E premte, 29 Mars, 2024

“TIK TOKU” MES LIRISË, PËRGJEGJËSISË ETIKE DHE CENSURËS

Pas rastit tashmë të njohur në opinionin publik si “Anesteziologu Tik Toker” dhe vrasjeve të shumë personave në Serbi, në Maqedoninë e Veriut u ngrit dilema se vallë duhet ndaluar Tik Toku? Cilat janë qëndrimet politike mbi përdorimin e Tik Tokut? A është liberaldemokracia në përputhje e kufizimin/ censurën e përdorimit të një segmenti në internet? Cilat janë zgjidhjet e mundshme të pjesshme, që e minimizojnë dëmin nga përdorimi i papërgjegjshëm i Tik Tokut?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Veprimi i papërgjegjshëm, joprofesional dhe joetik i anesteziologut, tashmë i njohur si “Tik Toker”, Valton Dervishi, i cili më 15 prill bëri video live nga Reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, ngriti në nivel shumë të lartë debatin, çështjen se vallë duhet lejuar apo jo rrjeti social Tik Tok me bazë në Kinë, i cili kohëve të fundit është bërë masiv.

Reagimet e arsyeshme të opinionit publik ndaj veprimit joracional të Dervishit ndikuan që atij jo vetëm t’i merret licenca, por edhe të dënohet me një vjet e tre muaj burg, pas akuzave për veprat penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim” dhe “incizim i paautorizuar”. Gjithsesi se publikimi në media dhe rishfaqja e videos në rrjetet sociale ndikoi që personi në fjalë të dënohet, sepse po të mos ndodhte “publiciteti”, ky veprim do të mund të kalonte pahetueshëm dhe pa sanksionim. Siç ndodh shpesh në Maqedoninë e Veriut.

“Të ndalohet Tik Toku”

Siç thamë, me të drejtë ishin reagimet ndaj ngjarjes, por zgjidhjet që kërkoheshin në shoqëri gjithashtu ofroheshin në mënyrë euforike. Sidomos pas vrasjeve masive që ndodhën në Serbi, ku u vranë 18 persona, që sipas analizave të para janë pasojë e ndikimit negativ psikologjik, përkatësisht traumave dhe çrregullimeve psikike ndaj të rinjve që ka shkaktuar përdorimi i tepruar i rrjeteve, sidomos i Tik Tokut, edhe në vendin tonë u shpeshtuan reagimet si në kor ndaj këtij rrjeti.

Maksima “Kur të vjen në komshi, prite në shtëpi”, “Të mbyllet Tik Toku, patjetër të ndalohet edhe me ligj” – ishin disa nga refrenet e stërpërsitura në ambiente joformale, në rrjete sociale, por edhe në diskursin politik. Edhe një pjesë e madhe e prindërve, të cilët për shkak të angazhimeve të shumta nuk arrijnë të kenë mbikëqyrje mbi përdorimin e Internetit nga fëmijët e tyre, zgjidhjen e kërkojnë tek mbyllja e Tik Tokut.

Liberaldemokratja që kërkon censurë ndaj Tik Tokut

Euforike ka qenë edhe kryetarja e Partisë Liberaldemokrate dhe deputete e Kuvendit, Monika Zajkova, pjesë e shumicës qeveritare. Me siguri e ndikuar nga diskursi publik, edhe Zajkova kërkoi ndalimin e rrjetit social Tik Tok dhe rrjeteve tjera që nxisin dhunë.

“Në vend që të rijmë të tronditur dhe në heshtje të pikëlluar dhe të komentojmë në rrjetet sociale, me kohë të reagojmë dhe veprojmë me masa dhe veprime konkrete parandaluese”, theksoi Zajkova në Kongresin e 16-të të Rinisë Liberal Demokratike.

Por, është e habitshme se si kërkon censurë Zajkova, duke qenë liberaldemokrate, pra një politikane që angazhohet për liri të pakontestueshme, sepse ndalimi i përdorimit nënkupton kufizim i lirisë së shprehjes, ndërsa me nenin 16 të Kushtetutës së vendit:

Garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit. Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe e themelimit të lirë të institucioneve për informim publik.
Garantohet qasja e lirë tek informatat, liria e pranimit dhe e bartjes së informatave.
Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet e informimit publik.
Garantohet e drejta e korrigjimit në mjetet e informimit publik.
Garantohet e drejta e mbrojtjes së burimit të informatës në mjetet e informimit publik.
Censura është e ndaluar.

Ndërsa ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Azir Aliu deklaroi se “Aktualisht nuk mbajmë qëndrim për ndalimin e asnjë platforme sociale, por edhe si prindër, besojmë fuqishëm se platformat sociale si fenomen i qytetërimit të kohës sonë duhet të fillojnë të rregullohen”.

Pati edhe raportime të shumta mediatike, që promovonin idenë e ndalimit/ censurës së Tik Tokut në Maqedoninë e Veriut.

Para se të ndalohet, le të mbajmë të gjithë përgjegjësi!

Para se të shkohet drejt hapit përfundimtar, që do ishte mbyllja e Tik Tokut, pse të mos ndërmerren veprime, të cilat do të ishin zgjidhje apo ulje e dëmit që shkakton Tik Toku:

  1. Të përforcohet mbikëqyrja e prindërve ndaj përdorimit të Internetit nga fëmijët
  2. Të ndalohet përdorimi jo vetëm i Tik Tokut në shkolla, por edhe i celularëve, përveç në rastet kur janë në funksion të zhvillimit të njësive mësimore, në të cilat Interneti mund të jetë i dobishëm.
  3. Ndalimi me Rregullore dhe Kodin Etik i përdorimit të celularëve nga arsimtarët gjatë orëve të mësimit në shkollat fillore dhe të mesme.
  4. Ndryshimi i metodave klasike të mësimdhënies, sipas të cilave mësuesi flet dhe nxënësit dëgjojnë, por përfshirja e konceptit “Mësim përmes lojës” përkatësisht përmbajtje mësimore, në të cilat nxënësit janë aktivë.
  5. Ndalimi me Rregullore dhe Kodin Etik i Tik Tokut në administratën shtetërore dhe sektorin publik, siç u miratua vendimi për ndalimin e tij në SHBA.

Si përfundim, Maqedonia e Veriut është vend i lirë dhe nuk mund të mbështesë kufizim të plotë të ndonjë rrjeti social, por institucionet nuk duhet të lejojnë përdorimin e tij në mënyrë të pakontrolluar, siç ishte deri më tani. Pra, një zgjidhje e ndërmjetme, një zgjidhje që nuk shkon në ekstrem, do të ishte jo vetëm e mirëseardhur, por edhe e domosdoshme.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit