E premte, 29 Mars, 2024

TËRHIQ E MOS E KËPUT NË BDI

Loja e nervave në mes grupeve në BDI ka gjasë të zgjasë, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose dikë mund ta lëshojnë nervat dhe ta tërheq për ta këputur, ndërkaq qytetarët e mes tyre edhe shumicën e votuesve dhe anëtarëve të BDI moti i kanë lëshuar nervat nga situata ekonomike, politike dhe mungesa e perspektivës për veten dhe familjet e tyre

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Situata brenda BDI-së  i ngjason fjalës popullore ‘Tërhiq e mos e këput’’ ku të dyja palët në konflikt janë të betonuar në pozitat e tyre e asnjëra nuk e merr hapin e radhës për t’i dhënë fund kësaj përplasje. Tash kur është e qartë se kryetari i partisë, Ali Ahmeti është bërë palë në këtë konflikt dhe ka marrë në mbrojtje grupin e funksionarëve të udhëhequr nga Artan Grubi, duket që i njëjti nuk është ende në pozitë për të hedhur në tavolinë kartën e fundit, atë të përjashtimit de fakto të fraksionit përmes shkarkimit nga të gjitha pozitat drejtuese në parti. Jozyrtarisht u mësua që Këshilli Mbikëqyrës i partisë, e që për ironi i njëjti u themelua me insistimin e ‘’grupit të zjarrit’’, ka propozuar te kryetari Ahmeti që të shkarkojë nga funksionet partiake fraksionin e udhëhequr nga deputeti dhe kryetari i degës së Çairit, Izet Mexhiti për shkelje statutare. Kjo mund të lexohet si blof apo si një përpjekje për presion përmes kërcënimit nga ana e Ahmetit para mbledhjes ku pritej të diskutohet mbi pakënaqësitë, e që për asnjërën prej qëllimeve nuk dha rezultat, ashtu siç nuk dha rezultat as shkarkimi i të gjithë funksionarëve qeveritarë që u renditën hapurazi tek të pakënaqurit. Duke u nisur nga status quo-ja në të cilin hyn konflikti dhe nëse në ditët në vazhdim kryetari i BDI-së nuk merr vendimin e pritur për shkarkim, do të pasojë një lojë e gjatë nervash mes dy palëve, e që për fat të keq do duhet edhe opinioni të lodh mendjen e të humb kohën në lojërat e oborrit të BDI-së. Si mund të mbahet status quo-ja e konfliktit të ngrirë mes palëve:

  1. Tërhiq e mos e këput – Ali Ahmeti do të vazhdojë t’i fryjë narrativit që në BDI nuk ekziston një grup i tillë dhe se në parti nuk ka përçarje, ndërkohë që do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të izoluar dhe margjinalizuar zjarrin brenda partisë. Ndërkaq fraksioni i të pakënaqurve do të vazhdojë përpjekjet për të mobilizuar jo vetëm funksionarë të lartë brenda partisë, por të mbledh çdo mbështetje të mundshme nga votuesit e bazës dhe përmes kësaj të rris presionin ndaj Ahmetit për të ndryshuar qëndrim. Dalja nga kjo situatë është thuajse e pamundur pa mposhtjen e njërës palë. Ajo që gjithashtu mund të ndodh me qëllimin për të shpëtuar Ali Ahmetin do të ‘’digjen’’ të dyja palët në konflikt, dhe një palë e tretë, e afërt me të dy fraksionet, por e papërfshirë drejtpërdrejtë në konflikt, do të kap partinë.
  2. Lufta speciale e informacionit – Palët veç më janë në një betejë të ashpër të informacionit mes veti. Kjo luftë zhvillohet kryesisht përmes kampanjës negative, shpifjeve dhe nënçmimeve të kundërshtarit. Rrjetet sociale janë të mbipopulluara me profile të rrejshme dhe faqe anonime duke plasuar informacione herë të dëmshme për palën kundërshtare, e herë lajme pozitive në shërbim të grupit për të cilin propagojnë. Shpesh herë këto postime dinë të denigrojnë prej çështjeve personale deri tek akuzat për korrupsion dhe bashkëpunim me grupe kriminale. Megjithatë, akuzat nuk kanë kulmuar për t’u ndjekur me fakte konkrete por vazhdojnë të plasohen në formë të thashethemeve dhe teorive konspirative, duke shërbyer më shumë si mesazh për kapacitetin dhe informacionet me cilët disponojnë për kundërshtarët. Në qoftë se kjo përplasje do të vazhdojë me të njëjtin intensitet ose do të ashpërsohet në bazë të zhvillimeve mes dy grupeve, nuk është aspak e çuditshme që në opinion do të plasin skandale e afera korruptive, disa prej të cilave janë veç më sekrete publike, por të paplasuara në opinionin e gjerë.
  3. Anarkia dhe demokracia në BDI gjithashtu po bëhen pjesë e diskursit – kryetari Ahmeti në më tepër raste është shprehur kundër anarkisë brenda partisë së tij. Në fakt, problemi i Ahmetit dhe BDI-së nuk është anarkia por vetë mentaliteti dhe forma e veprimit të kësaj partie, e njohur me frazën: Në fund do të vendos kryetari. Po të analizohet statuti i kësaj partie si dhe historiku i veprimit, lehtësisht mund të vihet në përfundimin se partia është Ali Ahmeti dhe Ali Ahmeti është partia. Ky i fundit mund të vendos për koalicione, prishjen e tyre, ndryshimin e tyre, mund të shkarkoj kryetar dege, mund ta shpërbëj degën dhe të gjitha këto edhe de jure në bazë të statutit edhe de fakto në bazë të praktikës. Jo rallë herë ai i ka nxjerrë kryesinë e ngushtë dhe organet tjera të partisë para aktit të kryer, e në raste të tilla debati demokratik është i kotë, ndërkaq kundërshtimi gjithmonë mund të interpretohet si tendencë për anarki. Prandaj, demokracia dhe anarkia në BDI nuk definohen sipas fjalorit, por sipas interpretimit të atij që vendos gjithmonë në fund, pra kryetarit të partisë.

Loja e nervave në mes grupeve në BDI ka gjasë të zgjas, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose dikë mund ta lëshojnë nervat dhe ta tërheq për ta këputur, ndërkaq qytetarët e mes tyre edhe shumicën e votuesve dhe anëtarëve të BDI moti i kanë lëshuar nervat nga situata ekonomike, politike dhe mungesa e perspektivës për veten dhe familjet e tyre.

Të fundit