E enjte, 28 Mars, 2024

TARAVARI “SHKEL” PRAGUN E QEVERISË

Ndryshimet kushtetuese, funksionimi më i mirë i Parlamentit apo stabilizimi i shumicës parlamentare. Cili është motivi kryesor që Aleanca për Shqiptarët (ASH) që e udhëheq këtë parti të ndërrojë tabor dhe të kalojë nga opozita në pushtet. Njohësit e rrethanave politike thonë se motivi mund të gjendet te të gjitha temat…

Shkruan: Enis Shaqiri

Kreu i ASH-së, Arben Taravari, tha sot se partia që drejton ai është shumë afër që të bëhet pjesë e koalicionit në pushtet. Pas takimit dy orësh me kreun e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, Taravari bëri të ditur se ASH me shumë gjasë do të jetë pjesë e Qeverisë, duke shtuar se 90 për qind e çështjeve të programit të kësaj partie janë harmonizuar. “Në aspekt programor mendoj se pjesa dërmuese e çështjeve janë harmonizuar me Qeverinë. Mund të them 90 për qind të propozimeve tona që i propozuam, besoj se së shpejti qeveria do të del me komunikatë dhe do të informoheni. Për çështjet kadrovike nuk biseduam fare”, deklaroi Arben Taravari,

Temë boshte mësohet të kenë qenë zgjidhjet programore, ligjore dhe sistematike, ndërkohë që pas kalimit të tyre pritet të vazhdojnë negociatat për zgjidhjet kadrovike. Sidoqoftë, ende mbetet e paqartë për opinionin nëse hyrja e ASH-së në qeveri do të shërbejë për funksionimin normal të vendit, që nënkupton shpëtimin e shumicës aktuale parlamentare dhe pamundësimin e zgjedhjeve të parakohshme, apo për ndryshimet kushtetuese.

Njohësit e rrethanave politike thonë se motivi mund të gjendet te të gjitha temat, madje edhe për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve etnik në Preambulë, ani pse edhe me ASH-në në pushtet nuk arrihet deri te dy të tretat e votave në Parlament.

Në një prononcim për KDP, analisti Sefer Tahiri, thekson se përfshirja e ASH-së në qeveri vjen me qëllim për rikrijimin e stabilitetit të shumicës parlamentare, si dhe për të neutralizuar kërcënimet që i vijnë pushtetit.

Përfshirja e ASH-së në koalicionin qeveritar bëhet me qëllim të rikrijimit të stabilitetit të shumicës parlamentare, që me sa shohim është i humbur dhe mbi të gjitha ka për qëllim që të neutralizojë “kërcënimet” apo kushtëzimet që i vijnë shumicës parlamentare qeverisëse nga deputetët e “Grupit të Zjarrit”, nga deputetë të LSDM-së ose nga deputetët e partive, të ashtuquajtura të vogla”, thekson Tahiri.

Ndërsa ish-deputeti Ismet Ramadani thekson se takimi i kreut të Aleancës për Shqiptarët me kryeministrin Dimitar Kovaçevski vjenë në kohë kur Qeverisë i duhet potenciali euro-atlantik.

Takimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kreun e ASH-së Arben Taravarin, ka disa kuptime në lidhje me rritjen e shumicës në Parlamentin e RMV-së, si dhe në qeveri. E para është se potenciali euro-atlantik shtohet, pra rritet edhe si kuantitet por edhe si kualitet si shkak i kuadrit që e disponon ASH-ja , poashtu është me rëndësi t`u thuhet forcave regresive dhe destruktive, në këtë rast pra VMRO-DPMNE-së dhe Levicës, se Shqiptarët nuk e kanë ndërmend të bashkëpunojnë me forcat anti-BE. Arsye kjo se partitë në fjalë kanë ndërmarrë rrugën jashtë opsioneve euro-atlantike, me pak fjalë është rrugë apo kahe e cila e pengojnë integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, dhe këto dy partitë do ta vendosnin RMV-në, me ardhjen eventuale në pushtet në izolim të brendshëm me trazira ndër-etnike, prishje të raporteve me fqinjët, por edhe prishje të raporteve me botën progresive, siç është NATO dhe BE-ja, prandaj futja e ASH-së në qeveri ka këtë dimension të rëndësishëm.”, thekson Ramadani.

Sipas tij, ASH-ja me shumë gjasë do të jetë pjesë e Qeverisë, si në kuptimin e asaj që do të thotë luftimin pa precedent, të kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe arsyen e integrimit, respektivisht anëtarësimit të vendit në BE.

Analisti politik Xhelal Neziri, është i mendimit se hyrja e ASH-së në Qeveri do të rezultojë me një situatë më të qetë politike, duke e mënjanuar kështu idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por që ndryshimet kushtetuese sipas tij vetëm me hyrjen e Aleancës në qeveri, nuk do të arrihen.

Vetëm me ASH-në nuk do të arrihet në 80 deputetë, që nevojiten për ndryshimet kushtetuese. Por do të hiqet dilema nëse do të krijohet një shumicë e re që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në një vit kur ato janë më pak të nevojshme. Po kështu, do të zhduken kombinimet dhe akrobacitë e ndryshme politike që janë vetëm në interes të partive apo grupeve të caktuara të interesit dhe janë në kundërshtim me interesin e të gjithë qytetarëve, ” thekson Neziri.

Ndërkaq, nëse nuk përmbushet kushti i ndryshimeve Kushtetutese, atëherë Sofja sërish mund t’i bllokojë bisedimet për kapitujt. Andaj koalicioni qeverisës synon rritjen e shumicës me 8 votat e Aleancës për Shqiptarët, që është në opozitë, por edhe me ndonjë votë të ndonjë partie tjetër më të vogël apo edhe  të VMRO DPMNE-së. Lidhur me këtë, analisti politik Qenan Aliu thekson se pushteti e ka të vështirë të sigurojë dy të tretat, apo 80 votat e deputetëve në Kuvend, por kjo sipas tij nuk do të thotë se është e pamundur.

Jam i mendimit se momentumi politik aktual ASH-në e shpërfaq si king-mejker politik. Aktualisht duke pasur parasysh faktorin kohë, pushteti për të menaxhuar të sigurojë 2/3 e votave e ka më të vështirë por nuk do të thotë se është edhe e pamundur. Ndërkaq edhe opozita duke pasur parasysh disa lëkundje edhe në radhët e Social demokratëve po dhe në radhët e Integristëve ndonëse synon të arrijë 61 vota për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Por për këtë variant poashtu nevojiten tetë mandatet e Aleancës për Shqiptarët të cilat janë shumë të domosdoshme. Mirëpo ndryshimet kushtetuese si condicio sine qua non,-kusht pa të cilin nuk mundet të vazhdojë procesi i negociatave për integrimin e vendit”, thotë Aliu.

Nevoja për një Qeveri të zgjeruar lindi për shkak të domosdoshmërisë për ndryshimin e Kushtetutës, që nënkupton përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Ky detyrim, del nga marrëveshja me Bullgarinë, e cila hoqi edhe veton për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 2020. Lidhur me këtë, ende mbetet e paqartë se cila do të jetë strategjia e Qeverisë për ta siguruar shumicën prej 2/3 – tave apo 80 votat e deputetëve në Kuvend, që aktualisht shumica ka mbështetjen e vetëm 64 deputetëve.

Të fundit