E enjte, 2 Maj, 2024

DIPLOMATI SERB: “HISTORIA E MARRËDHËNIEVE SERBO-RUSE ËSHTË PLOTË ME ZHGËNJIME TË SERBISË ME QËNDRIMIN E RUSISË”

Një deklaratë e kësaj jave e ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandar Bochan-Kharchenko, se Beogradi zyrtar nuk duhet të pranojë  planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, ka hasur në komente të ndryshme në qarqet serbe. E përditshmja e pavarur “Danas”, sikurse transmeton kdp.mk, ka intervistuar diplomatë serbë duke ua shtruar pyetjen nëse Kosova mund të presë pa luftë përfundimin e konfliktit mes Perëndimit dhe Rusisë, siç po rekomandon ambasadori rus në Serbi?

Konflikti midis Perëndimit dhe Rusisë do të zgjasë shumë, shumë gjatë. Askush nuk guxon të parashikojë se sa. A mund të presë Kosova kaq gjatë, pa luftë? Jo.

Shtrohet pyetja legjitime – a ka kohë dhe a duhet të presë Serbia një epilog të favorshëm, hipotetikisht për të, të luftës në Ukrainë? Dhe, çka nëse Rusia nuk e fiton këtë luftë? A mendoni për këtë – pajtohen bashkëbiseduesit e të përditshmes së pavarur serbe “Danas” duke komentuar deklaratën e ambasadorit rus se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të vendoset pas përfundimit të konfliktit Perëndim – Rusi.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko tha të enjten se statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet “në kushte të tjera gjeopolitike”, pas përfundimit të “konfliktit me Perëndimin në territorin e Ukrainës” në të cilin “sigurisht se Rusia do të fitojë”.

Bocan-Harchenko tha në një intervistë për agjencinë Beta se e kupton që propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“- Për dallim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, plani franko-gjerman nuk është bazë për zgjidhjen afatgjatë të çështjes së Kosovës dhe Metohisë. Edhe ky plan, si gjithë të mëparshmit, parasheh koncesione të njëanshme nga Beogradi, para së gjithash që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe e Kombeve të Bashkuara. Plani franko-gjerman në thelb përfaqëson njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Perëndimi këmbëngul hapur se Beogradi duhet patjetër të njohë pavarësinë e Kosovës”,- ka vlerësuar ambasadori rus në Beograd.

“- Lufta në Ukrainë me siguri se do të zgjasë më pak se konflikti mes Perëndimit dhe Rusisë, ndërsa do të ishte më mirë që të përfundojë menjëherë, që çdo ushtri të jetë në vendin e vet. Konflikti është një term më i gjerë se lufta. Lufta e Ftohtë zgjati gati gjysmë shekulli. Në të nuk u vra asnjë ushtar, asnjë civil, as në njërën, as në anën tjetër. Vështirë që konflikti i tashëm, në çfarëdo variant, të zgjasë më pak. Dhe të përfundojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë? A mund të presë Kosova kaq gjatë, pa luftë? Nuk mundet,” – vlerëson për Danas Sreqko Gjukiq, ish-ambasador i Serbisë në Bjellorusi.

Sipas Radomir Dikliqit, ish-ambasador i Serbisë në Francë, qëndrimet e ambasadorit rus përfaqësojnë qartë një “erë në shpinë” të të gjithë atyre në Serbi të cilët çmojnë se  duhet refuzuar planin franko-gjerman, i cili tashmë është zyrtarisht plan i BE-së, me mbështetjen e SHBA-së.

“-Rusia, përmes ambasadorit të saj, deri më tani ka mbështetur më qartë dhe më hapur të gjitha pjesët pro-ruse të shoqërisë serbe, qofshin ato parti politike në tërësi apo pjesë e anëtarësisë së tyre, Kishën Ortodokse Serbe, një pjesë të intelektualëve dhe elitës qytetare…” – beson bashkëbiseduesi i gazetës Danas duke përfunduar se Moska mbështet të gjithë ata të cilët janë për mospranimin e planit të ofruar, pavarësisht çmimit që do të paguajnë qytetarët e Serbisë.

“- Për mua, më interesant është konstatimi i ambasadorit Bocan-Kharchenko se problemi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të zgjidhet pas përfundimit të luftës në Ukrainë, të cilën Rusia – natyrisht – do ta fitojë. Shtrohen disa pyetje: Edhe po të jetë kështu, a do të thotë kjo një Jaltë e re? A do të thotë kjo se Serbia duhet të sakrifikojë të ardhmen e saj të afërt për shkak të “të ardhmes së ndritur” të pasigurt të cilën e ofron Rusia? Do të kishte këtu edhe pyetje të tjera. Vetëm po rikujtoj se historia e marrëdhënieve serbo-ruse është plot me zhgënjime të Serbisë me qëndrimin e Rusisë kur interesat e saj (ruse) ishin në pikëpyetje. Serbët përherë do të shkonin në plan të dytë…,” – përfundon diplomati Dikliq.

 

Të fundit