E shtunë, 4 Maj, 2024

PROCESI I SKRININGUT: ÇFARË NOTE DO TË MARRË MAQEDONIA E VERIUT?

Shkruan: Puhiza Osmani 

Komisioni Evropian në 19 korrik të vitit 2022 filloi procesin e shqyrtimit të ligjeve dhe politikave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Ky shqyrtim i mundëson vendit tonë që të familjarizohet me standardet dhe ligjet e BE-së, si dhe i dha indikacione paraprakisht që të përgatitet për çështjet që mund të dalin në negociata.

Në artikullin e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe zgjerimin e Negociatave, theksohet se procesi i shqyrtimit është realizuar nëpërmjet dy fazave: e para është faza shpjeguese nga ana e departamenteve të Komisionit dhe faza e dytë është mundësia që i jepet çdo vendi anëtar që të tregoj para Komisionit gatishmërinë e përgatitjes së ligjeve dhe standardeve të kërkuara, të cilat më pas vlerësohen nga Komisioni dhe jepet rezultati.

Profesoresha Hava Mustafa nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) u shpreh se procesi i parë dhe më i rëndësishmi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE është procesi i shqyrtimit. Sipas saj, vendi duhet të përgatitet në strukturimin e tregut të brendshëm, në lidhje me konkurrencën ekonomike dhe lidhjet fqinjësore, si dhe strukturimin e një qeverisjeje sa më të mirë.

“Unë jam e mendimit se Maqedonia e Veriut ka hapur një fazë të re në zhvillimin e marrëdhënieve me BE-në. Që Maqedonia të shkojë në rrugën drejt anëtarësimit i duhet ta rrisë intensitetin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, t’i trajtojë sa më shpejt çështjet e pakicave, në rastin konkret të pakicës bullgare në vend dhe sundimit të ligjit. Besoj se me ndryshimet kushtetuese dhe nëse ka progres të mjaftueshëm për sjelljen e reformave të reja, brenda një periudhe jo shumë të gjatë besoj se do të arrihet një integrim më i ngushtë me Bashkimin Evropian. Jam e këtij mendimi sepse sa u përket kritereve politike Maqedonia e Veriut i ka vazhduar përpjekjet për të forcuar demokracinë në vend, megjithatë nevojitet më shumë vullnet politik nga ana e autoriteteve për  të përmirësuar më tej procesin zgjedhor në vend”, tha Mustafa.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq u shpreh se do të bëhet azhurnimi i debatit në lidhje me çështjet e ndryshimeve kushtetuese së bashku me organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët. Ai gjithashtu theksoi se do të konsultohen me shtete anëtare të Bashkimit Evropian gjatë krijimit të planit të veprimit për pakicat.

“Rëndësia politike është shumë më tepër sesa ndryshimet kushtetuese të një pjese të Preambulës dhe një amendamenti të komisionit për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Këto ndryshime kushtetuese praktikisht nënkuptojnë një dritë jeshile nga ana jonë, nga Kuvendi ynë, për të vazhduar negociatat me Bashkimin Evropian” tha Mariçiq.

Gjatë konferencës për shtyp u treguan dhe rezultatet e procesit të skriningut apo procesit të shqyrtimit, si dhe Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski u bëri thirrje deputetëve që të lënë mënjanë dallimet ideologjike dhe politike, si dhe të marrin vendime për të vazhduar më tutje integrimet evropiane.

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit