E premte, 12 Korrik, 2024

PSE GJERMANIA NXORI MËSIME TË GABUARA NGA HISTORIA

Kur është fjala për Rusinë dhe Ukrainën, gjermanët mbeten të lidhur me iluzionet historike dhe gjeopolitike.

Shkruan: Edward Lucas* / Foreign Policy

Kur natën mejtoj për Gjermaninë,

Humbas gjumin

Më nuk mund as t’i mësheli sytë

lotët e nxehta më rrjedhin faqeve.

– Nga poema Mendime nate të Heinrich Heines, 1844.

Në poemën e tij “Mendime nate”, shkruar në 1844, poeti gjerman me prejardhje hebreje Heinrich Heine digjej për unitet dhe modernitet në atdheun e tij të fragmentuar ku sundonin feudalët.

“Kur mendoj për Gjermaninë natën, humbas gjumin”, shkroi në dy vargjet e para të një prej poemave më të njohura gjermane.

Edhe unë ndjehem ngjashëm kur është fjala për Gjermaninë sot.

Së pari, si student i gjuhës e më pas si korrespondent i ri i huaj, kalova një pjesë të viteve të formimit në Gjermaninë e atëhershme Perëndimore. Për herë të parë në jetën time kam jetuar, dashuruar dhe ëndërruar në një gjuhë të huaj. Ishte ajo vija e parë e fronit të Luftës së Ftohtë dhe ende mbaj mend se si aromat  e duhanit, ushqimit dhe gazrave të makinave ishin të ndryshme kur kapërceje Murin e Berlinit. Ndarja e Gjermanisë ishte një shembull i shtrëngimit sovjetik të pasluftës ndaj Evropës, njësoj sikurse që ribashkimi i këtij shteti shënoi fundin e saj.

Megjithatë, Gjermania tmerron për aq sa edhe të admiron. Më hutonte  “Gorbymania” – magjepsja e banorëve të Gjermanisë Perëndimore me liderin e fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev. Më tmerroi ajo që pasoi. Gjermania e sapo bashkuar ishte magjepsur nga Rusia dhe kryesisht injoronte  vendet në mes. Në vend që t’ju jepnin përparësi sigurisë dhe mirëqenies së shteteve si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat aleanca e vitit 1939 midis liderit nazist Adolf Hitlerit dhe diktatorit sovjetik Josif Stalin i ktheu në fusha vrasjeje, politikanët gjermanë të të gjitha llojeve ndoqën një politikë lakmiqare, hipokrite dhe të papërgjegjshme. Gjermania vonoi pranimin e demokracive të reja lindore në Bashkimin Evropian dhe veçanërisht në NATO. Ndërkohë, ajo kontraktoi marrëveshje dypalëshe shumë fitimprurëse me Moskën, para së gjithash të lidhura kryesisht me dy tubacionet e Rrjedhës së Veriut përgjatë Detit Baltik.

Përpjekjet për ta kundërshtuar këtë nuk shpienin askund, siç e kam përjetuar nga dora e parë. Sa herë që përpiqesha gjatë punës sime prej gazetari, ligjëruesi dhe këshilluesi të paralajmëroj gjermanët për rrezikun që përbën imperializmi rus, i cili ishte i lënduar dhe më pas u ringjall plotësisht, ata qeshnin me mua. Ende e mbaj mend  përgjigjen tallëse, patronizuese që mora në zyrën e kancelarit gjerman diku në vitin 2010, kur tentova të paralajmëroja bashkëbiseduesit e mi për rreziqet e taktikave hibride ruse të luftës – koktejet e dezinformimit, të detyrimit ekonomik, subverzioneve, spiunazhit dhe kërcënimeve me forcë që Rusia përdor kundër fqinjëve të saj.

“ Mbase nuk po flisni seriozisht se Rusia do t’i drejtonte këto operacione kundër Republikës Federale të Gjermanisë,”- pyetën mikpritësit e mi me mosbesim.

“Po, po”, iu përgjigja. (Mund të mos i mbaj mend fjalët e sakta të përgjigjes sime).

Shpenzimet ushtarake janë jashtë mode

Qasja me vetëkënaqësi e Berlinit u mundësoi spiunëve, hajdutëve dhe banditëve rusë të bëjnë kërdi, duke vjedhur sekrete, duke vrarë kritikët dhe duke ndërtuar bastione ndikimi në Gjermani. Lajmi se një punonjës i Bundesnachrichtendienst – shërbimit gjerman të inteligjencës – u arrestua sepse spiunoi për  Rusinë do të befasojë disa.

“Nëse doni që Kremlini të marrë diçka seriozisht, jepjani gjermanëve dhe u thoni se është sekret”, më tha një oficer i mllefosur i inteligjencës  nga një shtet i NATO-s në vitet 1980. Në mos për asgjë tjetër, depërtimi rus (dhe tani kinez) në shërbimet gjermane të sigurisë  që atëherë është përkeqësuar.

Pikat e verbra historike, gjeografike dhe gjeopolitike janë të lidhura. Alergjik ndaj nacionalizmit për shkak të keqpërdorimit të regjimit nazist të Hitlerit, gjermanët u tërhoqën nga roli që luajti sentimenti patriotik në kryengritjet e viteve 1988-91 që përmbysën komunizmin. Banorët e Evropës Lindore ishin “nacionalistë”, murmurisnin  gjermanët  duke mos aprovuar (megjithëse nacionalizmi rus, një forcë shumë më e madhe dhe më toksike, u injorua me lehtësi). Meritat për përfundimin e Luftës së Ftohtë, i flisnin vetes gjermanët, në fakt i përkisnin  Ostpolitikës – ose “politikës lindore” të tyre të viteve 1970 dhe 80, e cila u fokusua në afrimin dhe ndërtimin e mirëbesimit me bllokun sovjetik. Për më tepër, Bashkimi Sovjetik miratoi ribashkimin e Gjermanisë dhe tërhoqi ushtrinë e vet nga ish-Gjermania Lindore. Mirënjohje, jo skepticizëm, ishte përgjigja adekuate.

Gjatë këtyre viteve, klima e përhapur e antiamerikanizmit në Gjermani inkurajoi nivelizimin moral dhe praktikën e përgjigjes ndaj argumentit me kundërargument. Vërtetë, regjimi i Putinit ka të metat e veta, por çfarë po ndodhë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe luftërat e saj të dështuara në Irak dhe Afganistan, me shtetin e tyre tepër të fuqishëm të sigurisë (shumë gjermanë e konsiderojnë hero Edward Snowdenin, bashkëpunëtorin e Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare që zbuloi informacione të klasifikuara dhe kërkoi azil në Rusi) dhe personalitetet shqetësuese, të papërshtatshme, sikurse janë presidentët George W. Bush dhe Donald Trump?

Gjermanët po i bren faji për krimet e shtetit të tyre nga periudha naziste, por ata rrallë janë të vetëdijshëm se Lufta e Dytë Botërore solli shumë më tepër vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë sesa në territoret që tani përbëjnë Federatën Ruse. Mosjnjohja e tyre e vetëkënaqur e historisë i pengon ata të zbatojnë mësimet e së kaluarës ndaj krimeve dhe rreziqeve të tjera. Duke vënë në dukje ngjashmëritë e padyshimta midis Bashkimit Sovjetik të Stalinit dhe Rajhut të Tretë të Hitlerit, për shembull, është dënuar një kohë të gjatë si përpjekje për të relativizuar Holokaustin. Në fund të viteve 1980, Historikerstreit i tërbuar ose “debati i historianëve” mbi këtë çështje i shtyri çështjet misterioze historiografike në mainstreami-in politik në një mënyrë që vështirë se mund të imagjinohet në cilindo shtet tjetër evropian. Madje edhe sot, kur regjimi i presidentit rus Vladimir Putin po shënon lehtë kuadratet e përkufizimit të fashizmit, shumica e gjermanëve mbetet e mbërthyer në unikalitetin e historisë së tyre. Fakti që gjermanët u kanë shkaktuar dhimbje rusëve në të kaluarën i mbron ata nga qortimi. Padukshmëria e Ukrainës në kujtesën historike gjermane përjashton zemërimin për fatin e tyre.

Gjermania shtyn premtimet

Iluzionet vdiqën rëndë. Pak para sulmit rus në Ukrainë në shkurt, qeveria e kancelarit gjerman Olaf Scholz  shkaktoi një lemeri për shkak se ofroi 5000 helmeta si “ndihmë ushtarake” për Ukrainën e rrethuar.

Ditë më vonë, realiteti “gdhiu”’. Scholz paralajmëroi Zeitenwenden ose “ndryshimin e epokës” – një rritje prej 100 miliardë eurosh për mbrojtje në buxhetin e shtetit të tij. Mbështetja retorike për Ukrainën u shtri përgjatë spektrit politik, kurse me këtë nuk u pajtuan vetëm e majta e ngurt dhe e djathta radikale. Shoqëria civile gjermane rriti aktivitetet për të pranuar mijëra refugjatë ukrainas. Sipas standardeve të kaluara, ky ndryshim ishte vërtet befasues.

Por fjalët dhe veprat nuk përputhen me premtimet. Gjermania tashmë po vonon premtimet e veta për të rritur me shpejtësi shpenzimet në dy për qind të PBB-së, një objektiv ky që tani do të arrihet vetëm në vitin 2025. Sistemi i prokurimit thjesht nuk është në gjendje të thithë me efikasitet më shumë para, shpjegojnë zyrtarët.

Për më keq, Scholz publikisht ëndërron rikthimin në “rendin e paraluftës të paqes” në Evropë. Kjo tregon se mësimet e vitit 2022 ende nuk janë kuptuar plotësisht në Berlin. Dekadat e kaluara nuk ishin një nirvanë sigurie, por një pauzë e rrezikshme strategjike, në të cilën ekonomia më e rëndësishme evropiane injoroi kërcënimet nga Rusia dhe Kina. Mungesa e mirëbesimit ndërmjet Gjermanisë dhe shumë partnerëve të saj evropianë mbetet e madhe. Në një konferencë në Berlin, ministri letonez i Mbrojtjes Artis Pabriks përmblodhi shqetësimet e aleatëve: “Ne jemi gati të vdesim për liri? A jeni ju?”

Gjermanët mbase mund të bëjnë gjum të rehatshëm, por shumëkush nuk mund të flejë për shkak të shtetit të tyre.

*Shkrimi është marrë nga portali: balkans.aljazeera.net

Të fundit