E premte, 19 Prill, 2024

EDHE KANADAJA UA NDALON TikTok-un PUNONJËSVE TË ADMINISTRATËS

Masa ndërmerret disa ditë pasi Komisioni Evropian vendosi një ndalim të ngjashëm për aplikacionin kinez.

Kanadaja ka ndaluar aplikacionin kinez TikTok nëpër telefonat zyrtarë të punonjësve të administratës shtetërore. Vendimi u mor me qëllim të sigurisë së të dhënave, pasi nga një analizë e brendshme rezultoi se metodat TikTok të grumbullimit të të dhënave i bëjnë përdoruesit të ndjeshëm ndaj sulmeve kibernetike. Agjencia Reuters rikujton se vendimi merret disa ditë pasi Komisioni Evropian palikoi një ndalesë të ngjashme.

Vlerësohet se ky hap do të dëmtojë edhe më marrëdhëniet me Kinën, të cilat janë tensionuar vitet e fundit për arsye të ndryshme, veçanërisht për shkak të akuzave të Otavës se Kina u përpoq të ndikonte në zgjedhjet në këtë vend, si dhe se ajo ndërmori aktivitete të mbikëqyrjes ajrore dhe detare. Këto pretendime janë mohurar nga Pekini i cili i ka bërë thirrje Kanadasë që t’ju japë fund “spekulimeve dhe shpifjeve të pabaza”.

Sikurse transmeton kdp.mk, qeveritë perëndimore janë të alarmuara nga provat se kompanitë kineze të teknologjisë po ndihmojnë Partinë Komuniste dhe shërbimet e saj të inteligjencës të mbledhin sasi të mëdha të dhënash anembanë botës, me një fokus të veçantë mbi objektivat politike dhe të sigurisë me vlerë të lartë.

Njoftohet se institucione të tjera të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Këshillin dhe Parlamentin, me siguri do të ndjekin shembullin e ndalimit të aplikacionit kinez, megjithëse mund të duhet shumë më tepër kohë që Parlamenti Evropian të zbatojë një vendim të tillë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar tashmë TikTok-un nga shumë pajisje qeveritare.

Të fundit