E premte, 29 Mars, 2024

“POBJEDA”: GAMBITI POLITIK I VUÇIQIT NË MAL TË ZI  

“- Parandalimi i fitores së Milo Gjukanoviqit në zgjedhjet presidenciale është një interes strategjik që duhet mbështetur me veprime të ndryshme. Është e domosdoshme të mbështetet fuqishëm, përmes kanaleve aktuale të ndikimit, përveç kandidatit Andrija Mandiq, edhe Jakov Milatoviq, kandidat i “Evropa tani”, në radhë të parë përmes aktivizimit të potencialit të partive kundër lëvizjes  së Gjukanoviqit, me prani publike aktive përmes mediat në Serbi dhe Mal të Zi të individëve të shquar të komunitetit shoqëror dhe kulturor serb në Mal të Zi, dhe me përkrahjen e fortë të Kishës Ortodokse Serbe dhe të të gjitha potencialeve që veprojnë “ – shkruhet në letrën konfidenciale të kreut të SNS-së.

 Shkruajnë: Nenad ZEÇEVIQ&Drashko GJURANOVIQ

Ndonëse maja e pushtetit në Serbi nuk u përfshi publikisht në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, Partia Progresive Serbe(SNS) e Vuçiqit, para raundit të parë të zgjedhjeve në Mal të Zi u dha instruksione të qarta aktivistëve partiakë të ngarkuar për Malin e Zi  që përmes aktivistëve partiakë, biznesmenëve dhe priftërinjve besnikë të Dioqezës së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, përveç liderit të Frontit Demokratik Andrije Mandiq, të mbështetet fuqimisht edhe kandidatin për president i Lëvizjes “Evropa tani”, Jakov Milatoviq.

Mbështetur në udhëzimet e shkruara në një informacion, të ashtuquajturin non-paper, i cili iu prezantua nja dhjetë ditë para zgjedhjeve një pjese të anëtarëve të shquar të SNS-së, me fokus zgjedhjet presidenciale, vihet re se maja e pushtetit  në Beograd luajti një lojë të dyfishtë me qëllim që të sigurohet zgjedhja e “presidentit miqësor” të Malit të Zi, por edhe që të ndikohet rikompozimin e forcave pro-serbe që do të jenë të pranueshme për Perëndimin.

Lojë e dyfishtë

– Parandalimi i fitores së Milo Gjukanoviqit në zgjedhjet presidenciale është një interes strategjik që duhet mbështetur me veprime të ndryshme. Është e domosdoshme të mbështetet fuqishëm, përmes kanaleve aktuale të ndikimit, përveç kandidatit Andrija Mandiq, edhe Jakov Milatoviq, kandidat i “Evropa tani”, në radhë të parë përmes aktivizimit të potencialit të partive kundër lëvizjes  së Gjukanoviqit, me prani publike aktive përmes mediat në Serbi dhe Mal të Zi të individëve të shquar të komunitetit shoqëror dhe kulturor serb në Mal të Zi, dhe me përkrahjen e fortë të Kishës Ortodokse Serbe dhe të të gjitha potencialeve që veprojnë  – shkruhet në letrën konfidenciale të kreut të SNS-së.

Taktika e Beogradit ishte që formalisht të mbështetet Mandiqi për shkak të relacioneve dhe politikës që udhëhe Vuçiq si “president i të gjithë serbëve në rajon, shteti amë i të cilëve është Serbia”, ndërsanë të njëjtën kohë, duke mbështetur Milatoviqin si një kandidat më të moderuar pro-serb, të krijohen  kushtet për fitore përfundimtare ndaj Gjukanoviqit.

Për Vuçiqin nuk është e huaj kjo politikë e dyfishtë ndaj “të tijve” jashtë kufijve të Serbisë. Kjo tashmë është parë, kohë më parë, në Bosnje dhe Hercegovinë, kur përmes mediave dhe biznesmenëve të tij, u dha mbështetje të dy kandidatëve për president të Republikës Srpska – Milorad Dodikut dhe Jelena Triviqit. Presidenti i Serbisë, ndërkohë e fali Dodikun edhe për arrestimin nervoz, nga ana e tij, të biznesmenëve nga Beogradi, të cilët, sipas një recete nga Mali i Zi, po fusnin para për të blerë vota.

Të dhënat e siguruara nga “Pobjeda”, si dhe analiza e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, tregojnë ashiqare se mbështetja e Vuçiqit për Mandiqin nuk ishte deri në fund e sinqertë e as e vëllimit çfarë e prisnin në Front.

Për dallim nga “betejat” për Nikshiqin dhe Budvën – kur biznesmenët e afërt me Vuçiqin fusnin shumë para për blerje – këtë herë logjistika nuk ishte aq e dukshme ose shërbimet e sigurisë, të cilat gjatë gjymë-vitit të fundit i mbikëqyri Dritan Abazoviq,përmes  ndërmjetësive të tij në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe në polici – nuk deshën t’i regjistrojnë.

Kjo nuk ika të bëj vetëm me “aktivitetet” e Vlado Mandiqit dhe Rado Shijanit, por edhe me zëvendësuesit e tyre, të cilët sollën shuma të mëdha parash në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dhe 2022. Rasti i arrestimit të biznesmenit të SNS-së, Dejan Slijepçeviq, në ditën e zgjedhjeve lokale në Podgoricë më 23 tetor të vitit të kaluar, i cili tentoi me helikopter të fuste para për të blerë vota, zbulon qartë skemën e “marrjes” së votuesve me para nga Beogradi.

MilatoviqVS Mandiq

Se mbështetja e strukturave pro-serbe dhe SNS -së ndaj Andrija Mandiqit nuk ishte adekuate, më së miri tregojnë rezultatet në komunat bregdetare, në Podgoricë dhe – çka është më e dukshme – në Nikshiq.

Për Nikshiqin deri më 19 mars besohej të ishte bastioni më i fortë i Andrija Mandiqit. Për shkak të postit të kryebashkiakut që mbulohet nga Fronti Demokratik(DF), por edhe për shkak se EPCG-në shtetërore e kontrollon funksionari i DF-së, Milutin Gjukanoviq, i cili punësoi atje një “ushtri të vogël” pasuesve partiakë.

Në Nikshiq është edhe selia e Dioqezës Budimljane-Nikshiq të Kishës Ortodokse Serbe (SPC), e cila përmes njeriut të vet të parë, Metodije Ostojiq e mbështeti Mandiqin. Fotoja e Ostojiqit në balon së bashku me Maniqin dhe Kovaçeviqin veproi si mbështetje e parezervë e kandidatit të DF-së në zgjedhjet presidenciale.

Në terren u tregua një pamje tjetër. Rezultatet e 19 marsit tregojnë se Kisha e Serbisë, ashiqare me urdhër të Vuçiqit, luajti me dy kandidatë dhe se Mandiqi disi mbeti i privuar nga mbështetja e plotë e faktorit të rëndësishëm klerikal, tek i cili shpresonte me arsye. Si të shpjegohen ndryshe 11.894 votat e pabesueshme për Milatoviqin në Nikshiq, edhe pse  në këtë qytet “Evropa tani” nuk kishte formuar asnjë këshill partiak dhe as që morën pjesë në zgjedhjet lokale?

Kur analizohen të dhënat nga Nikshiqi pas raundit të parë, rezulton se, në raport  me zgjedhjet e kaluara lokale, së paku gjysma e votave për Millatoviqin kanë ardhur nga Fronti Demokratik dhe rreth dy mijë vota nga Demokratët. Përveç kësaj, kandidati i PES hyri edhe në elektoratin tradicional të DF, duke arritur rezultate mjaft të mira në rajonin jugor: Budva, Herceg Novi, Tivat dhe Kotor.

Matematika është e pamëshirshme: Votuesit e Frontit, kryesisht me identitet kombëtar serb, njohën pikërisht te Milatoviqi atë notë të rëndësishme mllefit  kombëtar “ortodoks” dhe kaluan me lehtësi në taborin e liderit të “Evropa tani”.

“Ballo” mes SPC dhe Beogradit

Për këtë rezultat është veçanërisht i rëndësishëm i ashtuquajturi bosht klerikal – Lëvizja Demokristiane e Dejan Vukshiqit dhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila përmes njerëzve të saj me ndikim, para së gjithash popit Mijajlo Backoviq, ndikoi dukshëm në rezultatin e mirë të Milatoviqit.

Për këtë qëllim, edhe u organizua takimi i anëtarit të Kryesisë së PES-it, Andrej Miloviq dhe Mitropolitit të SPC-së, Joanikije Miqoviq në Beograd, vetëm pak ditë para raundit të parë të zgjedhjeve, me çka u tregua se SPC-ja, por edhe Serbia zyrtare, kanë “shumë kandidatë” në zgjedhjet presidenciale.

Dëshmi se po në Beograd e sforcojnë Milatoviqin është edhe deklarata e ministrit serb të Punëve të Jashtme, liderit të SPS-së, Ivica Daçiq, i cili vetëm një ditë pas zgjedhjeve tha se për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi  ka biseduar edhe me presidentin e  Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se  së bashku e kishin vlerësuar si të rëndësishme që “kandidatët që mbledhin votat serbe arritën rezultat të mirë”.

– Është e sigurt se serbët praktikisht në raundin e dytë do të vendosin se kush do të jetë presidenti i ri i Malit të Zi – tha Daçiq triumfues.

Edhe pse kjo deklaratë mund të jetë edhe një lloj “ngushëllimi” për Andrija Mandiqin, liderin e partisë më të madhe pro-serbe në Mal të Zi, Ivica Daçiq, si një barkfolës i strategjisë së Vuçiqit ndaj Malit të Zi, zbulon planin e Beogradit me të cilin dëshirohet të realizohet rikompozimi “paqësor” i fuqisë së partive politike serbe në Mal të Zi.

Motive të fshehta

Është e qartë se pas mbështetjes së Vuçiqit për Milatoviqin fshihet plani i Presidentit të Serbisë që Perëndimit t’i gjendet një lider i pranuieshëm “civilo-serb”, i cili do të ishte levë e tij në pushtetin e Malit të Zi.

Nuk është sekret që Spajiq dhe Milatoviq kanë marrëdhënie të shkëlqyera me ministrin personal të Vuçiqit dhe bankierin familjar Sinisha Mali. “Pobjeda” tashmë ka shkruar se projekti për heqjen e kontributeve të sigurimeve shëndetësore është hartuar në Beograd dhe se i është “dhënë” Spajiqit dhe Milatoviqit gjatë shumë konsultimeve që janë zhvilluar në Banjicë, qysh në fillim të vitit 2021.
Ndërsa në Beograd, kohë më parë kanë filluar të mendojnë për ndryshimin e frontmenit të Demokracisë së Re Serbe, në mënyrë që këtij grupimi politik t’i hiqet gradualisht hipoteka e politikës ekstremiste që po i ndjek që nga viti 2016 dhe gjykimi i mëvonshëm për tentativë terrorizmi. Në prill të vitit 2022, “Pobjeda” shkroi se kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, “shihej” si kandidati më serioz për kryetar të ri të Demokracisë së Re Serbe, nëse lideri i kësaj partie, Andrija Mandiq, vendos të mos kandidojë më. Gazeta jonë shkruante se Kovaçeviq është favoriti i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili në krye të kësaj partie pro-serbe në Mal të Zi dëshiron të shohë një ekip më të ri dhe sigurisht më bashkëpunues, me të cilin është “lehtë për t’u menaxhuar”.

Në kërkim të liderit të ri të NSD-së

Andrija Mandiq është në krye të Demokracisë së Re Serbe për gati njëzet vjet, duke përfshirë edhe periudhën nga viti 2003 deri në vitin 2009 kur ishte në krye të Partisë Progresive Serbe dhe lider i padiskutueshëm i asaj partie.

Herën e fundit që Mandiq u rizgjodh më 2017 në Kuvendin e kësaj partie. Kuvendi i ri ende nuk është caktuar kur do të mblidhet, kështu që është futur në zonën e shkeljes së Statutit partiak, sepse me të parashihet që mandati i kryetarit, por edhe i Kuvendit si organi më i madh, zgjat katër vjet.

Kuvendi i Demokracisë së Re, sipas Statutit, zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe nënkryetarët e partisë.

Kovaçeviqi me paralajmërimin e tij për fushatën për bashkim, definitivisht iu rekomandua qarqeve të Beogradit rreth presidentit të Serbisë dhe shfaqi hapur pretendimet e tij për të qenë një nga liderët e Demokracisë së Re. Paralajmërimi i  tij i fundit përkon me qëndrimet e ideologëve të projektit serbomadh “Bota serbe”, Aleksandar Rakoviqt dhe Aleksandar Vulinit, të cilët angazhohen haptazi për projektin e “ribashkimit të të gjithë serbëve”. Por në baza të ndryshme dhe me daljen publike të partive të bashkuara pro-serbe, të cilat do të jenë ndryshe. Si dhe roli i Andrija Mandiqit, Milan Knezheviqit dhe disa liderëve të tjerë të këtij grupimi politik, të cilët prej vitesh ishin shtylla të luftës kundër Gjukanoviqit.

Tani është koha, konsiderojnë në Beograd, që të jenë në një pozicion tjetër “po aq kërkues”, veçanërisht nëse “projekti Milatoviq” ka sukses më 2 prill.

Kur “Plani B” bëhet “Plan A”

,,… Fitorja e kandidatit Milatoviq mundëson veprim afatgjatë dhe formimin e shumicës në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, që do të drejtohen nga  Lëvizja Evropa Tani. Mbi demokratët e udhëhequr nga Aleksa Beçiq duhet të ndikohet fuqishëm për t’u dalë në ndihmë pritshmërive të “Evropa tani”. Ambiciet politike të lidershipit të Demokratëve dhe antagonizmi i një pjese të konsiderueshme të funksionarëve dhe votuesve të tyre ndaj Evropës tani duhet të frenohen për hir të krijimit të një aleance strategjike me Milatoviqin. Vlerësohet se premtimi për kthimin e Beçiqit në postin e kryetarit të Kuvendit mund të ndikojë pozitivisht në veprimet e demokratëve ndaj Evropës tani…”

Fragmenti i cituar nga non-paperi i SNS tregon se Vuçiq po planifikon me kujdes transformimin e forcave të tij “miqësore” në Mal të Zi, në përputhje me ndryshimin e rolit të tij në negociatat me Perëndimin për Kosovën.

Presidenti serb pranoi marrëveshjen e Brukselit, madje edhe ato dispozita të vështira për njohjen reciproke joformale, por reale, si dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, edhe pse në komunikimin publik ai pohon se Beogradi ka vënë “vija të kuqe” që nuk do të kapërcehen.

Në realitet, nën presionin e negociatorëve euro-amerikanë, Vuçiqi u detyrua të merrte rolin e “garancisë së stabilitetit”, ndaj tani ai ka nevojë për të gjithë mbështetjen logjistike, duke përfshirë edhe atë nga Mali i Zi, veçanërisht me sinergjinë e ripërtërirë të forcave pro-serbe, të cilën nuk mund ta sigurojë struktura e vjetër në krye të Frontit Demokratik.

– Miqtë tanë nga Fronti Demokratik do ta kuptojnë dhe atyre do t’ju prezantohet plotësisht ideja e krijimit të një mazhorance të fortë parlamentare që do të mbështetet nga Perëndimi si opsion centralist në Mal të Zi dhe e cila do të lërë anash të gjitha kundërshtimet dhe vërejtjet për politikën ekstreme serbe, sikurse nga Perëndimi e paraqesin veprimin e Frontit Demokratik – theksohet në informacionin strategjik të SNS-së, i cili i është dërguar “Pobjedës” nga Beogradi.

Sipas këtij dokumenti intern, duhet bërë transformimin e lidershipit në DF “me një procedurë që nuk do të dëmtojë në mënyrë të përhershme fuqinë e DF -së dhe në të njëjtën kohë do të mundësojë partneritet strategjik me grupimet e tjera politike serbe si Lëvizja Evropa Tani dhe Mali i Zi Demokratik”.

Hesapi politik i Beogradit është i qartë: fitorja e Jakov Milatoviqit është, jo vetëm  kusht për margjinalizimin politik të forcave sovraniste, qytetare në Mal të Zi, por edhe një lloj garancie politike për Serbinë zyrtare që në periudhën e ardhshme, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershori, pushteti i ri në Mal të Zi do të pranjë pa rezerva të gjitha iniciativat që forcojnë pozitën politike të Aleksandër Vuçiqit, si “president dhe përfaqësues i të gjithë serbëve në rajon”. Një prej tyre është “Ballkani i Hapur”, të cilin Milatoviqi e mbështeti me zell gjatë kandidaturës së tij presidenciale.

Pasi nuk kaloi në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, Andrija Mandiq premtoi se infrastruktura partiake e Frontit Demokratik do të mbështes kandidatin Jakov Milatoviq. Në bilbordet e shumta të blera nga Fronti, fotografia e Mandiqit u zëvendësua me sloganin: “Ta mundim Milo Gjukanoviqin – të votojmë për Jakov Milatoviqin”.

Megjithatë, pyetja është nëse Mandiq dhe ekipi nga kreu i Frontit Demokratik do të pranojnë vërtet të jenë mbajtës politik të ujit për kandidatin e Lëvizjes “Evropa tani”, sepse kjo i shtyn ata drejt eutanazisë politike, humbjes së ndikimit personal dhe pranimit të rolit “të të tretit”, të lojtarëve politikë margjinalë në Mal të Zi.

Në informacionin që iu është shpërndarë anëtarëve të kreut të SNS-së së Vuçiqit, të ngarkuar për zgjedhjet në Mal të Zi, analizohet veçmas obstruksioni i mundshëm i kryesisë së Frontit Demokratik dhe paralajmërohet se do të nevojiten disa ndryshime në shpërndarjen e “kulaçit partiak” brenda administratës publike dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Gjithashtu theksohet se ekziston mundësia që drejtuesit e tanishëm të FD-së të shprehin kundërshtimin e “ndryshimit të pozicionit të tyre personal”, por edhe përmendet se kjo lloj pakënaqësie mund të neutralizohet përmes formave të ndryshme të apanazhit ose funksioneve shtetërore.

Sikurse vlerësohet, problem më të madh mund të përbëjnë “votuesit e zakonshëm të Frontit”, të cilët në numër të madh, falë punësimeve në administratë dhe sipërmarrjet shtetërore, “i ndjenë benefitet konkrete të fitores nga gushti i vitit 2020”.

– Mundësitë për punësime të reja, veçanërisht në dritën e kushteve ekonomike gjithnjë e më të ndërlikuara në Mal të Zi, janë shumë të kufizuara. Pas fitores së pritshme të Milatoviqit në zgjedhjet presidenciale dhe Lëvizjes “Evropa tani” në zgjedhjet parlamentare, përkrahësit e tij do të kërkojnë që t’u hapen dyert e administratës dhe kompanive shtetërore. Prandaj është me rëndësi të jashtëzakonshme që pas zgjedhjeve duhet flakur nga puna personat që më parë kanë qenë të punësuar me kontrata mbi vepër dhe të përhershme, kjo të bëhet brenda një afati sa më të shkurtër dhe pa bujë mediatike. Një numër i personave të punësuar nga DF (dhe Demokratët) duhet të motivohet për t’iu bashkuar “Evropës tani” – theksohet, ndër të tjera, në informacionin nga Beogradi./pobjeda.me; Përktheu: kdp.mk/

 

 

Të fundit