E enjte, 2 Maj, 2024

KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT: “VIHET RE NJË KLIMË E LARTË APATIE” PËR ZGJEDHJET E SË DIELËS

Në Shqipëri, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet vendosre të 14 majit janë vërejtur disa incidente, por “në tërësi fushata nuk është shoqëruar me incidente të rënda. Megjithatë, është shumë shqetësues fakti se ajo është realizuar në një klimë tepër e polarizuar politike. Kjo klimë ka reflektuar me elementë të theksuar të gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjellta, në cënim të dinjitetit njerëzor ndaj drejtuesve dhe kandidatëve të subjekteve zgjedhore,” – thuhet në Raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit që si pjesë e nismës “Ndërtimi i integritetit elektoral dhe qëndrueshmërisë së partive politike: Rritja e rolit mbikëqyrës dhe kërkesave të qytetarëve nëpërmjet mbështetjes së OShC-ve, mediave dhe akademisë”, mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike në Tiranë, ka bërë monitorimin e fushatës për këto zgjedhje vendore në Shqipëri. 

Përgatiti: KDP

Në Tiranë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një raport të bërë publik për mediat, në prag të zgjedhjeve të së dielës, vlerëson partitë pjesëmarrëse në këtë garë thuajse nuk ka bërë fushatë për programet politike me të cilat do të bindnin votuesit, ndërkohë që retorika është  përqëndruar “në premtime të pa studiuara, të tepruara, të cilat nuk shfaqën interes për elektoratin e gjerë, duke u kthyer me efektin bumerang për partitë politike. Mungesa e platformave dhe retorika premtuese për çështje që nuk janë në përgjegjësi të pushtetit vendor, por e atij qendror, kufizoi në tërësi zgjedhësit nga mundësia për t’u njohur me idetë dhe vizionin e subjekteve/kandidatëve, për shërbimet dhe lehtësitë e tjera publike vendore do të ofronin në dobi të bashkisë”.

KShH thotë, po ashtu, se “refuzimi i regjistrimit të subjektit zgjedhor PD nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, është ndër vendimet e diskutueshme të KQZ-së që solli vonesa për administrimin e procesit. Në vlerësimin e KShH-së, qëndrimi i Komisionerit ishte i gabuar dhe kjo u sqarua në vendimmarrjet e KAS, e cila, me vendimin nr. 27, datë 16.03.2023. Kjo vonesë në regjistrimin e subjektit zgjedhor PD, solli me efekt domino vonesa të pjesshme në regjistrimin e koalicioneve, regjistrimin e kandidatëve dhe plotësimin e një pakice anëtarësh të KZAZ-ve”– thuhet në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në të njëjtën kohë, kjo organizatë joqeveritare ka nënvizuar se partitë politike nuk kanë respektuar Kodin Zgjedhor, duke nisur fushatën zgjedhore para kohe:

“Pavarësisht se fushata zgjedhore sipas nenit 77 të Kodit Zgjedhor, duhet të fillojë vetëm 30 ditë para ditës së zgjedhjeve, vëzhguesit afatgjatë të KShH-së kanë raportuar se ky detyrim nuk është respektuar, pasi janë referuar raste të zhvillimit të takimeve elektorale në ambiente publike si lagje, rrugë, me grupe qytetarësh apo edhe në lokale private. Në një pjesë të këtyre rasteve, pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të administratës publike, ngjarje për të cilat, KShH ka vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi ka vlerësuar se është cenuar neni 91 i Kodit Zgjedhor që ndalon përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”,- thuhet në raport dhe rikujtohet se Kodi Zgjedhor shqiptar nuk parashikon sanksione për këtë.

Sipas Raportit, numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta. Në vlerësimin tërësor të KShH-së rezulton se “ka munguar roli pro-aktiv monitorues i zbatimit të vendimmarrjeve përfundimtare të KQZ-së (sikurse është ndalimi për rishpërndarjen e postimeve me karakter politik të Ministrave nga institucionet shtetërore). Nga ana tjetër, institucionet shtetërore kanë shfaqur një qasje jo reflektuese ndaj sanksioneve të dhëna për tipologji të ngjashme shkeljesh të sanksionuara më herët nga KQZ.

Po sipas KShH-së, fushata zgjedhore e pasqyruar në media është përqëndruar më së shumti në retorikat midis drejtuesve të partive politike, ndërkohë që debati dhe ballafaqimi i platformave midis kandidatëve të forcave të ndryshme politike ka munguar:

“Në përgjithësi, vihet re një klimë e lartë apatie pasi zgjedhësit e kontaktuar në terren në Bashkitë Korçë, Kukës, Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Vlorë e Fier deklarojnë se janë të zhgënjyer nga partitë politike,”– thotë Raporti që kritikon edhe përfshirjen dhe shfrytëzimin e “administratës dhe burimeve shtetërore për promovimin e subjekteve zgjedhore apo kandidatëve të caktuar është në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor”:

“Kjo dispozitë është shkelur në disa raste nga ana e subjekteve zgjedhore, e për këto raste KShH i është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Asetet publike të përdorura nga ana e subjekteve zgjedhore ishin të formave të ndryshme, duke filluar që nga shfrytëzimi i administratës shtetërore, burimeve materiale të institucioneve apo përdorimi i mjeteve të komunikimit elektronik, si një formë e re e shpërdorimit të aseteve publike e përhapur tej mase viteve të fundit,” – thuhet ndër të tjera në Raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

 

Të fundit