E diel, 5 Maj, 2024

ALARMI I SHËNDETIT MENTAL, URGJENTISHT TË INTERVENOHET ME PROJEKTE SHPRESËDHËNËSE

Sipas një ankete të realizuar nga studentët e UT-së 59 përqind e qytetarëve ndjehen të shqetësuar, në stres dhe të pasigurt ekonomikisht. Ekspertët i shohin me shqetësim këto rezultate, ndërkohë që vlerësojnë se kjo vjen për shkak të mosbesimit në institucionet e shtetit. Sipas tyre, pas ballafaqimit të botës moderne me pandeminë  Covid 19 dhe krizën ekonomike globale edhe popullata shqiptare në RMV u tronditë nga këto faktorë destabilizues të mirëqenies sociale. Ata theksojnë se duhet të merret seriozisht mirëqenia dhe shëndeti metal i qytetarëve. Shteti, thonë ata, duhet të intervenojë urgjentisht, duke rritur rrogat, duke subvencionuar ekonominë vendore, duke hapur vende te reja te punës si dhe duke ndihmuar me projekte shpresëdhënëse të rinjtë e papunë.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Si problematikë e cila është paraqitur së fundmi te një pjesë e qytetarëve është ajo e shëndetit mendor. Ky konstatim vjen nga  një anketë e realizuar nga studentët e UT-së, nga e cila del se 59% e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në pjesën perëndimore të vendit, momentalisht ndjehen të shqetësuar, në stres dhe janë të pasigurt ekonomikisht.

Njohësit e çështjeve sociale në vend vlerësojnë se arsyet e këtyre rezultateve gjenden tek moskujdesi i shtetit sa i përket statusit ekonomik dhe atij social.

Profesoresha e Shkencave Humane dhe ligjëruesja e lëndëve psikologjike, Fatime Ziberi vlerëson se shkaku i këtij shqetësimit vjen nga mosbesimi i qytetarëve në institucionet shtetërore.

“Mendoj se shkaku i këtij shqetësimi dhe pasigurie është mosbesimi që popullata ka ndaj organeve shtetërore dhe përvojat kolektive. Kur aktet dhe sjelljet e pa drejta kanë tendenca të njëkohshme reagimi normal do të jetë me mosbesim dhe shqetësim. Personat e ekspozuar në padrejtësi dhe pamundësi për të mbrojtur veten dhe të punojnë për realizimin e qëllimeve të tyre, çonë në dëshpërim dhe mosbesim dhe gjithë kjo ndikon negativisht në shëndetin mental. Besoj se shteti duhet të punoj në drejtimin që ta rikthej besimin e qytetarëve. Të merret më seriozisht mirëqenia dhe shëndeti mental”, thotë profesoresha Ziberi.

Ndërkaq,  profesori i Shkencave Sociale, Sunaj Raimi mendon se shkaqet për shqetësimin e qytetareve janë shoqëria konsumatore,  shpejtësia e të jetuarit si dhe terrorizimi i smart teknologjisë.

“Pas ballafaqimit të botës moderne me pandeminë e Covid 19 dhe krizën ekonomike globale, edhe popullata shqiptare ne RMV u tronditë nga këto faktorë destabilizues të mirëqenies sociale. Me këtë rast, nën kompresionin e madh të këtyre agjensave psiko-moral, erdhi edhe deri te një tronditje serioze e sistemit të shëndetit tonë mendor. Përveç shkaqeve të sipërpërmendura për destabilizimin e shëndetit mendor të popullatës sonë, shkaqe tjera për paraqitjen e këtij shqetësimi kolektiv, stresi dhe anksioziteti janë edhe shoqëria konsumatore, shpejtësia e të jetuarit si dhe terrorizimi i smart teknologjisë.

Sipas tij, për ta kthyer në kondicion të mirë shëndetin mendor kolektiv, shteti duhet të intervenojë urgjentisht, duke rritur rrogat, duke subvencionuar ekonominë vendore, mbështetur prodhimet vendore, duke hapur vende te reja te punës, si dhe duke ndihmuar me projekte shpresëdhënëse të rinjtë e papunë, pensionistët, prindërit vetushqyes etj.

Sipas së njëjtës anketë, 19% e qytetarëve thonë se kur janë në depresion grinden me të tjerët dhe përfundojnë në zënka familjare. Ndërsa, 11% e qytetarëve të anketuar zgjedhjen e problemeve, shqetësimin e krizës ekonomike e shohin tek dhuna, tek përdorimi armëve ndaj personave që i kanë nxjerrë nga vetja.

Edhe përkundër shumë fushatave vetëdijësuese, një pjesë e qytetarëve fatkeqësisht zgjidhjen e problemeve e shohin tek përdorimi i dhunës.

Të fundit