E enjte, 2 Maj, 2024

APOLOGJIA E ZOTNI ISNIUT

Në dioptrinë e syzeve të tij gjithçka ishte ndryshe. Ishte i kërrusur dhe njërën dorë e mbante vazhdimisht pas kurrizit. Me vite të tëra pushteti i atëhershëm ishte përpjekur t’ia thyej pikërisht këtë kurriz, që si frymë të përshqiptarshme e kishte mbrujtur në Normalen e Elbasanit. Zotni Isniu, siç e thirrnin gjithë fshati, ishte apostull i arsimit shqip, njeriu enciklopedi,  që latonte me frymë rilindjeje breza të tërë nxënësish. Modest, i përkushtuar, i përhumbur në golgotën e arsimit shqip, ai, rrezatonte gjithë vlerën e përndritur që realisht e bart me vete një shërbestar i përvujtun, një intelektual kalibër, që përveç dijes substanciale nga gjuhësia iu blatonte gjeneratave edhe apoligjinë e madhe të dinjitetit, të vlerave shoqërore dhe të qytetarisë së përhershme.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Për sa kohë që krrokatjet e sistemit të atëhershëm lëshoheshin si re të zeza mbi arsimin shqip, ne nxënësit e zotni Isniut, të përkulur mbi banka ndiqnim me vëmendje çdo lëvizje të tij, që vinte hove-hove, në formë drite nga një përtejkohë përpjekjesh mbinjerëzore. Kjo ishte koha e sakatimeve ideologjike, por edhe e rezistencës së pafundme shpirtërore, kohë e një sistemi të vlerave që vinte si një pëshpërimë e butë për t’i dhënë formë dhe kuptim qenies shqiptare, në dimensionin e dijes dhe humanizmit, në dimensionin e vlerave më të mirëqena kombëtare.

Kulti i përshpirtshëm i rilindjes arsimore gufonte në çdo skutë të ekzistencës kombëtare, si një mision i madh i progresit, i përmbushjes të asaj zbrazëtirë kultivimi që ishte krijuar nga “ironia e historisë”. Sistemi i vlerave arsimore padyshim përfaqësonte një konstantë kulturore rezistente dhe kundërvënëse ndaj zhbërjeve të programuara dhe hijëzimeve vrastare të ideologjisë komuniste.

Padiskutim, golgota e arsimit shqip do të vazhdojë edhe gjatë periudhës së tranzicionit e përcjellë me goditje të trishta të nacionalizmit etatist maqedonas, por edhe me një rrënim permanentë të sistemit të vlerave të përshqiptarshme nga brejtësit cinikë dhe injorantë. Kalimi nga një kohë paradigmatike në një kohë tjetër, në tranzicionin e përjetshëm, do t’i godasë keqas kariatidet e sistemit të vlerave tashmë duke e transformuar kultin e dijes së mirëqenë me kultin e dukjes së gërditshme.

Padiktueshëm kemi një kalim degjenerues nga një matricë vlerash të verifikuara dhe të mbrojtura me përkushtimin më të madh në terrenin e dijes stihike, aksidentale dhe të përçudnuar që stimulohet nga të katër anët. Paradoksalisht, kemi degjenerimin e madh nga mësuesi me perfomanca të mirëqena intelektuale në “intelektualin” me perfomanca provinciale. Tranzicioni i përjetshëm tashmë ka ndërruar kodin, etalonin e dijes dhe arsimimit duke e zhvendosur atë në kënetën e madhe të guatjeve, në koncertin disonantë të shtirjeve të pafundme dhe brutale që instalohen si “vlerë” në sistemin arsimor dhe në sistemin e madh të dijes.

Pikërisht kjo lehtësi e padurueshme dukjeje ka humbur kuptimin e vërtetë të gjithë atij transponimi të domosdoshëm të sistemit të dijes që nëpërmjet arsimit transmetohet nga një brez në brezin tjetër, ashtu siç përcaktohet edhe teoritikisht kuptimi esencial i sistemit arsimor. Tashmë jemi në detin e pafundëm të dijes “trapa-trupa”. Janë të pakta ato pika refrente që vazhdojnë të mbajnë në horizont vlerat e mirëqena, gjithë atë pretendim të përndritur që mbruhet në përkuljen madhështore për të prodhuar vlera shoqërore dhe kuptime humane për kohën dhe breznitë.

Relativizimi i antivlerës dhe apologjia e padijes fatalisht janë shndërruar në sistem. Kodi tashmë është ndërruar. Dija e përciptë ia ka zënë vendin dijes kreative dhe metodologjike. Analfabeti njihet për mendar, ndërsa mendari tallet si dikur Diogjeni. Gjithçka duket se shkrihet në detin e madh të injorancës, të kravatave dhe pispillosjeve boshe. Një fjali e renditur mirë duket “mission impossible” për shumë mësues, profesorë dhe të tjerë me grada të “rënda” shkencore. Hijerëndë nëpër institucione lëvizin palaço që kanë kaluar vetëm nëpër “përpjekjen” e aktiviteteve partiake.

Arsimi shqip po zvenitet dhe janë të paktë ata shpirtra që e ndjejnë së thelli këtë rrënim, këtë mungesë rezistence ndaj koncepteve degjeneruese etatiste që kodasin indin shqiptar. Janë të paktë ata që akoma nuk kanë rrëshqitur në ngërdheshjen e madhe të padijes, në atë llum pavetor indiference që ekspozohet në vitrinat e zhbërjes shqiptare.

Diskursi i këtij dekompozimi ngihet keqas me formulime neutrale që justifikon çdo paaftësi, çdo çoroditje dhe shfytyrim. Gjithë kjo situatë nuk të jep dorë as për kritika dhe korrigjim, sepse duket si një punë Sizifi. Fatkeqësisht, para se të ndodh rrënimi zakonisht ndodh dorëzimi i vetëvullnetshëm. “Kujt t’i flasësh dhe kujt t’i ankohesh, t’ia shtosh vullnetin e zi dhe kënaqësinë e mjerë”, kështu shprehej në kulmin e antivlerave dhe dorëzimit, poeti Azem Shkreli. Po rijetojmë të njëjtën kohë me po të njëjtat klithje. “Paradigma” e re ka ngritur tashmë kultin e pozës dhe fundi fund nuk ka.

Nga dritaret e fëmijërisë shoh figurën e zotni Isniut. Shumëçka mungon në gramatikën e arsimit shqip. Sikur kam vendosur syzet me dioptri të tij. Gjithçka duket ndryshe. Për ditë e më tepër figura e tij me ngjanë me atë të Mit’hat Frashërit. Po, ai ishte fryma e tij, fryma e vlerave përshqiptarshme dhe thellësisht humane, fryma e dijes së thellë dhe e reflektimit intelektual.

Të fundit