E premte, 19 Prill, 2024

TIRANË: A PO RIKTHEHET LULZIM BASHA?

Në Shqipëri, ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u rishfaq publikisht të mërkurën, në një takim me të rinjtë, pas pak më shumë se një viti. Siç njofton Zëri i Amerikës, Në mars të 2022-it, ai u largua nga drejtimi i forcës kryesore të opozitës, pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme vendore dhe nën trysninë në rritje të krahut që mbështeste ish kryeministrin Sali Berisha, – transmeton kdp.mk.

Ndonëse evitoi të shprehej për raportet e tij të ardhshme me Partinë Demokratike, e cila zyrtarisht identifikohet me atë pjesë që nuk njohin lidershipin e zotit Berisha, ish kryetari Basha paralajmëroi një lëvizje “për të nisur një proces transformimi të sistemit politik”, dhe “një rrugëtim për të ndryshuar sistemin e falimentuar politik të Shqipërisë, për t’i dhënë fund kapjes së shtetit që buron nga ndryshimet kushtetuese të 2008 dhe për t’i rikthyer shqiptarëve fuqinë e votës”.

Ai paraqiti dhe disa propozime që sipas tij përbëjnë “platformën për ndryshim”, të cilat ai i ka artikuluar dhe më parë, kur ishte në krye të opozitës. Zoti Basha këmbënguli në nevojën për “lista të hapura” në zgjedhje “që zëri i qytetarit të dëgjohet dhe vota e tyre të përcaktojë përfaqësuesit e tyre në parlament”. Por sipas tij kjo duhet të shoqërohet dhe me një proces të ngjashëm me atë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një ide e vjetër e Partisë Demokratike, kur ajo drejtohej nga zoti Basha. Një propozim i paraqitur në parlament u hodh poshtë në vitin 2018 nga Komisioni i Venecias. Ndërsa një riformulim “qëndron që prej një viti në parlament”, deklaroi zoti Basha sipas të cilit “vettingu i politikës është emergjencë kombëtare”.

Propozimi tjetër i zotit Basha, edhe ky i hedhur si ide prej tij kohë më parë, ka të bëjë me kufizimin e mandatit të kryeministrit. “Asnjë kryeministër që nuk arrin dot të realizojë objektivat e veta për dy mandate, nuk mund t’i bëjë me një mandat të tretë, dhe shembullin e kemi para syve”, u shpreh ai duke ju referuar kryeministrit Edi Rama. Ish kryetari demokrat këmbënguli gjithashtu dhe në domosdoshmërinë që emigrantët të mund të marrin pjesë në votime nga vendet ku ata jetojnë.

Tezat e hedhura nga zoti Basha kërkojnë dhe ndryshime kushtetuese, për të cilat nevojiten jo vetëm votat e opozitës, e cila është e përçarë, por nuk mund të kalojnë pa mbështetjen e shumicës. Por për zotin Basha “që t’i bëjmë realitet kemi në dorë të vëmë në lëvizje mekanizma kushtetuesë. 50 mijë qytetarë me firmën e tyre mund të vënë në lëvizje një referendum popullor për një çështje të caktuar”.

Zoti Basha foli disa herë për një sistem politik të kalbur, ndonëse ai vetë, deri marsin e kaluar ka qenë pjesë aktive e tij, dhe me role jo të vogla, nga viti 2005, si në qeveri, apo si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e më pas si drejtues i opozitës që nga viti 2013.

Synimi i tij, ndonëse jo i shprehur në takimin e të mërkurës, duket të jetë rikthimi në krye të Partisë Demokratike, asaj pjese që ka vulën dhe siglën e kësaj force politike. Edhe momenti i zgjedhur, është ai i një paqartësie në këtë grupim, ku pas dorëheqjes së zotit Alibeaj si drejtues i komanduar, ende nuk ka një pasues që formalisht ta çojë atë drejt zgjedhjeve për kryetarin e saj. Largimin e tij një vit më parë, zoti Basha, nuk e cilësoi një dorëheqje, por “tërheqje për një interes të madh, për të mos ushqyer përçarjen mes demokratëve, për t’i dhënë një shans bashkimit të demokratëve. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. Por unë nuk kam hequr dorë kurrë nga ajo që ndjej si përgjegjësi, për të mos i lënë njerëzit në mes të rrugëve, për të mos e lënë kontributin e atyre që më kanë qëndruar në krah, pa shpresë, pa orientim e pa të ardhme” deklaroi ai.

Përballë qëndron grupimi i zotit Berisha. Pavarësisht se së bashku me Partinë e Lirisë së ish presidentit Ilir Meta, koalicioni i tyre, pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit, zoti Berisha tund mbi 500 mijë vota të marra, përpara atyre, 100 mijë votave që shkuan për siglën e PD-së. Por për zotin Basha, “14 maji është data e skandencës përfundimtare të sistemit politik”.

 

Të fundit