E martë, 30 Prill, 2024

AKADEMIK BEXHETI: HIPOKRIZIA E KUNDËRSHTARËVE TË KORRIDORIT VIII

Akademik Abdylmenaf Bexheti, aktualisht rektor i Universitetit të Evropës Juglindore, ka dalë në mbrojtje të Korridorit VIII, duke drejtuar gishtin kah kundërshtarët e tij e duke argumentuar se të njëjtët nuk e hedhin poshtë për arsye ekonomike! Siç njofton kdp.mk, Bexheti argumenton se ky korridor do ta bëjë Maqedoninë një udhëkryq ndërkombëtar edhe me levërdi ekonomiko-financiare e gjeopolitike e jo shtet vetëm me lidhje trasportuese veri-jug“!

„Që para një çerekshekulli, si ministër i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve (1997/1998) jemi angazhuar për përfshirjen strategjike të Korridorit VIII në Korridoret Panevropiane. Mund të them se ky projekt që atëherë është obstruktuar nga pala „greko-serbe“, përkatësisht për shkak të Korridorit X!“– thotë profesor Bexheti duke rikujtuar se deklarativisht ideja dhe projekti ka qenë mbështetur „nga të gjitha elitat politike maqedonase“ të cilat, në programet e veta, e shikonin Korridorin VIII si projekt strategjik, mirëpo është fakt se lidhjet infrastrukturore në drejtim të Bullgarisë dhe Shqipërisë atëherë e sot kanë mbetur „zorrë qorre“. Gjithë kjo,sipas tij, ka bërë që „Maqedonia e Veriut të mbetet shumë më prapa Kosovës dhe Shqipërisë edhe pse para dy dekadave ishin shumë pas nesh“.

„Vallë, a nuk është kjo fushatë kundër këtij korridori, me rëndësi të shumëfishtë, një hipokrizi e pastërt? Në fakt, tani u kuptua faktikisht përse dështoi edhe segmenti i rrugës Kërçovë-Ohër i cili u nis për të mos përfunduar kurrë. Përtej kësaj, me përzgjedhjen e kompanisë prestigjioze „Bechtel-Enka“, jam i bindur se kjo histeri, për të mos thënë ky turp, do t’i përkasë të kaluarës,“- thekson Bexheti duke argumentuar se dyshimet dhe kritikat në adresë të projektit janë të „nxituara“, për shkak se, nëvizon ai, përzgjedhja e zbatuesit të punimeve do të bëjë që vet kjompania amerikano-turke „Bechtel-Enka“ të mos lejojë „cënimin e reputacionit dhe rrezikimin e referencave të fituara gjithandej Evropës“!

„Mund t’i mirëkuptoj dyshimet që vijnë nga një pjesë e qytetarëve të frustruar për shkak të rrethanave në të cilat u miratua Ligji për Investime Staretgjike apo edhe përzgjedhjen e mbykëqyrësit të projektit, por nuk i marr vesh aspak disa politikanë të cilët më dalin dhe si autorë të programeve të partive të veta ku pikërisht kanë nënvizuar se Korridori VIII është i të njëjtës peshë, i të njëjtit prioritet, si ai Veri-Jug, por që nuk bënë asgjë për ta çuar atë përpara“– deklaron profesor Bexheti, i bindur se pikërisht për shkak të „pluhurit të ngritur“, organet kompetente e ligjzbatuese do të mbajnë nën llupë ndërtimin e këtij korridori. Përtej kësaj, ai është kritik edhe ndaj propozimit të opozitares VMRO-DPMNE për anulimin e marrëveshjes me kompaninë „Bechtel-Enka“:

„Vërtet nuk i kuptoj motivet për një propozim të tillë! Nuk i kuptoj për shkak se nuk janë fare parimorë dhe konzistentë, sepse nuk e bënë një veprim të tillë kur vet e bënë marrëveshjen për segmentin e po këtij korridori në aksin Kërçovë-Ohër të cilin edhe sot po e shohim se si po realizohet – me „hapa breshke“, por edhe me kosto të dyfishuar nga ajo fillestarja! Po të kishin qenë parimorë e të reagonin edhe për këtë, dyshimet aktuale do t’i kishin legjitime,“– thotë akademik Bexheti, duke iu përgjigjur edhe kritikave për koston e projektit:

Nuk e thotë populli më kot se fukarenjtë paguajnë shumë herë më shtrenjtë. Kjo ne na na ka ndodhur të thuash me të gjitha projektet e deritashme. Ju kujtohet se çfarë ndodhi  në disa pjesë të Korridorit X me firma të huaja e të vendit (si ajo e ,,Aktor-it,, grek), ose me hekurudhën Bellakovc- Kufiri me Bullgarinë për çka u shpenzuan të gjitha mjetet e parashikuara investuese në shumën rreth 250 milionë dollarë, projekt ky që për tri dekada nuk është realizuar as edhe 30% deri sot që po flasim?“.

Me projektin “Korridori 8” është planifikuar ndërtimi i autostradave: Tetovë-Gostivar, Kërçovë- Bokujçani, Strugë – Qafëthanë, në kufirin me Shqipërinë në një gjatësi prej 68 kilometrash. Ndërsa “Korridori 10-D” do të lidhë Prilepin me Manastirin në një gjatësi prej 40 km autostradë. Siç edhe mësohet, autostradat do të jenë me nga tre korsi në një drejtim, ndërsa projekti pritet të finalizohet në një periudhë prej pesë viteve nga fillimi i punimeve. Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit. Vetëm komponenti i këtij korridori pritet të gjenerojë rreth 1,5% rritje ekonomike vjetore.

Aktualisht, Marrëveshja e arritur me kompaninë amerikano-turke “Bechtel&Enka”, njofton kdp.mk, ka shkaktuar një valë polemikash mes qeverisë dhe opozitës maqedonase, si dhe reagime të shumta të qarqeve maqedonase të cilat këtë investim strategjik e shohin si investim në hapësirën e banuar me shqiptarë e jo me rëndësi për mbarë vendin./Kdp.mk/

Të fundit