E enjte, 18 Prill, 2024

PJESËMARRJA E DREJTORIT TË BIA-S NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE TË SIGURISË NË MOSKË KRITIKOHET NGA SHBA DHE UKRAINA

Ambasadat e Ukrainës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, – transmeton kdp.mk.

Siç njofton REL, ambasada e Ukrainës, ka thënë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës për REL.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në një deklaratë me shkrim për REL ka thënë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.

Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.

Media shtetërore ruse më 24 maj ka raportuar se drejtori i BIA-s, Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.

Në fotot e publikuara nga Russia Today Balkan, në gjuhën serbe, si pjesë e lajmeve të 24 majit, Vulin shihet me pjesëmarrësit e tjerë të Konferencës, përfshirë Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska – njërën prej entiteteve të Bosnje-Hercegovinës.

Vulin është një nga zyrtarët e paktë evropianë që ka vazhduar vizitat te zyrtarët rusë në Kremlin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Po në të njejtën datë, 24 maj, disa media në Serbi publikuan lajmin se në Konferencën në Moskë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Daçiq e ka mohuar më pas këtë informacion.

Ai ka thënë se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në atë konferencë, dhe për këtë arsye as që ka planifikuar udhëtim në Rusi.

Nuk kam marrë as ftesë për ndonjë konferencë, kështu që as që ishte planifikuar të merrja pjesë në të”, ka thënë Daçiq, më 25 maj.
Në hapjen e Konferencës, e cila zyrtarisht quhet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë, ka folur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Siç kanë raportuar mediat shtetërore ruse, Putin ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve me vendet mike.

Ndërkaq, Serbia, me gjithë përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me bllokun evropian, dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Të fundit