E premte, 26 Prill, 2024

GRUBI NË AUDITORIUMIN E INSTITUTIT BIRC: ZYRA IME GJITHMONË DO TË JETË E HAPUR PËR STUDENTËT

Instituti për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) sot në hapësirat e Universitetit të Europës Juglindore, organizoi auditorium me Zëvendëskryeministrin e Parë, Artan Grubi. Tema e diskutimit ishte “Maqedonia e Veriut – sot dhe nesër”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Gjatë kësaj ngjarje, Zëvendëskryeministri Grubi deklaroi se po punohet për të siguruar 80 vota për ndryshimet kushtetuese, pavarësisht propagandës së opozitës.

Më vjen keq për propagandën që bën opozita ndaj qytetarëve të vet. Po i gënjejnë se do bullgarizohen, do asimilohen duke pranuar marrëveshjen e fqinjësisë së mirë apo duke pranuar dhe marrëveshje të tjera prograsive me vendet fqinje. Është ofendim që të luash deri në atë pikë më qytetarët e tu, sepse ky popull i ka bërë ballë çdo asimilimi, nuk u asimilua askush as më ndryshimin e emrit e as më ndonjë proces tjetër. Në prag jemi të ndryshimeve të kushtetues dhe po punojmë për ti pasur 80 vota, ka deputetë në VMRO që janë kundër politikavë anti-BE dhe anti-Mickoski, prandaj duhet të punojmë me deputetë që mendojnë më kokën e vetë dhe mendojnë për përparimin e shtetit dhe ardhmërinë”, tha Grubi.

Ai mes tjerash foli edhe për “Frontin Evropian”, duke shtuar se në këtë front janë të mirëseardhura të gjitha partitë pro europiane.

Në frontin për Evropë duhet të bëhet pjesë të gjithë partitë politike që kanë frymë zhvillimore pro-BE. U munduan 20 vite ta mundin BDI-në dhe nuk ja dolën, eja të bëhemi bashkë dhe të shkojmë në Evropë të mos ngecim si me samitin e Bukureshtit 15 vite… Të gjithë bashkë BDI, ASH, BESA, AA etj… të përcaktohemi se jemi pro Europë dhe larg Moskës”, tha Grubi.

Grubi u ndalë edhe tek projekti Korridori 8. Ai tha se ky projekt do të bashkojë qytetarët si dhe do të zhvillojë edhe më shumë ekonominë e vendit.

Disa politikanë maqedonas kanë ngelur në kohë dhe nuk e perceptojnë dot atë që po ndodh sot. Nga 2001-shi gjërat ndryshuan për shqiptarët dhe shtetin tonë, ne ishin bajraktarë të shumë proceseve zhvillimore për vendin. Tani është koha e ekonomisë dhe zhvillimit infrastrukturor, pra duhet larguar drojtja që kanë disa eksponentë të politikës maqedonase ndaj shqiptarëve. Po bëhet autostradë Shkup-Prishtinë-Tiranë, pra po lehtësohet çdo proces për secilin qytetarë. Gjurma e këtij projekti është bashkimi i qytetarëve dhe për këtë dua të mbahemi mend. Me Bechtel Enkan do të kemi punë transparente sepse në asnjë vend të rajonit nuk ka pasur keqpërdorime por ka pasur korrektësi dhe projekte gjigante”, u shpreh Grubi.

I pyetur për “fërkimet” e kohëve të fundit që po i bën opozita ndaj zhvillimeve politike, Grubi tha se po zhvillohet politikë e frikës dhe e regresit.

Nëse ndalemi dhe i shohim zhvillimet ndër vite në shtetin tonë, shohin se njëra palë ka qenë gjithmonë kundër, që nga lufta e vitit 2001, Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshjeve të tjera si dhe çdo arritje tjetër. Pra, fatkeqësisht kështu janë rrëthanat tek ne, sepse zhvillohet politikë me ndjenjën e frikës nga shqiptarët, bullgarët, grekët etj… Neve na duhet progress dhe jo regres, sepse asnjë e keqe nuk i vjen këtij vendi nga marrëveshjet e paqes, marrëveshjet e zhvillimit, apo marrëveshje infrastrukturore. Politikanët marrin vendime të rëndësishme dhe guximshme që do t’i gëzojnë dhe brezat e ardhshëm”, deklaroi Grubi.

Pjesë e këtij auditoriumi ishin edhe studentët e UEJL-ës. I pyetur nga studenti Demir Demiri se sa Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive përkujdeset për parlamentet studentore, Grubi tha se “dyert në ministrinë që unë e drejtoj janë të hapura gjithmonë për rininë.”

“Gjithmonë do të ju pres në rast se shprehni interesim për takim apo dëshirë për tu njoftuar me punën që bëjmë ne atje, madje edhe për punë praktike pse jo. Gjithmonë kam thënë dhe them se neve na duhen njerëz punëtore dhe të vyjshëm, ndaj shihni se ku mund të jepni kontribut, sepse tek ne i keni dyert e hapura për ndërtim të përvojes profesionale”, deklaroi Grubi.

Videon e plotë të Auditoriumit me Grubin mund ta ndiqni në videon më poshtë:

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Të fundit