E enjte, 25 Prill, 2024

DHUNA NDAJ MJEKËVE, PASOJË E RRËNIMT TË SISTEMIT SHËNDETËSOR

Rreth 80 përqind e mjekëve në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike ose verbale në vendin e punës gjatë karrierës së tyre. Mjekët theksojnë se kjo është pasojë e degradimit të sistemit shëndetësor në shtet, ndërkohë që për të shmangur dhunën ata thonë se duhet të investohet në infrastrukturë, avancimin e mjekëve të rinj në specializime, funksionimin e trekëndëshit primar, sekondar dhe terciar në mënyrë më efektive. Sociologët theksojnë se mllefet personale nuk duhet të shndërrohen në dhunë ndaj personelit mjekësor, përkundrazi nevojitet respekt reciprok doktor-pacient që të mos vijë deri në këso situatash.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Siguria e mjekëve duket të jetë e rrezikuar çdo ditë e më shumë. Se profesioni i tyre fisnik nuk shihet si i shenjtë nga qytetarët si dikur, këtë e vërteton edhe anketa e fundit e Odës së Mjekëve. Rreth 80 përqind e mjekëve në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike ose verbale në vendin e punës gjatë karrierës së tyre.

Gjendjen e shëndetësisë doktori Evzi Isufi e sheh si kaotike, shqetësuese dhe problematike.

“Mendoj që problematika e vërtetë është te bërthama, pra te shteti, i cili duhet të krijojë kushte më të volitshme të punës si për personelin mjekësorë që të mos vijë te situata deri tek dhuna e pacientëve kundrejt personelit mjekësorë. Aq është i degraduar sistemi shëndetësor sa që vështirë të rregullohet diçka. Mendoj që shteti duhet të punojë më shumë në krijimin e infrastrukturës, avancimin e mjekëve të rinj në specializime, funksionimi i trekëndëshit primar, sekondar dhe terciar në mënyrë më efektive. Besoj se në këtë mënyrë nuk do të ketë arsye për raste të dhunës kundrejt personelit mjekësor”, thotë Isufi.

Sociologia Leonora Ahmedi thekson që respekti doktor-pacient duhet të jetë reciprok në mënyrë që të mos vijë deri në këso situatash.

“Mendoj që nuk duhet mllefin personal, personat ose individët ta nxjerrin tek mjekët, kjo gjë është shumë gabim. Mendoj që duhet të ketë më shumë masa mbrojtëse që mjekët e tyre lirshëm të bëjnë punën e tyre, mos të dhunohen ose kërcënohen nga njerëzit apo individët, të cilët poashtu iu drejtohen mjekëve për ndihmë. Poashtu mendoj që edhe mjekët nuk duhet kursyer veten që t’i shërbejnë individëve që kanë nevojë dhe drejtohen për ndihmë tek ata”, thekson profesoresha e sociologjisë Ahmedi.

Sipas anketës së Odës së Mjekëve,  79.9 për qind e mjekëve në Maqedoninë e Veriut janë përgjigjur se kanë përjetuar dhunë verbale me të bërtitura dhe fyerje, 34.5 për qind kanë qenë viktima të dhunës verbale me kërcënime për dhunë fizike, 43 mjekë ose 5.2 për qind janë rrahur, por pa lëndime trupore dhe 13 të anketuar ose 1.6 për qind kanë përjetuar dhunë fizike me lëndime trupore.

Ndërkaq, të dhënat e Organizatës  Botërore të Shëndetësisë  tregojnë se rreth 38 përqind e punonjësve të kujdesit shëndetësor vuajnë dhunë fizike në një moment të karrierës së tyre, ndërsa një përqindje shumë më e madhe është e ekspozuar ndaj abuzimit verbal dhe online.

Të fundit