E shtunë, 4 Maj, 2024

MARRËVESHJA PËR KORRIDORIN VIII DO TË “ZBARDHET” NË SEANCË TË MBYLLUR

Prezantimi i Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit VIII dhe 10d para deputetëve në Kuvend ka qenë temë bosht e takimit të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, me ​​koordinatorët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

“Qëndrimi i të pranishmëve në koordinim është se, duke qenë se nisma është e opozitës, ndërsa opozita nuk merr pjesë në koordinim; opozita t’i propozojë kryetarit organ kompetent për shqyrtimin e Marrëveshjes dhe të përcaktojë datën kur do të shqyrtohet Marrëveshja. Menjëherë pas hapjes së seancës së komisionit, deputetët do të deklarojnë mbylljen e seancës për publikun,”–  transmeton kdp.mk kumtesën zyrtare lidhur me  takimin e kryeparlamentarit Xhaferi me koordinatorët e grupeve parlamentare.

Njoftimit nga parlamenti i ka paraprirë një reagim i deputetit të opozitares VMRO-DPMNE, Antonio Miloshoski sipas të cilit Komisioni i Transportit është organi kompetent që shqyrton materialet për ndërtimin e objekteve investive në fushën e transportit dhe trafikut rrugor. “Çdo improvizim tjetër do të jetë vetëm edhe një përpjekje tjetër që kjo marrëveshje të mbahet në fshehtësi,”– shkruan Miloshoski në një status të tij në facebook.

Duke pasur parasysh se marrëveshja është e klasifikuar, pra vetëm deputetët që posedojnë certifikatë sigurie mund të kenë njohuri për përmbajtjen e saj, sipas kumtesës, Marrëveshja do të shqyrtohet në një seancë të Komisionit, e cila do të jetë e mbyllur për publikun dhe në të do të marrin pjesë vetëm deputetë të cilët posedojnë certifikata sigurie.

Aktualisht, Marrëveshja e arritur me kompaninë amerikano-turke “Bechtel&Enka”, njofton kdp.mk, ka shkaktuar një valë polemikash mes qeverisë dhe opozitës maqedonase, si dhe reagime të shumta të qarqeve maqedonase të cilat këtë investim strategjik e shohin si investim në hapësirën e banuar me shqiptarë e jo me rëndësi për mbarë vendin.

Të fundit