E premte, 19 Prill, 2024

KATUNDARËT DHE QYTETARËT, PREJARDHJA DHE RRËNJËT

Dhe, ndonëse kanë kaluar shekuj, këto familje qytetare e dinë origjinën dhe prejardhjen e tyre. Ata me fanatizëm e mbrojnë identitetin, vlerat dhe trashëgiminë kombëtare. Një ndër paradokset dhe kontradiktat në opinion haset te këta qytetarë, kur tregojnë origjinën dhe prejardhjen e tyre, se gjyshërit ose stërgjyshërit e tyre kanë ardhur nga Malësia ose rrafshi i Pollogut. Menjëherë fillojnë thashethemet, se ja këta katundarë janë bërë sheherli, se kanë krizë identiteti dhe inferioriteti, për të ndryshuar kastën dhe superioritetin.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Pas pushtimit të Ballkanit, Perandoria Osmane solli eprorë, ushtarë dhe administratorë, së bashku me familjet e tyre. Kryeqendrat e saj në Ballkan ishin Selaniku, Shkupi, Prizreni dhe Tetova (Kalkandelen). Këto qytete ishin si margaritarë të Perandorisë. Në Maqedoninë Lindore osmanet sollën kolonë. ky komunitet quhej Juruk apo ardhacakë, një racë evropiane nga Deti i zi, si dhe çerkezë, tatarë, çeçenë dhe sllavë të islamizuar. Në Maqedoninë Perëndimore dhe Kosovë, numri i tyre ishte i kufizuar. Pas marrjes së juridiksionit dhe ekzekutivit, osmanët formuan strukturën administrative dhe elitën politike. Ata kishin nevojë nga popullata vendase për kuadro dhe eprorë ushtarakë. Sipas shumë studiuesve osmanologë dhe historianëve evropianë, konvertimi në fenë islame nuk është bërë me dhunë dhe me shpatë, siç shkruanin historianët ballkanas. Konvertimi ishte pragmatik dhe vullnetar. Të konvertuarit të krishterë gëzonin privilegje, poste të larta, ofiqe. Tokat ua ndanin temorëve, feudeve.

Para ardhjes së osmanëve, Pollogu dhe trevat e Arbit ishin ortodoksë. Sipas historianit, Hasan Kaleshi, banorët e arbit, liturgjinë dhe meshën e bënin në gjuhën sllave. Shqiptarët nuk kishin kishat e tyre, kurse serbët ushtronin dhunë dhe reprezalje për t’i asimiluar arbrit në trevën e Pollogut. Një ndër arsyet, sipas historianit Hasan Kaleshi, ishte se kjo popullatë në mënyrë masive u konvertua në islam.

Osmanët nëpër qytete urbane formuan klasën elite. Fiset dhe familjet shqiptare që ishin konvertuar në islam ishin administratorë, nëpunës, tregtarë, zejtarë dhe të tjerë. Nga provincat rurale, rrafshi i Pollogut, vinin barinj, bujq, djem të rinj, punësohen në këto qytete. Këta familje që jetonin në kasaba, ishin bërë klasë e mesme, ushtronin funksione, ishin zotëri, esnafë, spahinj, zejtarë, tregtarë dhe rojtarë të rrugëve kryesore.

Këta qytetarë të vjetër, bejlerë, esnafë, zejtarë, kishin zotërime pronash. Ata ndërtuan saraje, medrese, hamame, kuzhina për të varfrit. Familjet e vjetra qytetare kishin pranuar një pjesë të identitetit oriental, ata me fanatizëm ruanin identitetin, vlerat dhe trashëgimin e paraardhësve të gjyshërve dhe stërgjyshërve të Arbit. Këto familje të vjetra qytetare ishin ngjitur nëpër ofiqe, poste dhe administratën dhe hierarkinë osmane. Ata vazhduan ta ruajnë identitetin dhe nuk ishin asimiluar, përveç gjuhës që kishin filluar të flasin në osmanishte. Gjuha zyrtare ishte gjuha osmane. Shpesh kur fillonin pakënaqësitë, rebelimet ose kryengritjet kundër vezirëve, të gjithë bijtë e Arbit, qytetarë, bejlerë, esnafë dhe popullata në gjithë provincat rurale dhe rrafshit të Pollogut, së bashku luftonin për kauzën, aspiratat dhe të drejtat e shqiptarëve.

SHPËRRGULJA E KLASËS ARISTOKRATE SHQIPTARE NË TURQI

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani dhe vilajetet shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore, klasa e mesme qytetare, bejlerë, esnafë, intelektualë, teologë, filluan të shpërngulen në Turqi. Pas Luftërave Ballkanike, sllavët, grekët dhe klerikët ortodoksë kishin slogane, duke thënë se ju anadollakë, turkoshakë, armiqtë të Bizantit dhe të ortodoksizmit keni sunduar 5 shekuj. E tash na erdhi radha neve, shporruni nga keni ardhur ose do t’ju hedhim të gjithëve në det.

Në monarkinë Jugosllave ose siç thoshte populli nën Serbin e parë, regjimi shqiptarët i trajtonte si turq. Në Kosovë, Maqedoni filloi gjuajtja e shtrigave ndaj qytetarëve, esnafëve, bejlerëve, intelektualëve dhe ish-administratorëve osmanë. Në monarkinë jugosllave, turqit kishin medresetë, gazetat dhe privilegjet, kurse shqiptarët myslimanë konsideroheshin si turq dhe nuk pranonin identiteti kombëtar shqiptar. Në Kosovë, Maqedoni, pas gjuhës zyrtare serbe, gjuha e dytë ishte turqishtja.

Në Jugosllavinë federale, pas luftës filloi përndjekja, dhuna dhe reprezaljet ndaj klasës qytetare shqiptare. Regjimi uzurpoi tokat, pronat, dyqanet dhe ushtroi përndjekje, dhunë ndaj tyre. Një pjesë e klasës qytetare u detyruan t’i lënë trojet dhe të shpërngulen në Turqi, pjesa tjetër, pas uzurpimeve të pronave, regjimi filloi burgosjen, ndjekjen e klasës intelektuale dhe imamëve pragmatikë që mbronin kauzën dhe liritë e popullit shqiptar. Të etiketuar dhe akuzuar për armiqësi, kolaboracionizëm dhe lëvizje anti-komuniste.

Klasa e vjetër qytetare ka pasur shumë personalitete që kanë luftuar për kauzën, idealet e kombit. Shumë nga këta personalitete nga Kosova, Maqedonia, kanë marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit dhe në pavarësinë e Shqipërisë Londineze. Pas Luftës së Dytë Botërore, arsimtarët e parë dhe intelektualët ishin nga kjo shtresë qytetare që dhanë kontribut. Në demonstratat e vitit 1968, shumë nga këta patriotë dhe intelektualë ngritën zërin kundër aparteidit, diskriminimit dhe shtypjes së shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos.

Dekadat e fundit karakterizohej me shpërnguljen masive nga pjesët rurale nëpër qytete. Qytetarët e vjetër, gjeneratat e reja, me martesa të përziera, më së shumti në familje, flasin në gjuhën shqipe, kurse gjuha e vjetër osmane është duke u zhdukur.

SI E PRANUAN ARBRIT E PELLGUT TË POLLOGUT GJUHËN OSMANE

Gjatë imperializmit evropian, kolonialistët francezë, anglezë, spanjollë dhe portugezë, filluan me imponimin e kulturës dhe gjuhës evropiane në Azi, Afrikë, Kinë dhe Lindjen e Mesme dhe botën arabe. Klasa qytetare dhe klasa elite e këtyre popujve të kolonizuar filluan të flasin në gjuhën franceze, angleze dhe latine.

Një skenar i tillë ndodhi dhe në disa vilajete shqiptare, si në Manastir, Shkup, Tetovë (Kalkandelen), Gostivar, Strugë dhe në fshatrat e rrethit të Dibrës. Pjesa e qytetarëve të vjetër shqiptarë që punonin në administratë, ofiqe, kishin poste të larta deri në vezirë, të zgjedhur nga sulltanët në kryeqytetin perandorak, Stamboll.

Dhe, ndonëse kanë kaluar shekuj, këto familje qytetare e dinë origjinën dhe prejardhjen e tyre. Ata me fanatizëm e mbrojnë identitetin, vlerat dhe trashëgiminë kombëtare.

Një ndër paradokset dhe kontradiktat në opinion haset te këta qytetarë, kur tregojnë origjinën dhe prejardhjen e tyre, se gjyshërit ose stërgjyshërit e tyre kanë ardhur nga Malësia ose rrafshi i Pollogut. Menjëherë fillojnë thashethemet, se ja këta katundarë janë bërë sheherli, se kanë krizë identiteti dhe inferioriteti, për të ndryshuar kastën dhe superioritetin.

Të fundit