E premte, 19 Prill, 2024

„AHMETISTËT“ DHE „ZJARRMORËT “

Çfarë do të jetë përfundimi i debatit të brendshëm në BDI: funksionimi i grupit të Mexhitit si fraksion partiak apo formimi i një subjekti të ri politik, i cili do të menaxhohet nga ish-kryetari i Çairit?

Bashkimi Demokratik për Integrim, një parti politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e formuar në maj të vitit 2002, pas përfundimit të konfliktit ushtarak në vitin 2001 dhe arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, ishte deri vonë ajo që nënkupton emri i saj – një parti e bashkuar. Në këtë parti kishte mosmarrëveshje të brendshme, por jo edhe përçarje! Mirëpo në BDI, që para Vitit të Ri, si asnjëherë më parë, është bërë një betejë e ashpër për afrimin e anëtarësisë dhe për të dëshmuar legjitimitetin e partisë.

Beteja po zhvillohet edhe në terren, duke zhvilluar takime me qytetarë dhe media. Tashmë janë konsoliduar dy rryma politike, njëra e udhëhequr nga Ali Ahmeti dhe tjetra nga Izet Mexhiti.

Përçarjet – pjesë e historisë politike

Proceset e përçarjeve të brendshme partiake filluan në partinë e parë politike të shqiptarëve, Partinë për Prosperitet Demokratik (PPD), e formuar më 16 prill 1990 në fshatin Xhepçishtë të rajonit të Tetovës, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Nevzat Halili.

PPD-ja, e cila në programin e saj ishte deklaruar si parti qytetare, nga shqiptarët ishte perceptuar si një lëvizje politike etnike. Goditjen e parë të shkatërrimit, kjo parti e përjetoi nga një media shtetërore në Tiranë. Ishte komenti i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), i publikuar në dhjetor të vitit 1993, i cili la të kuptohej dhe në njëfarë mënyre vulosi ndarjen e kësaj partie. Në këtë koment, një pjesë e kryesisë së PPD-së ishte akuzuar për pengim të jetës demokratike në këtë parti, por edhe për konfuzion për, siç i kanë quajtur, kërkesat për drejtësi të shqiptarëve. Pas këtij komenti, partia ishte ndarë në dy grupe ose fraksione.

Nga njëra anë ishte partia “zyrtare” e drejtuar nga Xheladin Murati dhe nga ana tjetër fraksioni i quajtur Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, i drejtuar nga Arben Xhaferi, një intelektual dhe gazetar i shquar, i cili jetën e tij të punës e kaloi jashtë politikës në Prishtinë.

Një proces identik ka ndodhur edhe në Partinë Demokratike të Shqiptarëve, e formuar në vitin 1994, nga e cila lindi partia e Imer Selmanit, Demokracia e Re dhe Lëvizja për Reforma – PDSH e Ziadin Selës, e cila më pas u quajt Aleanca e Shqiptarëve dhe e cila sot udhëhiqet nga kryetari i Gostivarit, Arben Taravari. Në mënyrë indirekte, lindi edhe partia e Rufi Osmanit, Rilindja Kombëtare Demokratike, pikërisht nga PDSH-ja.

Në dy dekadat e fundit vetëm BDI-ja ishte parti në të cilën kishte unitet. Por nuk është më kështu! Dy grupe të mëdha politike tashmë janë profilizuar në BDI. Në njërën anë janë ahmetistët, siç quhen më dyshja Ahmeti – Artan Grubi, dhe dhe në anën tjetër janë “Zjarrmorët” me Izet Mexhitin dhe Musa Xhaferin. Për herë të parë në historinë e kësaj partie politike po priten trazira të mëdha dhe serioze, të cilat mund ta prekin edhe më shumë në të ardhmen.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit