E diel, 19 Maj, 2024

GANIU TAKON PRESIDENTEN OSMANI, PËRUROHET RRUGA “ IBRAHIM RUGOVA”

Osmani: “Padyshim që kjo rrugë, të cilën e përuruam sot, bashkë me kryetarin e Komunës, Visar Ganiu, bijën e Presidentit Rugova dhe me miq të shumtë të shtetit tonë, do të shërbejë si udhërrëfyes i veprës dhe rikujtim i trashëgimisë historike të Presidentit Rugova”

Ganiu: “Kjo është gjëja më e vogël që ne mund të bëjmë për një lider kaq të shquar të kombit tonë, një njeri që deri në çastin e fundit të jetës së tij frymoi për Kosovën në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi”

Shkruan: Gentuar Ismaili

Rruga e cila të çon kah kufiri midis  Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, nga sot do të quhet me emrin e ish presidenti të Kosovës Ibrahim Rugova. Në ceremoninë e inagurimit ishte pjesëmarrëse edhe presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Ajo mes tjerash tha se komuna e Çairit me këtë gjest e ka përjetësuar emrin e presidentit historik të Kosovës.

“Padyshim që kjo rrugë, të cilën e përuruam sot, bashkë me kryetarin e Komunës, Visar Ganiu, bijën e Presidentit Rugova dhe me miq të shumtë të shtetit tonë, do të shërbejë si udhërrëfyes i veprës dhe rikujtim i trashëgimisë historike të Presidentit Rugova”, u shpreh presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu tha se kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjnë për figurën e shquar të presidentit historik Rugova.

“Kjo është gjëja më e vogël që ne mund të bëjmë për një lider kaq të shquar të kombit tonë, një njeri që deri në çastin e fundit të jetës së tij frymoi për Kosovën në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi”, u shpreh kryetari Ganiu.

Përndryshe, e para e shtetit të Kosovës ka qëndruar për një vizitë dy ditore në vendin tonë, ku është takuar me  kryeministrin Dimitar Kovaçevski, kryeparlamentarin Talat Xhaferin dhe presidentin Stevo Pendarovski, të cilët i falënderoi për mbështetjen e tyre drejtë rrugës integruese të Kosovës. Ndërkohë, presidentja Osmani mbajti edhe një fjalim rasti në shtëpinë ligjvënëse, ku ritheksoi rëndësinë e marrëdhënieve ndërfqinjësore. Përpos me krerët më të lartë shtetërorë, ajo u takua edhe me kryetarin e komunës së Çairit Visar Ganiun, ku ishin së bashku për të bërë homazhe tek përmendorja e Skënderbeut dhe Hasan Prishtinës.

Përveç aktiviteteve politike, Osmani mbajti një fjalim në Instituti e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në RMV si dhe ka vizituar edhe Universitetin e Tetovës.

Të fundit