E premte, 12 Korrik, 2024

LIRIA E MEDIAS, RËNIE NË VITIN 2022

Studiuesit thonë se liria e shtypit në vitin 2022 ka rënë. Dhuna në Meksikë, lufta në Ukrainë, ligjet shtypëse dhe burgosjet e kanë bërë vitin 2022 një vit të vështirë për gazetarët.

Me gazetarët e burgosur në Iran duke mbuluar protestat ose gazetarët e vrarë në Bregun Perëndimor duke mbuluar përleshjet, arrestimet dhe dhuna vdekjeprurëse janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

Studiuesit thonë se liria e shtypit në vitin 2022 ka rënë.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë një rritje të numrit të gazetarëve që po arrestohen, mbahen peng dhe vriten në mbarë botën”, thotë Clayton Weimers, nga organizata Reporterët pa Kufij.

Organizata “Reporterët pa Kufij” raporton se 533 gazetarë u arrestuan këtë vit dhe 57 u vranë. Kina, Mianmari dhe Irani janë shtetet që kanë burgosur më shumë gazetarë, ndërsa Meksika, Ukraina dhe Haiti ishin vende veçanërisht vdekjeprurëse për t’u mbuluar në vitin 2022.

Lufta e Rusisë në Ukrainë la një gjurmë të madhe, me Moskën që imponoi ligje represive që synonin ndalimit e raportimit të lirë dhe shumë media u detyruan të mbylleshin.

Në Ukrainë, gazetarët punojnë duke u përpjekur për të raportuar në mënyrë të sigurt si dhe për të mbajtur audiencën të informuar.

“Nuk është kurrë e lehtë të mbulosh një luftë, por sidomos kur është një luftë që është në vendin tënd, dhe nuk je thjesht një gazetar që shkon në vendngjarje dhe pastaj shkon në shtëpi i sigurt. Këtu nuk ka siguri për ne. Nuk ka siguri për familjet tona”, thotë Olga Rudenko, kryeredaktore e pavarur në Kiev.

Por zonat e luftës nuk janë rreziku i vetëm për gazetarët. Në Meksikë, dhuna dhe vrasjet e gazetarëve bënë që vitin 2022 të ishtë viti më vdekjeprurës në vend. Mbikëqyrësit e medias atje thonë se pasojat janë të gjera.

“Ajo që na shqetëson më shumë është dhuna vdekjeprurëse. Sepse kur një gazetar vritet, ndodh diçka e njohur si një ‘vrasje e dyfishtë’. Pra vrasja e gazetarit dhe heshtja që vjen pas, pasi hetimet e bëra nga ky gazetar nuk do të publikohen. Kjo ka një efekt shumë të fortë, pra kemi frikë dhe censurë”, thotë Paula Saucedo nga organizata “Neni 19”.

Kina vazhdon të jetë vendi kryesor ku censurohet media dhe ndikimi i saj ndihet edhe në Hong Kong. Analistët besojnë se gjyqi ndaj themeluesit të “Apple Daily”, Jimmy Lai po përdoret për të dërguar një mesazh.

“Me këto raste i paralajmëron të gjithë se nëse kjo mund t’i ndodhë dikujt si Jimmy Lai, një njeri kaq i shquar dhe i pasur mund t’i ndodhë kujtdo”, thotë Keith Richburg nga Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Hong Kongut.

Diku tjetër, qeveritë represive si ajo e Afganistanit kërkojnë të bllokojnë qasjen në lajme të besueshme. Talebanët kanë ndaluar transmetimet e radios së Zërit të Amerikës, por gazetarët thonë se do të vazhdojnë misionin e tyre.

“Ata na besojnë dhe duan të na dëgjojnë. Dhe sido që të jetë, banorët do të na gjejnë një zgjidhje”, thotë Shaista Sadat Lami, gazetare në shërbimin afgan të Zërit të Amerikës./VOA

Të fundit