Autore: Ramanda Shehu
Të rinjtë ikin në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian (BE), ku gjejnë vende pune shumë më të paguara se në vendlindje. Kjo valë e ikjeve ka krijuar zbrazëtira të shumta në profesione të ndryshme, gjë që paraqet një problem serioz për funksionimin e ekonomisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Megjithatë, Menan Selimi ka dëshmuar se mund të ndodhë edhe një trend i kundërt: ai i kthimit të të rinjve në vendlindje. Menani tash është bashkëpunëtor i lartë kërkimor (profesor i asociuar) në Institutin Max van der Stoel (MVDSI), Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL). Në MVDSI është kreu i grupit të kërkimit të Sistemeve të Shpërndara dhe Shkencës së të Dhënave (DSG).
Para se t’i bashkohej UEJL-së, Menani ka qenë bashkëpunëtor kërkimor postdoktoral në Universitetin e Kembrixhit. Në Kembrixh, ka qenë i lidhur me Laboratorin e Rrjeteve për Zhvillim (N4D Lab) ku ka punuar në projektet EU H2020 RIFE dhe UMOBILE. Ai ka bërë doktoraturën në UPC BarcelonaTech dhe Universitetin e Lisbonës. Para kësaj, ka kaluar një kohë si studiues në Institutin Max Planck për Sistemet Softuerike dhe Shkollën e Shkencave Kompjuterike të Universitetit Saarland.