E premte, 19 Prill, 2024

KOPERI-QYTETI I PREFERUAR I PËRVOJAVE ERASMUS

Sllovenia është një ndër vendet më të preferuara nga studentët të cilët vijnë për të studiuar nëpërmjet programit Erasmus . Koperi është një nga qytetet që ofron aktivitete të ndryshme për studentët si dhe një studim prestigjioz. Studentë të programit Erasmus shprehen për KDP tejet të kënaqur për jetën studentore dhe për mundësitë që i ofron Universiteti i Primorskës. Organizatat studentore në Koper janë shumë aktive dhe gjithmonë të gatshme për t’i ndihmuar studentët të organizojnë jetën e tyre dhe të fillojnë që ta krijojnë rrjetin e tyre social. Rrjeti Studentor Erasmus organizon javën e mirëseardhjes ose orientimit për të ndihmuar studentët ndërkombëtarë të njohin njëri-tjetrin dhe të vendosen aty. Ata gjithashtu organizojnë shumë ngjarje sportive dhe kulturore, festa dhe udhëtime.

Shkruan: Puhiza Osmani

Koper është një nga qytetet universitare që e bën të lehtë për të gjithë studentët që ta rregullojnë jetën e tyre studentore dhe ta shijojnë kohën e tyre të lirë. Universiteti i Primorskës ka gjithashtu një sistem tutorësh, ku studentët ndihmojnë studentët e tjerë në shumicën e fakulteteve. Të qenit student në Koper të Sllovenisë sjell shumë përfitime të tjera si për studentët sllovenë ashtu edhe për studentët ndërkombëtarë, të cilët gëzojnë zbritje në transportin publik, tarifat e hyrjes në ngjarje ose aktivitete të ndryshme. Përfitimi më i madh i të qenit student janë vaktet e subvencionuara shumë të disponueshme në një gamë të gjerë restorantesh anembanë Sllovenisë.

Gema Montresor 23 vjeçe nga Verona, e cila studion për infermieri ka vendosur që ta bëjë praktikën në spitalin e Koperit. Asaj i pëlqen shumë të studiojë në Universitetin e Primorskës dhe thotë se kolegët e saj janë shumë miqësorë ndaj saj, si dhe do të donte të punonte për një spital si ai i Koperit kur të mbarojë studimet.

“Vendosa të aplikoj për shkëmbimin Erasmus sepse doja të takoja kolegë dhe profesorë të rinj jashtë vendit dhe të fitoja përvojë studimi në një fakultet tjetër. Zgjodha Universitetin e Primorskës në Koper kryesisht për shkak të madhësisë së fakultetit dhe ofertës së shkëlqyer të programeve të studimit për studentët e shkëmbimit. Qyteti i Koperit është gjithashtu i njohur për shumë ngjarje interesante për studentët e Erasmus. Deri tani kam takuar shumë studentë nga pjesë të ndryshme të Evropës dhe me mbështetjen e Rrjetit Studentor Erasmus kemi vizituar edhe qytete të ndryshme në Slloveni. Sllovenia është përgjithësisht një vend i bukur në të gjitha stinët dhe njerëzit janë shumë miqësorë. Gjithashtu nëse më merr malli për familjen time shkoj i vizitoj shpesh për shkak se Koperi është vetëm tre orë larg Veronës. Më vjen mirë që zgjodha universitetin e Koperit sepse jam e sigurt se do të fitoj njohuri që do të jenë të dobishme në studimet e mia, kujtime dhe përvoja shumë të mira”, thekson Gema Montresor.

Kristian Tomiç 20 vjeç, vjen nga Serbia dhe studion për Inxhinieri Mekanike, si dhe ka vendosur që semestrin e vitit të parë nëpërmjet programit Erasmus ta kalojë në Koper. Ai është shumë i emocionuar për rrugëtimin e tij në Slloveni, dhe për aktivitetet e shumta që ky vend ofron për studentët.

“Shkëmbimi Erasmus është një nga përvojat më të mira të të mësuarit në jetën time. Të kesh një mundësi për të jetuar në Koper të Sllovenisë për 5 muaj së bashku me studentë të tjerë që vijnë nga pjesë të ndryshme të Evropës është vërtet unike. Përveç kalimit të kohës në kampusin e bukur studentor në Koper kam edhe shumë kohë të lirë për të bërë aktivitete të tjera dhe gjëra të mahnitshme që më ka ofruar ky qytet gjatë shkëmbimit. Gjatë këtij muaji të parë kam njohur disa njerëz që studiojnë rregullisht këtu. Kështu që në një kohë të shkurtër arritëm të takojmë disa njerëz vërtet të mirë dhe pres që të ketë më shumë surpriza deri në fund të semestrit”, thekson Tomiç

Adli Zak 20 vjeç vjen nga Bosnja dhe Hercegovina, studion për shkenca kompjuterike dhe ka zgjedhur që ta kalojë një semestër nëpërmjet shkëmbimit Erasmus në Koper. Ai thotë se kjo eksperiencë i ka ndihmuar shumë që ta zgjerojë rrethin e tij shoqërorë si dhe diapazonin e njohurive.

“Përvoja ime e shkëmbimit të Erasmus më lejoi të zgjeroja pikëpamjet e mia për fushën time të studimeve dhe të zbuloja interesat e mia të reja si dhe më motivoi që të punoj vazhdimisht me veten time dhe të kërkoj njohuri sa më shumë që të jetë e mundur. Isha veçanërisht i kënaqur nga numri i madh i orëve praktike, qasja e hapur nga profesorët për çdo temë, dhe mbi të gjitha takimi me disa studentë shumë të përkushtuar, gjë që ka zgjuar tek unë nxitjen për të vepruar në përputhje me rrethanat edhe në të ardhmen. Unë e konsideroj këtë përvojë si shumë të thellë mbi të gjitha për karrierën time të ardhshme. Për sa i përket aspektit social-kulturor, pata mundësinë të dilja nga zona ime e rehatisë dhe të përjetoja dhe të zbuloja kultura, mentalitet të ri. Pasi kjo eksperiencë të mbarojë unë do ta përshkruaj atë si një nga eksperiencat më të shtrenjta, si dhe një nga vendimet e mia më të mira të jetës”, thekson Adli Zak.

 

Të fundit