E shtunë, 27 Prill, 2024

FILLOJNË STËRVITJET USHTARAKE SHUMËKOMBËSHE “DEFENDER EUROPE 2023”

Në zonën e Gjakovës, nga dje e deri më dy qershor, zhvillohen stërvitjet ushtarake të ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Evropë, “Defender Europe 2023”. Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se, transmeton kdp.mk, këto janë manovrat më të mëdha ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit.

Të dielën në Prishtinë u zhvillua ceremonia hapëse e stërvitjes së përbashkët ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 23” e cila drejtohet nga komanda për Evropë e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova do të jetë për të dytën herë mikpritëse e stërvitjes qe vlerësohet si më e madhja ndërkombëtare në Rajon dhe që synon të zhvillojë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve e aleatëve të NATO-s.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të dielën se “Defender Europe 23” është një stërvitje posaçërisht e rëndësishme tani kur ka një agresion të pajustifikueshëm rus në Ukrainë.

“Një nga qëllimet e kësaj stërvitjeje është të dëshmojmë se ushtria amerikane është e gatshme, e aftë për të zbarkuar me shpejtësi trupa e paisje luftarake, për t’i siguruar aleatët tanë, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen, si dhe për ta mbrojtur kontinentin e Evropës nga agresioni”, tha ambasadori Hovenier.

Sikurse njofton Zëri i Amerikës, udhëheqësit e Kosovës thanë se kjo stërvitje është simbol i vendosmërisë së vendit për ta ruajtur paqen në botë dhe i përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes të vendeve demokratike.

“Rruga jonë përpara është e pandalshme, e ne jemi të vendosur fuqishëm në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit si faktor jetik në fuqizimin e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë. Në një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë ku sfidat e kërcënimet sa vijnë e bëhen gjithnjë e më komplekse, rëndësia e bashkëpunimit me aleatët në fushën e mbrojtjes, krahas të gjitha fushave tjera, është e domosdoshme dhe ekzistenciale”, – ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Mbi një mijë e 300 pjesëtarë të FSK-së janë përfshirë në detyra stërvitore ushtarake përkrahë 24 mijë forcave nga shtetet anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përgatitja për realizimin e suksesshëm të stërvitjes ‘Defender Europe 23’ ka filluar prej një viti e gjysmë, trajnime të vazhdueshme, investime në blerje ushtarake, paisje dhe sistemi, shkollim e stërvitje të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit. Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standadeve të NATO-s sepse rruga jonë është e qartë, destinacioni është një dhe i vetmi – anëtarësimi në NATO”, – ka deklaruar ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Bëhet, po ashtu e ditur se stërvitjet e koduara “Defender Europe 23” do të zhvillohen në dhjetë vende në Evropë.

Kështu, këtë të hënë në ceremoninë e hapjes zyrtare të stërvitjes në sheshin “Nënë Tereza”, presidsenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ritheksoi përkushtimin e Tiranës zyrtare për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon e më gjerë, për shkak se, tha ai, rëndësia e kësaj stërvitjeje është më e prekshme dhe mëse e nevojshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor:

Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë”- ka deklaruar Presidenti shqiptar.

Të fundit