E premte, 26 Prill, 2024

PROJEKT PËR ZGJIDHJE DIGJITALE INOVATIVE NË KOMUNËN E TETOVËS

Në kuadër të procesit të digjitalizimit, sot është prezantuar projekti i Komunës së Tetovës në partneritet me Fondacionin Albiz, “Zgjidhjet digjitale komunale inovative në komunën e Tetovës”. Projekti është në kuadër të programit “BE për Komunat” i financuar nga BE.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se përmes këtij projekti të digjitalizimit dhe përdorimit të platformave dhe mjeteve digjitale, qytetarët, mediat, organizatat shoqërore, bizneset, dhe të tjerët do të kenë akses në informacionin e nevojshëm për proceset dhe shërbimet.


“Projekte të tilla, të financuara nga Bashkimi Evropian, janë frymëzim dhe duhet të inkurajohen edhe më shumë. Bashkëpunimi ynë me BE-në është një partneritet i çmuar dhe duhet të vazhdojmë të zhvillojmë projekte të suksesshme dhe të rrisim ndikimin pozitiv në jetën e qytetarëve tanë. Shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe jam i bindur se, përmes punës së përbashkët dhe bashkëpunimit të ngushtë, do të arrijmë të bëjmë progres drejt anëtarësimit në BE”, theksoi Kasami.

Ai gjithashtu tha se Projekti “Zgjidhje inovative digjitale komunale në Komunën e Tetovës” është një shembull i rëndësishëm i kësaj përpjekjeje.

Ndërkaq, shefi i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në RMV, Steffen Hudolin tha se ky projekt fokusohet në digitalizimin e shërbimeve, në shërbimet për qytetarët në komunat vendore, në mënyrën se si t’u drejtohen lehtësisht shërbimeve të digitalizuara dhe të përfitojnë nga to.

Ai shtoi se BE ka mobilizuar mbi gjysmë milioni euro si financim fillestar për këto projekte.


Tani, digitalizimi nuk është i lehtë, të gjithë e dimë se është një sfidë e madhe për këtë vend, por edhe për shumë vende anëtare të BE-së. Ne kemi mobilizuar më shumë se gjysmë milioni euro si grant për këtë projekt, për ta realizuar këtë.“, tha Hudolin.

Nga ana tjetër, Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz, vuri në dukje se kjo iniciativë do të çojë në rritjen e standardit të implementimit të projektit në fusha të ndryshme. Ai gjithashtu nënvizoi se projekti në fjalë do të përmirësojë shërbimet në komunën e Tetovës si dhe do të edukojë qytetarët për përdorimin e këtyre shërbimeve të ofruara nga kjo platformë.

Nga ky takim mund të përcjellim se ky trekëndësh i bashkëpunimit mund të ju bëjë ballë sfidave të ndryshme, si dhe sfidave të digjitalizmit. Vlen të theksohet se ky projekt do të përmirësojë shërbimet në njërën anë nga komuna e Tetovës, ndërsa në anën tjetër do të edukojë qytetarët për të shfrytëzuar këto shërbime të cilat do të ofrohen nga kjo platformë, duke rritur edhe standardin e implementimit të këtij projekti në fusha të ndryshme“, theksoi Dernjani.

Projekti “Zgjidhjet inovative digjitale komunale në komunën e Tetovës” është projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian me kohëzgjatje prej 40 muajsh dhe me buxhet prej 616,055.76 €. Objektivi specifik i projektit është aplikimi i një zgjidhjeje TIK për përmirësimin e shërbimeve urbanistike dhe të inspektorëve komunal. Aktivitetet përfshijnë zhvillimin e një platforme të përshtatur për TIK dhe ngritjen e kapaciteteve për stafin komunal si dhe promovimin e përdorimit të zgjidhjes TIK nga qytetarët dhe ndërmarrjet.

Kujtojmë se projekti në fjalë do të digjitalizojë shumicën e shërbimeve komunale, stafin e trajnuar, qytetarët dhe bizneset, duke rezultuar në një nivel më të madh të mbledhjes së fondeve të dedikuara komunale dhe ndarjen е kohës për investime të mëtejshme në zhvillimin e urbanizmit, shërbimet e inspektimit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Të fundit