E shtunë, 4 Maj, 2024

KULTI PËR “PUNËN E SHTETIT” VË NË KRIZË SEKTORIN PRIVAT

Shkruan: Gentuar Ismaili

Një vend punë në sektorin publik ende është më i preferuar sesa në sektorin privat, edhe pse në të dytin rrogat janë më të larta. Ky trend ka bërë që sot kompanitë ballafaqohen me mungesë të fuqisë punëtore dhe, sipas statistikave zyrtare, aktualisht kërkojnë mbi 10 mijë punëtorë. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se industria përpunuese është më e goditur, pasi aty kërkohen deri më 3 mijë punëtorë.

 

 

 

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ka kohë që kritikohet për mbingarkim në administratën publike, me ç’rast kërkohen shkurtime drastike për një administratë funksionale, por sërish shumica e të rinjve në vendin tonë të ardhmen e tyre e shohin në po këtë sektor.

Këtë e konfirmon edhe një anketa e IRI-it e realizuar në periudhën tetor 2022, me të rinjtë e moshës 18-35 vjeç, sipas të cilës rreth 33% e tyre janë deklaruar se janë për të punuar në sektorin publik, kurse 12% në sektorin privat. Edhe pse në krahasim me vitet e kaluara vërehet një rritje e përqindjes së atyre që më shumë preferojnë sektorin privat, administrata publike vazhdon të jetë një vend atraktiv pune.

Ekspertët numërojnë disa arsye për këtë realitet, midis të cilave përmendin ato pragmatike por edhe kulturore. Sipas tyre, mungesa e kushteve dhe sigurisë në punë në sektorin privat luan rol të madh për këtë gjendje, por këtu ndikon edhe mentaliteti i trashëguar nga periudha e komunizmit, e cila punën e shtetit e ka lartësuar si më të mirën.

Profesoresha e ekonomisë, Shpresa Syla, nuk mendon se shteti duhet ta subvencionojë sektorin privat.

Shpresa Syla

“Mendoj se sektori publik ofron një siguri më të madhe tek të rinjtë, gjë e cila nuk përputhet me praktikat tjera ndërkombëtare ku zakonisht ndodh e kundërta. Pagat në sektorin publik, në krahasim me sektorin privat, në vitet e fundit gradualisht pësojnë një rritje. Të rinjtë po ashtu mendojnë se siguria në punë është më e lartë,  ndërsa presioni më i ulët krahasuar me sektorin privat. Nuk mendoj se duhet subvencionuar të rinjtë në sektorin privat nga ana e shtetit, për arsye se oferta dhe kërkesa në treg drejtpërdrejtë ndikon në rritjen apo uljen e pagave në këtë sektor. Sektori privat gjithsesi duhet vetë t’ua rris pagat të punësuarave, nëse mendojnë të kenë punëtorë”, u shpreh profesoresha Syla.

KDP ra në kontakt me disa persona që kanë punuar në sektorin privat dhe kanë kaluar në sektorin publik. Arsyeja se përse e kanë bërë këtë ndryshim thonë ata, janë kushtet e punës.

Edhe ekspertët e fushës thonë se arsyeja që të rinjtë vendosin të punojnë në sektorin publik, janë kushtet që i ofrojnë ata.

Profesori i Adminisratës Publike, Enver Saliu, shprehet se shkaku që rinia zgjedh sektorin publik është se ata i respektojnë të drejtat e punëtorëve.

Enver Saliu

“Duke pasur parasysh se sektori publik është më i sigurt në aspekt të ruajtjes së vendeve të punës, është normale që rinia të preferoj stabilitetin dhe jetëgjatësinë. Shkaqet që rinia zgjedh sektorin publik janë të drejtat e punës që ju respektohen në sektorin publik, si pushimet vjetore, pushimet mjekësore dhe një mori të  drejtave që sektori privat ua cenon punëtorit në mënyrë flagrante dhe jashtë gjitha normave ligjore”, u shpreh profesori Saliu.

Mendim të njëjtë ndajnë edhe qytetarët që kanë kaluar nga sektori privat në sektorin publik. Thonë se shkaku është respektimi i drejtave të tyre.

Punëtorja sociale Mirvete Bajrami porosit që një herë shteti t’i stimulojë të rinjtë të rrijnë në vendlindje.

Mirvete Bajrami

“Arsyet e zhvendosjes nga sektori privat në atë publik janë disa: në sektorin privat nuk më janë paguar kontributet, rroga nën minimalen, orari i pacaktuar… “, u shpreh punëtorja sociale Bajrami.

Përndryshe, Republika e Maqedonisë së Veriut ka rreth 140.000 të punësuar nē administratën publike. Për këtë faktori ndërkombëtar kërkon që ky numër të shkurtohet në 80.000, kurse Qeveria pretendon se ka realizuar rreth 90% të investimeve kapitale, por që rritja aktuale ekonomike është 2%.

Të fundit