Dr. Kujtim Xhelili është specialisti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut në sferën e kardiologjisë. Ai është nga fshati Përshefcë i Tetovës dhe kah fundi i vitit 2022 kreu me sukses specializimin në fushën e kardiokirurgjisë. Në një intervistë për KDP ai thotë se përkushtimi dhe vendosmëria kthehen në sukses profesional. Ai është gjithnjë në kërkim të metodave të reja në lëmin e kardiologjisë, ndërkohë që vë në dukje se profesioni i mjekut është thellësisht human. “Avancimi në karrierën profesionale nuk ka fund, njohurit dhe përvojat e jashtme t’i sjellim këtu në vendin tonë për të mirën e të gjithëve”, thotë Xhelili në një intervistë për KDP-në.
Intervistoi: Gentuar Ismaili
KDP: Cilin e konsideroni suksesin më të madh që e keni arritur gjatë vitit 2022?
Kujtim Xhelil: Përfundimin me sukses të specializimit të kardiokirurgjisë.
KDP: Cila është sfida më e madhe që e keni pasur gjatë këtij viti?
Kujtim Xhelili: Paraditja e provimit.
KDP: Çfarë ju ka mbetur peng pa e realizuar në vitin që e lamë pas?
Kujtim Xhelili: Një pjesë e edukimit jashtë shtetit.
KDP: Cila është gjëja që dëshironi ta arrini në vitin 2023?
Kujtim Xhelili: Një ngritje profesionale me metoda të reja në lëmin që e punoj.
KDP: A do e kishit lënë vendlindjen për t’u avancuar më shumë në karrierën tuaj profesionale?
Kujtim Xhelili: Avancimi në karrierën profesionale nuk ka fund, njohurit dhe përvojat e jashtme t’i sjellim këtu në vendin tonë për të mirën e të gjithëve.
KDP: Ka më shumë rëndësi trajtimi shëndetësor apo ai human ndaj një pacienti?
Kujtim Xhelili: Vetë profesioni i mjekut është human. Trajtimi i mirëfilltë shëndetësor për pacientët duhet të bëhet pa marrë parasysh feja, kombi.
KDP: Për ju profesioni i mjekësisë është vetëm profesion, apo edhe pasion dhe mision?
Kujtim Xhelili: Çdokush ka një profesion, çfarëdo të jetë ai, po ashtu edhe profesioni i mjekësisë i cili për mua është një mision për trajtim të mirëfilltë shëndetësorë të të gjithë pacientëve.
KDP:A i vlerëson shoqëria sa duhet mjekët?
Kujtim Xhelili: Besoj se po.
KDP: Po shteti a e vlerëson mjaftueshëm kontributin tuaj në shoqëri?
Kujtim Xhelili: Në disa raste po, e disa herë jo.
KDP: Cila do të ishte porosia juaj për të gjithë ata që dëshirojnë që në ardhmen të bëhen mjekë?
Kujtim Xhelili: Porosia ime është që asnjëherë mos të dorëzon për të arritur qëllimin që ia kanë vendosur vetes.