

Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallzimin e situatës.

“Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkroi në Twitter Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.

I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

Ky vendim u mor për shkak të situatës në Kosovë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Radio-Televizioni i Serbisë raportoi se ushtria serbe ka marrë urdhër që “të lëvizë urgjentisht” drejt kufirit me Kosovën.

REL-i nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.

Kryetarët e tri komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.

Ndonëse thanë se, së shpejti, do të nisin punën nga objektet komunale, nuk ishte e qartë se kur do të ndërmerrej një hap i tillë.

Kryetari i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të enjten se me betimin e tyre u zyrtarizua “pushtimi i katër komunave” në veri.

Në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Radio Evropa e Lirë mësoi se disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit, ndërsa mbi Zveçan u pa edhe një helikopter i misionit të NATO-s, KFOR.

Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, tha se kryetarët e rinj të komunave në veri duhet ta kryejnë punën “nga zyrat e komunave bashkë me shërbyesit civilë”.

“Ata janë zotuar se do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. E, si institucione qendrore, e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve. Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Kjo parti e kundërshtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./REL/

Të fundit